Aleancë për Shqipërinë përballë marrëveshjes së 2008-ës!

Nga Ermal Peçi

Gjatë ditës së sotme Lulzim Basha zhvilloi një tryezë me kryetarë partish, të cilët janë në opozitë, por dhe me figura të spikatura politike, si Spartak Ngjela, Bamir Topi, Preç Zogaj dhe Rexhep Uka, figura të cilat kanë mbajtur dhe poste shumë të larta shtetërore, e njohin mjaft mirë institucionin dhe mënyrën si funksionon shteti.

Një tryezë, e cila nuk u zhvillua për karrige, por për të bërë diagnozën e saktë se nga vuan kjo qeveri dhe opozita, e cila shkon pas një individi të shpallur non-grata. Në tryezën e sotme do të duhet të ishin dhe pjesëtarë të tjerë si Nisma Thurje, Lëvizja Bashkë apo dhe Shqipëria Bëhet, por mesa duket akoma ata kanë mëdyshjet e veta edhe pse në dijeninë time, ftesa nga PD-ja dhe për ta nuk ka munguar.

Një tryezë, e cila në fakt po kthehet në një alternativë përballë marrëveshjes së 2008-ës të bërë nga Rama dhe Berisha, e cila po vazhdon edhe sot me paktin e arritur për të vazhduar normalisht jetën parlamentare. Marrëveshja e re Berisha-Rama, e cila u arrit vetëm disa ditë më parë tregon që të vjetrit e politikës kërkojnë të mbajnë gjallë marrëveshjen e 2008-ës dhe të jenë bashkë në një luftë kundër SPAK-ut dhe kundër shqiptarëve. Përballë kësaj klase të vjetër vjen një alternativë, e cila në fakt sa ka hedhur themelet e para të asaj që Basha dhe PD-ja ka kohë që e artikulon në çdo medium të mundshëm, duke nisur nga listat e hapura, Shqipëria një zonë dhe vota e diasporës.

Këto janë vetëm propozimet për të zgjidhur ngërçin e këtij sistemi të çimentuar politik, por është dhe një divizë tjetër e madhe që e ndan shoqërinë por dhe klasën politike. Mbështetja për drejtësinë që PD-ja e ka pa kushte kurse Berisha, Meta, Rama në çdo moment kërkojnë t’i vendosin epitete dhe ta sulmojnë për të intimiduar drejtësinë.

Këto janë pikat e përbashkëta që kjo tryezë sot, vendosi theksin kryesor te reforma zgjedhore, por dhe te mbështetja pa kushte e drejtësisë, e tashmë njësoj siç është e ndarë politika ashtu është e ndarë dhe shoqëria, në qytetar që duan një sistem ku vota e tyre merr më shumë fuqi se zgjedhja apo preferenca e kryetarit apo qytetar që duan sistemin e 2008.

Në qytetar, të cilët duan që zyrtarët e korruptuar apo politikan të përballen e të japin llogari përpara drejtësisë apo në qytetar që kërkojnë që të ketë ende politikanë të paprekshmen. Në qytetar që duan që diaspora të votojë edhe në ata që i tremben votës së diasporës.

Pra kjo është ndarja sot që shoqëria shqiptare duhet të zgjedhë midis një alternative, e cila sapo ka hedhur themelet apo një sistemi të vjetër si ai i 2008-ës që kërkon të rrijë akoma në këmbë me marrëveshjet që bëjnë Rama dhe Berisha për të mbajtur pushtetin e tyre gjallë./dritare.net

Exit mobile version