Nga Edison Ypi
I vajtën hajdutit në arrati. E gjetën te zgavra ku ishte fshehur. E morën, e lanë, e shpëlanë. Ia hoqën morrat, e krehën, e ujdisën. E nxorën në televizor. I thanë të thotë çfarë u leverdiste për të fituar Noc Rrokun në zgjedhjet e ardhshme. Pra, i vajtën të vdekurit te varri. Ia mblodhën dhe ia ngjitën kockat. E ngritën, ia hoqën baltat, e veshën, e mbathën, e parfumosën, e pispillosën. E nxorën para kamerave. I thanë të flasë për kodrat e Saukut pas Malit të Dajtit. Foli aleati hajdut. U ngërdhesh, u zgërdhesh me zë të dridhur, i djersitur nga ankthi, paniku. Asgjë s’u muar vesh çfarë tha i vdekuri i pakallur që po e kërkojnë policitë e krejt botës. Zgjedhja për aleat e hajdutit për të dëshmuar hajdutllëkun të lë pa mend. Nuk duket si e këtushme.
Duket si e tejbotshme. Si e ndodhur tjetërkund. Vite drite larg. Në një planet ku gravitacion nuk ka, koha ka ndalur, jeta e saponisur është në epokën e shpellave të populluara nga pitekantropët që jetojnë në kope dhe ushqehen me njëri-tjetrin. Mes shumëllojshmërisë së pafundme të tipave, karaktereve, huqeve, veseve, vështirë të gjesh një aleat për së mbari. Që ta kesh për ditë të zezë. Të rrijë besnik si qeni. Të mos tradhtojë si Beqir Balluku. Të mos të spiunojë si Kadri Hazbiu. Ndoshta e gjen një aleat që të duhet, ta zëmë, për shkencëtar, i cili, mes tjerash, ka edhe ndonjë cilësi negative. Për shembull, është llapaqen, zevzek, frikacak, thashethemexhi, intrigant, ose të gjitha bashkë këto. S’ke gabuar.
Zgjedhja do funksionojë. Shkencëtari i ardhshëm, pavarësisht se llapaqen apo imoral, do kryejë punën. Nuk e zgjodhe për aleat në politikë. E zgjodhe për shkencëtar në biznes. Por ta zgjedhësh për aleat në politikë me koshiencë të plotë një hajdut, është krejt tjetër gjë. Është më terr e më tmerr se një oqean i derdhur, një planet i përmbysur, një qiell i grisur. Nga pafundësia e cilësive të njerëzve të vlefshëm për t’i pasur aleatë në politikë, për më tepër në prag zgjedhjesh parlamentare, ndër cilësitë karakteriale, e vetmja absolutisht e papranueshme është 1 dhe vetëm 1, të qenët hajdut. Po qe hajdut, je të gjitha të zezat: tradhtar, i pabesë, spiun, ngatërrestar, i pabindur, i padisiplinuar, i paedukuar, i paqytetëruar dhe të gjitha tmerret e tjera që ka jeta dhe bota. Aleat dhe hajdut, duket si Kalë Troje në folenë e vet, në vatrën e vet, në shtëpinë e vet, që vjen si dhuratë ditën, hap barkun natën, dalin djemtë e katundit, therin vëllezërit e vet.
Turpi i madh i aleatit hajdut është i thurur me mentalitet të qartë spiunllëku diktatorial prej Sigurimi, të cilin e thirri Partia, i tha: “Dëgjo këtu shoku spiun. Atdhjeu në rrezik. Vodhe-çvodhe, të harruara. Na duhesh. Dil e bërtit me sa të kesh në kokë dhe gishta në vesh, për të mirat që na vijnë nga shartimi i thikës prapa shpinës me helmin në filxhanin e kafes. More vesh? Mora, thuaj”! Ta bësh, ta shpallësh, të shpenzosh, të mburresh, se ke bërë aleat një hajdut, kjo, mor ta marrsha, s’ka asnjë bythë ku të rrijë, asnjë logjikë ta pranojë, veshë ta dëgjojë, sy ta shohi, gjumë ta ëndërrojë, çmenduri ta fantazojë. Megjithatë, po ndodh. Pa u ndalur për asnjë çast. Ditën për diell. Natën për hënë. Rrotull mangallit. Mbi oturakun. Në mes të banakut. I lumtë zagarit që ia vuri syrin aleatit hajdut, duhet dekoruar. Të shpërblehet banditi që e gjeti monstrën me shumë kokë. Vetëm njërën e ka të hajdutit. I falet. Hajduti e fal hajdutin.
Të tjerat i ka si ato që na duhen. Si të Churchillit, De Golit, Makiavelit, Stalinit, Fidel Kastros, Kurvit, Mao Ce Dunit, Ajatollahut, Trumpit. Hajduti aleat në fjalë s’është ndonjë shkencëtar me nam në fushën e viruseve që prodhohen në laborator, vaksinave, apo mbjelljes së jetës në plantin Mars, që të thuash se ia vlente edhe nëse jo fort i përshtatshëm. Një gagaç i djersitur është. Asgjë tjetër. Rrahin ta paraqesin aleatin hajdut si denoncues, si dëshmitar. Pika që s’u bie. Turku ndalonte me ligj daljen dëshmitarë të mësuesve, pa le të hajdutave. Të shpresosh të fitosh zgjedhjet me ndihmën e një aleati hajdut – më kollaj pushton Parisin me një çetë halabakësh me në krye Haxhi Qamilin. Ta bësh hajdutin star televiziv – krejt njëlloj sikur ta çosh Mandin e Nishtullës në Eurovizion. Të vish në pushtet me hajdutin aleat – më kollaj ngre nga varri gjithë të vdekurit e Sharrës. Mund të fitosh me burra trima, idealistë, patriotë.
Ndonjëherë edhe me langaraqë dhe frikacakë, por kurrën e kurrës me hajduta. Më kollaj e bën gjelin të pjelli vezë dhe e ndal rrotullimin e tokës, se të fitosh me hajduta. Të bësh aleatë dhe ti ngresh në piedestal hajdutat, është hiç më pak se hedhja në plehra, flakja në kosh, shkelja me këmbë, braktisja përgjithmonë, përdhosja, varrosja përfundimisht e parimeve më elementare të ekzistencës. Me kushte të caktuara, hajduti bëhet aleat i Drejtësisë, por kurrë i politikës apo medias. Nëse ndodh, kot llafosemi, lëshoi pe balonës, sa kohë globi do rrotullohet, hajdutat do vjedhin.