“Juve bëri një pjesë të parë të mirë, duke luajtur me agresivitet. Por në të dytën u dorëzuam, pësuam një gol në kundërsulm. Mendonim se do të merrnim me vete në shtëpi 3 pikët, por nuk ndodhi. Kemi pësuar dy gola në Bergamo, me Torinon dhe u dorëzuam me Romën. Duhet të fitojmë agresivitetin brenda së mërkurës dhe pastaj për ndeshjen me Krotonen, ku duhet ta mbyllim përfundimisht çështjen e titullit. Mjaftonte që të tregoheshim të saktë dhe të mos toleronim në situatat ku pësuam golat. Në përplasjet direkte mund të ndodhë gjithçka. Unë nuk i kisha bërë llogaritë në kalendar me Napolin dhe Romën, duhen bërë pikët me skuadrat e tjera, me Krotonen. Duhet që në ndeshjen e radhës të ruajmë qetësinë dhe të korrigjojmë atje ku kemi gabuar. Ndeshjen e kishim në dorë gjatë pjesës së parë”, tha trajneri i Juventusit për mikrofonat e “Sportmediaset”.
“Finalja e Ligës së Kampioneve është pas një muaji. Ne mendojmë për Kupën e Italisë dhe kampionatin dhe nuk do të jetë e lehtë. E ulëm vigjilencën në fazën mbrojtëse. Në këto ndeshje duhet të japim më të mirën. Në pjesën e parë jua dhuruam atyre topin. Kuadrado gjatë pjesës së parë bëri një ndeshje të mirë. Por në të dytën ata na morën topin dhe na shënuan gol. Lemina bëri një ndeshje të mirë, shënoi gol dhe është lojtar i besueshëm. Jam i kënaqur nga ajo që bëri. Skuadra luajti mirë në 45 minutat e para dhe duhet të ringremë antenat për të mërkurën. Markizio është rikuperuar si Dibala. Nuk gabova me rotacionin. Gjatë tri muajve të fundit e kam bërë gjithnjë, por thjesht duhet të tregoheshim të kujdesshëm”, përfundoi Alegri.
5 gola për fitoren e 3-të radhazi dhe të 5-tën në 6 ndeshjet e fundit të Serisë A. Ishte një Napoli me 5 yje ai që zbriti në fushë në stadiumin “Olimpico” të Torinës. Formacioni i Sarrit triumfoi 0-5 duke i shkaktuar, ekipit të Mihajloviç humbjen më të rëndë në shtëpi gjatë këtij sezoni. Të kaltërit i zhbllokuan shumë shpejtë shifrat. Jose Maria Callejon, hapi serinë e golave në minutën e 7-të. Napoli ishte super në këtë sfidë dhe në të 60-tën, e çoi në 0-2 rezultatin falë golit të Lorenzo Insignes. Me një Torino pa objektiva dhe që luante vetëm për të çuar Andrea Belottin te goli, miqtë shënuan edhe të tretin duke hipotekuar në të 72-tën me belgun Dries Mertens. Në harkun e 60 sekondave në të 77-tën dhe 78-tën, Napoli realizoi dhe dy herë të tjera sërish me Callejon, por edhe Zielinskin për shifrat përfundimtare 0-5.
Pas fitores ndaj Interit u rikthye me këmbë në tokë, Genoa që u mposht në “Renzo Barbera” nga Palermo, me skuadrën e Juriç që tashmë rrezikon mbijetesën. Golin e fitores për skuadrën siçiliane e realizoi Rispoli.