Aleatët e PD të vendosur: nuk ka zgjedhje me Ramën

Partitë aleatë të Partisë Demokratike, të bashkuar në çadrën e protestës së opozitës deklaruan dje se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit pa u dhënë më parë garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Janë plot 27 parti opozitare që u shprehën njëzëri të vendosura, se me Ramën kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, shkoi dhe më tej kur tha se nuk janë vetëm partitë opozitare që nuk pranojnë farsën elektorale që tenton të përgatisë Rama, por janë dhe gjysma e partive të koalicionit kundërshtar që kanë dalë kundër tyre. “Çfarë po ndodh. Më shumë se gjysma e spektrit politik, nuk është i regjistruar. Gjysma e gjysmës tjetër deklaron se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet farsë, çfarë ka mbetur. Kanë mbetur vetëm ata, të cilët si shpresë të fundit, nga populli që i kanë vrarë edhe shpresën, shpresojnë t’i vjedhin edhe votën. Ka vetëm një rrugë, rruga e qëndresës. Aq më tepër nuk mund të falë fitoren, ai që e ka të sigurt humbjen”, tha Dule.

Aleatët

Fatmir Mediu kryetari i Partisë Republikane në fjalën e tij, përsëriti se qëndresa bëhet në respekt të atyre shqiptarëve që sakrifikuan veten dhe familjet e tyre për votën e lirë. “Në respekt të atyre miliona shqiptarëve që kontribuan për, anëtarësimin e vendit në NATO dhe liberalizimit të vizave. Si asnjëherë tjetër në Shqipërinë pluraliste të këtyre viteve, ne kemi një koalicion opozitar të të gjitha partive, me të njëjtën bindje që as karrigia e deputetit, as pushteti i njërës parti, duke filluar nga PD dhe të gjitha të tjerat nuk vlen sa shenjtëria e votës së çdo qytetari. Jemi këtu në respekt të qindra e mijëra të rinjve, që dëshirojnë që për herë të parë të shkojnë për të votuar”, tha Mediu. Idenë e tij do e përforconte më tej dhe kreu i LZHK Dashamir Shehi, i cili tha se rruga e qëndresës është rruga më e vështirë, por ama askush të mos harrojë sipas tij, se kjo është dhe rruga e lirisë dhe dinjitetit. “Sot, kemi marrë një vendim, që është i paprecedentë në historinë e Shqipërisë. Jo të kontestojmë zgjedhje pas zgjedhjeve, por të mos hyjmë në zgjedhje në rast se nuk janë zgjedhje. Dikush mund të thotë sot, “ore çuna i keni hyrë një rruge pa krye”. Unë them që ne e dimë rrugën tonë, ne i kemi hyrë rrugës së lirisë”, u shpreh Shehi. Për kreun e PAA, Agron Duka, nuk ka pikë dyshimi se zgjedhjet e ardhshme do të vidhen nga ky kryeministër, dhe kjo s’duhet lejuar në asnjë lloj forme. Duka do shprehej se, “Një kryeministër në një emision televiziv kur pyetet se Shqipëria është e tëra e mbjellë me kanabis, dhe thotë se çfarë lidhje ka kanabisi me zgjedhjet, nuk besoj dhe nuk mendoj se mund të na çojë në zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Zgjedhjet

Çdo gjë ishte e qartë në tubimin e djeshëm. Zgjedhjet e 18 qershorit me Ramën janë të rrezikuara dhe aleatët e Partisë Demokratike, janë të qartë sa vetë ajo se ato nën këtë frymë nuk mund të zhvillohen.  Nuk mund të zhvillohen nën një frymë ku mbizotëron krimi dhe droga, nuk mund të zhvillohen nën një pushtet që vetëm respekt për votën e lirë nuk ka. Të hysh në zgjedhje me këtë qeveri, siç pohuan aleatët është t’i legjitimosh vjedhjen, të legjitimosh të gjitha zullumet, vjedhjet apo trafikun që ajo ka përkrahur në këto katër vjet. Të hysh në zgjedhje, me Edi Ramën arbitër do të thotë, një tjetër Parlament me kriminelë, trafikantë droge dhe prostituash, dhe një katër vjeçar edhe më i zi për shqiptarët. Jo vetëm PD, por edhe aleatët e saj u shfaqën të bindur se vetëm me një qeveri teknike, që të presë lidhjet e krimit me pushtetin dhe intimidimin e votës, mund të sjellë ndryshimin e premtuar dhe aq të pritur nga qytetarët e këtij vendi.

Mediu: Asgjë nuk vlen sa shenjtëria e votës

Jemi sot të gjithë këtu në respekt të qindra e mijëra shqiptarëve, që gjatë diktaturës komuniste sakrifikuan veten dhe familjet e tyre, për të drejtën e votës. Jemi sot këtu në respekt të atyre studentëve të “Lëvizjes së Dhjetorit” që u çuan për Shqipërinë evropiane, që ndërtohet nëpërmjet votës së lirë. Jemi sot këtu në respekt të përkushtimit dhe angazhimit të miliona shqiptarëve për ta bërë Shqipërinë vend anëtar të NATO. Të miliona shqiptarëve që u angazhuan në luftën tonë për liberalizimin e vizave dhe për t’u afruar në BE. Jemi këtu në respekt të gjithë shqiptarëve, që duan një Shqipëri evropiane. Që nuk e presin nga një njeri, por nga forca dhe bindja e tyre, që vota, angazhimi dhe dinjiteti i tyre qëndron mbi gjithçka, mbi çdo pushtet mbi çdo politikë. Si asnjëherë tjetër në Shqipërinë pluraliste të këtyre viteve, ne kemi një koalicion opozitar të të gjitha partive, me të njëjtën bindje, që as karrigia e deputetit, as pushteti i njërës parti, duke filluar nga PD dhe të gjitha të tjerat nuk vlen sa shenjtëria e votës së çdo qytetari. Jemi këtu në respekt të qindra e mijëra të rinjve, që dëshirojnë që për herë të parë të shkojnë për të votuar. Të votojnë për të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre, që besojnë tek vetja e tyre. Dhe nuk mund të besojmë që ëndrra e tyre të thyhet nga qeverisja apo krimi, trafiku dhe droga. Ne jemi këtu për t’i dhënë shpirt, kurajo atyre njerëzve, të cilët duan të ardhmen e tyre.

