Alegri: Ndaj Napolit vendoset titulli

Massimiliano Alegri tenton të zbusë klimën e egër që ekziston në prag të supersfidës së javës së 30-të të Serisë A, Napoli – Juventus, që do të zhvillohet në “San Paolo”. 49-vjeçari thekson se ka ardhur momenti që Italia e futbollit të tregojë një tjetër kulturë sportive. “Juve është mësuar me sfidat ndaj skuadrave që kundër nesh luajnë ndeshjen e vitit. E gjithë bota do ta ndjekë këtë takim, dhe besoj se tifozët vendas do të tregohen korrektë. Do të përballemi dy herë brenda tre ditëve me Napolin, një shans ky për të treguar se kemi nisur një rrugëtim me një kulturë sportive disi ndryshe”, u shpreh Alegri.
Aleri komentoi edhe rikthimin e Gonzalo Higuain si kundërshtar në Napoli. “Është normale që tifozët napolitanë në fillim do ta duartrokasin e më pas do ta vërshëllejnë. Po Higuain është shumë i qetë. Ai ka bërë një zgjedhje profesionale dhe duhet respektuar”, tha ai.
Muaji prill do të jetë periudha kyç për objektivat e bardhezinjve, me Alegrin që si gjithmonë gjykon me qetësi. “Këtë të dielë ndaj Napolit luhet një pjesë e rëndësishme e titullit në Serinë A. Më pas, kemi finalen e Kupës së Italisë dhe përballjen e dyfishtë me Barcelonën në Champions. Duhet t’i përballojmë me shumë qetësi këto takime shumë të rëndësishme për objektivat tanë”, tha Alegri. Në fund, trajneri i Juventusit përgëzoi homologun e tij të Napolit, Maurizio Sarri për çmimin e pankinës së artë, duke theksuar se e ka merituar plotësisht.

Artikulli paraprakE mposhtim Juven
Artikulli tjetërItalia, Franca, Portugalia e Spanja në Copa America?