Alegri: Interi, i vështirë

Falë merkatos, golave të Higuain formës së Pjaniç e forcës që ka shfaqur në kampionat, në Itali janë të shumtë ata që pyesin se në cilin muaj do të fitojë sërish titullin Juventusi. Bardhezinjtë përballen në javën e katërt të Serisë A me Interin dhe trajneri Alegri nuk heziton ta konsiderojë një sfidë vendimtare për sezonin.
“Ky është udhëkryqi i parë i titullit. Do të gjejmë një Inter të fortë dhe fitorja do të ishte një goditje e bukur. Në një kampionat ndodhin 3 apo 4 momente, ku nëse merr tre pikët mund t’i japë një shtysë sezonit, dhe kjo ndeshje është një nga ato. Të vetmit që do të luajnë me siguri janë Lihtshtejner dhe Khedira, do të ketë ndonjë ndryshim, pasi luajmë çdo tre ditë”.
Trajneri i Juventusit kërkon përqendrim pas barazimit me Sevillan në Champions, ndërsa hedh poshtë spekulimet se këtë sezon bardhezinjtë janë të fokusuar vetëm në Europë.
“Objektivi ynë parësor është titulli i 6 radhazi. Do të ishte diçka e jashtëzakonshme e legjendare. Championsi është ndryshe, pasi vendosin episodet. Për këtë arsye nuk duhet që kurrë të mos harrojmë objektivin tonë kryesor, titullin kampion. Këtë vit për ne do të jetë më e vështirë, pasi skuadrat e tjera janë përforcuar”.
Juventusi vjen si favorite në përballjen me zikaltërit, por ndoshta edhe për të evituar presionin, Alegri nuk është i të njëjtit mendim.
“Që jemi favoritë e thoni gjithmonë ju gazetarët. Por e dimë që Interi nuk është ai që pamë në Europa League e madje as në Pescara. Do të kenë grintën për t’u shfaqur të barabartë me Juventusit”.
Trajneri i kampionëve të Italisë nuk e përjashtoi mundësinë që Higuain dhe Manduzkiç të luajnë njëkohësisht, pasi me ta mund të luajë paksa më i tërhequr dhe Dybala.

Exit mobile version