Edhe pse pritja ishte emocionuese, trajneri Masimiliano Alegri kërkoi që ta mbajë lart përqendrimin e Juventusit, duke i mbajtur një fjalim skuadrës pikërisht në momentin e hedhjes së shortit, në njërën prej fushave të stërvitjes në “Vinovo”. Kjo ishte një mënyrë për të treguar se pas mrekullisë ndaj Barcelonës, sivjet asgjë nuk është e pamundur për “armatën” e tij, ndonëse natyrisht që me të mbaruar fjalimin e tij, skuadra e ka mësuar lajmin se rivali i radhës do të jetë Monako.
Vetë “arkitekti” i Juves ka dashur të ndajë dhe të komentojë me më shumë se 301 mijë ndjekësit e tij në Twitter shortin e Nionit, në të cilin paralajmëron kujdes: “Nuk është në kulturën e Juventusit që të nënvlerësojë një kundërshtar, qoftë edhe të çfarëdoshëm, imagjinoni një gjysmëfinaliste të Champions-it. Prandaj kush mendon se e kemi të garantuar finalen gabon, pasi për të hedhur edhe një tjetër hap të sigurt nevojitet përqendrim maksimal”.
Konteksti i “përqendrimit” lidhet edhe me faktin se Dibala me shokë duhet të mbyllin sa më shpejt edhe kampionatin, duke parë se takimet me Monakon paraprihen nga dueli me Atalantën dhe derbin me Torinon, ndërsa në mes të të dyve luhet dueli direkt me Romën.
Ndërkohë, Juventusi gjen kohë edhe për të menduar për merkaton. Pa përfunduar ende ky sezon, në të cilin Juventusi lufton për Champions League, kampionat dhe Kupë Italie, klubi bardhezi ka zyrtarizuar blerjen e radhës për sezonin e ardhshëm. Bëhet fjalë për Rodrigo Bentancur, mesfushor 20-vjeçar argjentinas, i cili ka firmosur një kontratë me kampionët e Italisë deri në vitin 2022. Betancur ka tërhequr vëmendjen e klubeve europiane pas paraqitjeve të tij të mira me Boca Juniors, klub që përfitoi 9,5 milionë euro nga shitja e tij.