Aleanca për Teatrin-ambasadorit Soreca: Nuk mbështetemi më tek ju, përplasje fizike për Teatrin

Përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kanë takuar ditën e Hënë, ambasadorin e ri të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, ku ndanë shqetësimin për ligjin antikushtetues që i hap rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar.
Shqetësimi kryesor që Aleanca diskutoi me ambasadorin ishte miratimi i një ligji antikushtetues që shemb Teatrin Kombëtar, për të përdorur truallin për ndërtime private, në një moment kur vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese funksionale, për shkak të reformës në drejtësi. Duke patur parasysh ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në shumë çështje të mëparshme, Aleanca e konsideron mos-ndërhyrjen e BE-së në rastin e Teatrit Kombëtar, si një sjellje me standarde të dyfishta.
Por siç shkruan Aleanca, “megjithë përpjekjen e vazhdueshme për një qëndrim të përbashkët, të dy palët [Aleanca dhe Ambasadori Soreca] kanë pikëpamje të ndryshme në lidhje me problemin Teatrit, por edhe të zhvillimeve politike në vend që kanë frymëzuar çështjen e Teatrit”.
Ambasadori shprehu qartësisht se Delegacioni, si dhe Komisioni Evropian, nuk pranojnë të shprehen në lidhje me problemet e brendshme kushtetuese dhe ligjore, pasi do tejkalonin rolin e tyre. Edhe kryerjen e një deklarate për të shtyrë vendime me kushtetutshmëri të dyshimtë Ambasadori e konsideron si përfshirje në çështje të brendshme.
Ndër të tjera, Zoti Soreca tha se reforma në drejtësi është një sipërmarrje e institucioneve shqiptare, pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, ndaj Delegacioni i BE-së do të përpiqet të ndihmojë në përshpejtimin e procesit të zbatimit të reformës, por nuk mund të ndërmarrë hapa përtej këtij roli.
Në fund të takimit, Aleanca e siguroi Ambasadorin se Teatrin do e mbrojë deri në fund, qoftë edhe me përplasje fizike:
“Jemi të bindur, sot më shumë se kurrë, se problemet e Shqipërisë mund dhe duhet t’i zgjidhin vetë shqiptarët. Sado dashamirës ose jo të jenë ambasadorët e huaj në vend, është e qartë se ideja që zhvillimi i vendit vjen prej tyre është një mit i rrezikshëm mbi të cilin nuk mund të mbështeten më shpresat e shqiptarëve”.
“Exit.al”

Exit mobile version