Kriza e rëndë politike në Shqipëri dhe tensionet në Maqedoni kanë detyruar ministrin e Jashtëm italian, Angelino Alfano që të thërrasë në një takim ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit. Në Ballkan ka shenja të përkeqësimit të marrëdhënieve midis vendeve. Është ky shqetësimi që ka ngritur ministri i Jashtëm italian, Angelino Alfano teksa ka njoftuar se pikërisht për shkak të këtyre tensioneve do të zhvillojë një takim të ministrave të Jashtëm të Ballkanit më 27 maj. Ministri i Jashtëm i Italisë, Angelino Alfano ka thirrur në një takim ministrat e Jashtëm të Ballkanit në lidhje me procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor për të kontribuar në lehtësimin e tensioneve rajonale pas krizave në Maqedoni dhe Shqipëri. “Zhvillimet shqetësuese në Maqedoni dhe kriza politike në Shqipëri janë shenja serioze të përkeqësimit të marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjatë ditëve të fundit në Maqedoni dhe në Shqipëri ka pasur sinjale të forta të mosmarrëveshjeve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duhet t’i ndihmojmë këto vende në mënyrë që ato të çojnë përpara procesin e integrimit rajonal”, deklaroi Angelino Alfano. “Një nga zonat ku kohët e fundit kemi intensifikuar kontrollin dhe vëmendjen është gadishulli i Ballkanit. Gjatë ditëve të fundit, veçanërisht (dhe këtu mendoj për zhvillimet në Maqedoni dhe krizën politike në Shqipëri), janë regjistruar sinjale të forta të mosmarrëveshjeve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Alfano theksoi se në këtë fazë BE duhet të ndalet tek perspektiva e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Duhet t’i ndihmojmë këto vende në mënyrë që ato të çojnë përpara procesin e integrimit rajonal”, shtoi ministri i Jashtëm italian. Sipas Alfanos, kohët e fundit në Ballkan është shënuar rigjallërim i retorikës nacionaliste dhe euroskepticizmit, me një ndikim negativ jo vetëm në dinamikën e brendshme politike, por edhe në marrëdhëniet ndërshtetërore në rajon. Maqedonia është përfshirë prej disa muajsh në një krizë të thellë politike, e cila kulmoi pak ditë më parë me dhunë në Kuvend. Ndërsa në Shqipëri pas bojkotit të opozitës është bllokuar reforma në drejtësi, ndërsa PD ka deklaruar edhe mospjesëmarrjen në zgjedhjet në Kavajë dhe më 18 qershor”.