Shehi: Kjo është rruga e vetme drejt lirisë

Kam vetëm dy fjalë se siç e shihni jemi shumë. Sot, kemi marrë një vendim, që është i paprecedentë në historinë e Shqipërisë. Jo të kontestojmë zgjedhje pas zgjedhjeve, por të mos hyjmë në zgjedhje në rast se nuk janë zgjedhje. Dikush mund të thotë sot, “ore çuna i keni hyrë një rruge pa krye”. Unë them që ne e dimë rrugën tonë, ne i kemi hyrë rrugës së lirisë. Dhe gjykoj që sido të jenë pushtetet, karriget eksperiencat, unë i kam provuar thuajse të gjitha nuk ja vlen më shumë se sa sensi i lirisë, i dinjitetit personal i dinjitetit kolektiv. Nga ky forum politik, quajeni një agorë qytetare se këtu kanë të drejtë të flasin të gjithë, do i drejtohem dhe kolegëve të mi të partive të tjera, të cilët jo në mënyrë hileqare, por për interesa të momentit, ose inate të vjetra, për sherret që kemi me njëri-tjetrin kanë pranuar të hyjnë. Keni kohë për t’u kthyer, keni kohë për t’u bërë bashkëudhatëre të një rruge që është vërtet shumë e vështirë, që është malore, por jam i sigurtë që do ia dalim. Karrigen, pushtetin nuk e kemi trashëgim prej baballarëve. Ja kemi borxh kalamajve tanë, ndaj dhe duhet me ja kthy kalamajve tanë, se ja kemi marrë borxh, nuk na takon ne të shpërdorojmë lirinë, ambjentin asgjë.

Dule: Treçereku i shqiptarëve s’besojnë tek zgjedhjet me Ramën

Jemi këtu në një tubim të paprecedent në realitetet tona politike. Atëherë hodhën tezën, “kush ka ndërmend të rrijë në tendën që ngriti opozita”. Disa ishin më zemërgjerë dhe i jepnin lëvizjes për votën e lirë, dy apo deri tre javë jetë. Po ja ku jemi sot, ka kaluar një muaj, po afron i dyti. Përditë e më shumë qytetarë po i afrohen kauzës së votës së lirë. Përditë e më i fortë dëgjohet zëri i opozitës, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në komunitetin ndërkombëtar. Sot, skadon afati i partive politike për zgjedhjet. Çfarë po ndodh. Më shumë se gjysma e spektrit politik, nuk është i regjistruar. Gjysma e gjysmës tjetër deklaron se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet farsë, çfarë ka mbetur. Kanë mbetur vetëm ata, të cilët si shpresë të fundit, nga populli që i kanë vrarë edhe shpresën shpresojnë t’i vjedhin edhe votën. Ka vetëm një rrugë, rruga e qëndresës. Aq më tepër nuk mund të falë fitoren, ai që e ka të sigurt humbjen. Mos prisni nga zoti Rama, që mbolli stuhi në ekonomi në shoqëri, në politikë, të tregohet racional. Duhet të jemi të përgatitur për irracionalitetin ekstrem. Me maturinë tonë, me vendosmërinë tonë, me civilizimin që si asnjëherë tjetër ka karakterizuar këtë lëvizje mbarë shoqërore, të shkojmë drejt zgjedhjeve të ardhshme, atëherë kur ato do të mbahen të lira të ndershme, demokratike dhe do të prodhojnë një qeveri, e cila do të vijë nga shqetësimi dhe preokupimi qytetar për t’i zgjidhur ato. Urime dhe me fitore.

Duka: Një kryeministër që mohon drogën s’mund t’i besohen zgjedhjet

PAA i ka dhënë fjalën gjithë bllokut opozitar, i ka dhënë fjalën të gjithë ju, të gjithë popullit shqiptar, se do jetë qëndrestare deri në fund për arritjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Natyrisht nuk është e lehtë të japësh fjalën, duhet të mendohesh gjatë, nëse ke të drejtë apo jo. Ne mendojmë se kemi të drejtë dhe prandaj e dhamë fjalën. Pra, nëse ndonjë e ka merak këtë punë duhet ta dijë se ky është meraku i fundit. Natyrisht, duhet përkrah një pjesë e mazhorancës që nuk mund të bëhen pjesë e zgjedhjeve farsë. Por unë gjykoj që ne duhet t’i bëjmë hyzmetin vetes, nuk duhet të pranojmë kurrë të realizohen zgjedhje të tilla. Një kryeministër në një emision televiziv kur pyetet se Shqipëria është e tëra e mbjellë me kanabis, dhe thotë se çfarë lidhje ka kanabisi me zgjedhjet, nuk besoj dhe nuk mendoj se mund të na çojë në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ju uroj fitore dhe suksese.

Exit mobile version