Aleanca për mbrojtjen e Teatrit letër Presidentit Meta: Kthe për rishqyrtim ligjin!

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar i ka dërguar një letër Presidentit të Republikës Ilir Meta për rishqyrtimin e ligjit për Teatrin Kombëtar.
Në letrën drejtuar presidentit Alenaca kërkon nga ai që të kthejë për rishqyrtim dhe korrigjim në Kuvend Ligjin Nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtare” si në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, parimet juridike dhe themelet morale të ndërtimit të shtetit demokratik.
“Me këtë rast, ne duam t’ Ju kërkojmë edhe një takim në lidhje me çfarë kemi parashtruar në këtë letër dhe t’ Ju informojmë drejtpërsëdrejti se angazhimi ynë qytetar do të vazhdojë me të njëjtin intensitet, me protesta të përditshme, me qëllim sensibilizim e publikut për shkeljen e interesave të tij që po kryhen nëpërmjet këtij akti”.
Letër e dërguar Presidentit të Republikës nga ana e Aleancës.
Tiranë, 03.10.2018
Për: SH.T.Z. Ilir META
President i Republikës së Shqipërisë
Lënda: Shprehje mendimi dhe proteste mbi miratimin nga Parlamenti i Shqipërisë i Ligjit: “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS SË VEÇANTË PËR VLERËSIMIN, NEGOCIMIN DHE LIDHJEN E KONTRATËS ME OBJEKT “PROJEKTIMI DHE REALIZIMI I PROJEKTIT URBAN DHE GODINËS SË RE TË TEATRIT KOMBËTAR””

I nderuar Zoti President,
Duke Ju siguruar për konsideratën më të lartë, dëshirojmë që përmes kësaj letre, t’ Ju informojmë në lidhje me miratimin nga ana e Kuvendit të Shqipërisë të Ligjit Nr. 37/2018: “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS SË VEÇANTË PËR VLERSIMIN NEGOCIIMIN DHE LIDHJEN E KONTRATËS ME OBJEKT “PROJEKTIMI DHE REALIZIMI I PROJEKTIT URBAN DHE GODINËS SË RE TË TEATRIT KOMBËTAR””, të ndryshuar, si dhe njëkohësisht t’ Ju shprehim mendimin dhe protestën tonë.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi përsëri në datën 20 shtator, nëpërmjet një procedurë të panjohur deri më sot, ligjin në fjalë. Nga sa u vendos në Kuvend, rezultoi pranimi i Dekretit Tuaj Nr. 10849, i datës 27.07.2018, që kthente ligjin e mëparshëm me po të njëjtin numër për rishqyrtim dhe miratimi i po këtij ligji me ndryshimet përkatëse
Duke i qëndruar të gjitha atyre që Ju kemi parashtruar në letrën tonë të parë, të datës 09.07.2018, bashkangjitur, pasi thelbi i ligjit të ri nuk ka ndryshuar aspak në qëllim dhe në shkelje krahasuar me ligjin e parë, Ju parashtrojmë disa mendime në lidhje me këtë abuzim të ri të mazhorancës parlamentare.
Duke miratuar Dekretin Tuaj, Kuvendi e ka rrëzuar ligjin e parë dhe duhej të miratonte një ligj të ri duke rifilluar procedurat e rregullta ligjvënëse, pasi ky i fundit nuk ekziston më, siç përcakton qartë dhe Kushtetuta e Republikë në nenet 81-85. Përkundrazi, Kuvendi bëri ndryshime në disa nga nenet e ligjit ekzistues dhe e paraqiti për votim me të njëjtin numër duke pretenduar se është i njëjti ligj, e kësisoj nuk mund të kthehet për herë të dytë nga Presidenti.

