Trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri, ka konfirmuar dënimin për mbrojtësin Leonardo Bonuçi gjatë konferencës së djeshme për shtyp në kuadër të ndeshjes së Ligës së Kampionëve ndaj Portos. “Bonuçi do të jetë në tribunë për këtë ndeshje. Kjo nuk do të thotë se e kemi zmadhuar ngjarjen, por në respekt të tifozëve dhe duke marrë ‘OK’-in e klubit, kam marrë këtë vendim. Dua të sjell në vëmendje që edhe unë nuk kam bërë sjellje të mirë dhe për këtë gjë do të mbaj përgjegjësi duke bërë një donacion gjatë javës së ardhshme. Duhet të kemi parasysh që këto vendime merren për të dhënë një shembull të mirë te fëmijët që na ndjekin”, është shprehur Alegri.
Ndërkohë, Fiorentina me shumë mundësi do ta humbasë Paulo Souzan për sezonin e ardhshëm. Raportet mes trajnerit portugez dhe drejtuesve nuk janë aq të mira, ndërsa edhe kontrata që skadon në qershor nuk duket se do të rinovohet. Wolfsburgu është ekipi që po insiston më shumë për ta marrë për sezonin e ardhshëm 46-vjeçarin, i cili mund të zgjidhë problemet e klubit gjerman. Sousa është në sezonin e tij të dytë te Fiorentina dhe jo pak herë ka patur përplasje me klubin për merkaton dhe rezultatet e skuadrës.