E nisi kompeticionin me petkun e një prej skuadrave favorite për t’i shkuar deri në fund turneut, por pas 2 ndeshjeve të para në grupin B, Algjeria e yjeve si Mahrez, Slimani, Brahimi e Ghoulam është pothuajse e eliminuar nga ky edicion i Kupës së Afrikës. Në ndeshjet e raundit të dytë në grupin B, Dhelpërat e Shkretëtirës u dorëzuan me shifrat 2-1 përballë Tunizisë që regjistroi fitoren e parë, ndërkohë që Senegali e pati të lehtë, pasi kaloi po 2-0 Zimbabven, duke u kualifikuar matematikisht në çerekfinale si kokë grupi. Në Franceville pas një pjese të parë më të mirë të Algjerisë që iu afrua avantazhit fillimisht me Slimanin dhe më pas me Mahrez, ishte një autogol i Mandi në të 50-ën pas goditjes së Msakni që i dha epërsinë Tunizisë, duke shokuar Dhelpërat e Shkretëtirës.
Formacioni i trajnerit polak, Kasperczak, dyfishoi shifrat në të 64-ën. Gjithçka për faj të mbrojtësit të Napolit Ghoulam, që gaboi në kthimin e topit pas me kokë, duke shkaktuar 11-metërsh ndaj Khazri-t. Nga pika e bardhë, Sliti nuk gaboi për avantazhin e dyfishtë të Tunizisë. Goli i Hanni në të 91-ën nuk i shërbeu shumë Algjerisë që pësoi humbjen e parë në Kupën e Afrikës. Skuadra e momentit në këtë kompeticion është padiskutim Senegali. Formacioni i trajnerit Cisse ruajti portën të paprekur edhe në takimin ndaj Zimbabve-s. 9 minuta i mjaftuan Senegalit për të zhbllokuar shifrat gjithçka për meritë të dy yjeve të ekipit.
Një gjuajtje kros e Balde Keita u devijua në rrjetë nga talenti i Liverpoolit, Sadio Mane. Në të 14-ën Senegali mbylli llogaritë me Zimbabven, për meritë të Saivet që ekzekutoi mjeshtërisht një goditje standarde, tashmë ndeshjen e fundit ndaj Alegjerisë luanët nga Afrika Perëndimore do të luajnë thjeshtë për statistika.