Në ndryshim nga Kuvendi, në kushtet kur ligji që ndodhet para Jush sot ka ndryshime me versionin e parë, ne mendojmë se ndodhemi para një ligji të ri. Kjo për shkak se Dekreti Juaj Nr. 10849 është miratuar, pra ligji është rrëzuar dhe tashmë versioni aktual nuk mund të konsiderohet si i njëjti ligj. Gjithashtu, janë miratuar disa ndryshime në disa dispozita, të cilat nuk kanë kaluar më parë te Presidenti dhe duhet të shqyrtohen nga fillimi.
Vendosja e të njëjtit numër nuk e bën ligjin të njëjtë me të parin. Elementi dallues në këtë rast është përmbajtja e ligjit, e cila ka prioritet në krahasimin me formalitetin e numrit. Përderisa kemi një përmbajtje tjetër të ligjit, atëherë kemi një ligj tjetër. Elementi formal nuk mund të jetë vendimtar në raport me elementin substancial, përkundrazi. Nëse pranohet kjo praktikë si precedent, atëherë mund të krijohen kushtet për te pasur në të ardhmen raste të mëdha abuzimi duke u fshehur pas elementeve formale.
Në lidhje me përmbajtjen e ligjit të ri, Ju sigurojmë se nuk ka marrë në konsideratë asnjë nga shkeljet që Ju keni parashtruar qartazi në arsyetimin e Dekretit Tuaj. Nëse fokusohemi vetëm në pjesën formale, ligji i ri përpiqet të adresojë vetëm pikën e parë të Dekretit, barazisë para ligjit. Ndërkohë, tetë pikat e mëpasshme të ngritura nga Ju, nuk adresohen aspak në ligjin e ri. Përtej aspektit formal, edhe hapja e garës dhe garantimi i barazisë para ligjit është thellësisht e diskutueshme edhe në versionin e ri. Ashtu si më parë, për kryerjen e një gare nuk janë përdorur ligjet aktuale si ai për prokurimet publike, por është krijuar një procedure e re ekstra-ligjore. Duke krijuar një praktikë të re dhe të pazbatuar më parë, ligji i ri kërkon nga konkurruesit që të kenë përfituar paraprakisht prokura mbi të gjitha pronat e përfshirë në projekt, element ky që favorizon qartazi kompaninë e specifikuar në versionin e parë të ligjit.

Ne besojmë se jemi përpara të njëjtës situatë antikushtetuese si në rastin e versionit të parë. Shkaqet e detajuara të kësaj situate nuk po i përsërisim, pasi gjenden si në letrën e parë nga ana jonë, por akoma dhe më qartë janë detajuar në vetë Dekretin Nr. 10849. Në këto kushte ne gjykojmë që Ju duhet ti qëndroni të argumenteve të shpjeguar në Dekretin e sipërpërmendur, pasi pavarësisht se ka një ligj të ri, shkeljet kushtetuese të shkaktuar prej tij mbeten të pandryshuara.
President,
Sikundër e theksuam dhe më lart, Ju jeni në të drejtën Tuaj kushtetuese për ta marrë në shqyrtim këtë ligj, si çdo ligj që vjen para Jush për herë të parë. Abuzimin me aspektin formal të numrit të ligjit nuk mund të pengojnë Presidentit të ushtrojë kompetencat kushtetuese të detyrës së tij.
Nisur nga arsyet e mësipërme kërkojmë nga ju të ktheni për rishqyrtim dhe korrigjim në Kuvend Ligjin Nr. 37/2018 “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS SË VEÇANTË PËR VLERSIMIN NEGOCIIMIN DHE LIDHJEN E KONTRATËS ME OBJEKT “PROJEKTIMI DHE REALIZIMI I PROJEKTIT URBAN DHE GODINËS SË RE TË TEATRIT KOMBËTAR” si në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, parimet juridike dhe themelet morale të ndërtimit të shtetit demokratik.
Me këtë rast, ne duam t’ Ju kërkojmë edhe një takim në lidhje me çfarë kemi parashtruar në këtë letër dhe t’ Ju informojmë drejtpërsëdrejti se angazhimi ynë qytetar do të vazhdojë me të njëjtin intensitet, me protesta të përditshme, me qëllim sensibilizim e publikut për shkeljen e interesave të tij që po kryhen nëpërmjet këtij akti.
Duke mbetur shpresëplot për një qëndrim të drejtë të institucionit të Presidentit të Republikës dhe krah vullnetit të qytetarëve të saj, besojmë se edhe këtë herë Ju do të jeni, siç ka ndodhur dhe në të shkuarën, fillesa e korrigjimit të iniciativave të padrejta ligjore nga ana e Qeverisë dhe mazhorancës qeverisëse.
Ju faleminderit.
Me konsideratë të lartë,
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

Exit mobile version