Ali Pasha në letërsinë, artin dhe skenat e teatrit botëror

Nga dr. Irakli Koçollari/ “ExLibris”

NJË PERSONAZH LINDOR QË ËNDËRRONTE PERËNDIMIN

Ali Pasha është ndoshta personazhi historik shqiptar më i lëvruar në gjininë e letrave, artet figurative, skenat e muzikës dhe teatrit botëror. Sigurisht e tërë kjo vëmendje e krijuesve të letërsisë, muzikës dhe artit pamor europian dhe më gjerë nuk ishte rastësi. Ajo nuk u imponua as me forcën e diktatit, autoritetin e pushtetit, e aq më pak me censurën.

Po çfarë i shtyu kaq shumë artistë dhe krijuesit europianë, madje ata më në zë, që kishte kultura europiane e kohës, ata britanikë, francezë, italianë, gjermanë, rusë, suedezë, danezë, etj., të krijonin, botonin, vinin në skenë apo krijonin tablo mbresëlënëse për këtë tepelenas, të lindur dhe rritur diku, në një krahinë pothuaj të panjohur të Perandorisë Osmane?

Qysh në fillim të ngjitjes së tij në pushtet, monarku tepelenas tërhoqi vëmendjen e europianëve. Shkak për këtë u bënë reformat e thella dhe përpjekjet e tij për fuqizimin e pashallëkut përmes kontrollit të rreptë dhe zgjerimit të territoreve, konsolidimin e sistemit të taksave mbi tërë popullsinë e zotërimeve të tij, rikthimi i rendit dhe sigurisë përmes operacioneve ushtarake, ndëshkimi dhe nënshtrimi i hajdutëve dhe brigandëve, vendosja e qetësisë dhe ligjit në të gjitha hapësirat urbane dhe rrugëkalimet ku qarkullonin mallrat dhe njerëzit, rritja dhe fuqizimi i potencialit ushtarak, aplikimi i një diplomacie aktive dhe largpamëse, etj.

Të gjitha këto e bënë këtë hegjemon faktor, subjekt dhe nismëtar të ndryshimeve radikale që do të pësonin në të ardhmen e afërt statuskuotë tradicionale politike dhe morale që dominonin popullsitë shqiptare dhe atë greke prej shekujsh. Nën hijen dhe mesazhet e tij domethënëse do të lindnin dhe ushqeheshin lëvizjet separatiste, ato sovraniste dhe nacionale tek të gjithë popujt e Ballkanit.

Nën këto reforma kurajoze, hegjemoni tepelenas do të kthehej shumë shpejt një prej aktorëve evidentë, i pranishëm dhe jo rrallë interlokutor në politikat, lëvizjet, aleancat dhe rrjedhat politike përtej kufijve të perandorisë Osmane.

Zhvillimet ushtarake në Europë dhe fushatat bonaparteske, synimet e tyre për ekspansion edhe drejt territoreve të Ballkanit jugor, kthyen dhe përqendruan edhe më tej vëmendjen ndaj këtij Veziri. Zbritja në Ishujt Jonianë dhe kërcënimi i divizioneve franceze më 1797, 1803 dhe 1809 u bënë përherë eminente për territoret e pashallëkut të Janinës dhe krijuan skena jo rrallë të përgjakshme dhe herë tensionesh të ngrira mes Pashait të Janinës dhe fuqisë ushtarake më të madhe të kohës, Francës.

Reagimi i britanikëve dhe nxitimi i tyre për të ardhur menjëherë në kontakte, aleanca dhe marrëveshje sekrete me Ali Pashën, shtuan edhe më tej vëmendjen ndaj Vezirit të Janinës dhe shqiptarëve të tij.

Konfliktet shekullore mes Rusisë dhe Perandorisë Osmane nxitën gjithashtu synimet, planet dhe ndërhyrjet e Rusisë për të shtuar kontaktet me Ali Pashën. Admirali Potjemkin dhe Ushakov morën kontakte të drejtpërdrejta me tepelenasin dhe shtruan idetë e bashkëpunimit dhe operacioneve të përbashkëta kundër Perandorisë Osmane.

Dinamikat dhe transformimet e thella politike dhe ekonomike, sociale dhe kulturore, diplomatike dhe morale, investimet në arsim dhe në dije, këmbimet e zgjeruara tregtare, informimi permanent me zhvillimet politike në Europë, përhapja dhe interesimi për doktrinat e reja filozofike dhe kulturore, idetë e iluminizmit francez dhe sistemet e reja politike që krijoheshin dhe gjallonin aso kohe nëpër Europë, u vunë në fokusin e vëmendjes të tepelenasit.

Sigurisht, ky hierark kish lindur dhe ish rritur në një botë të mbushur me ngarkesa të mëdha morale dhe kulturore që vinin nga një e kaluar e largët konservatore mesjetare, mbushur me besëtytni dhe zakone, doke dhe norma të trashëguara apo imponuara nga kohët dhe pushtuesit lindorë, me rrënjë tw thella që vinin ndesh përpjekjeve për ndryshim. Terreni ku çapitej ai ishte i mbushur me pasiguri, me krerë fisesh dhe brigandë në konflikte permanente, me një administratë të huaj që sillte përherë tensione, dhunë dhe autoritarizëm, në një skaj gjeografik që qëndronte mes lindjes dhe perëndimit, nën një sundim shekullor barbar dhe të përgjakshëm Osman.

Ali Pasha do të duhej të luftonte dhe mbijetonte mes asaj vorbulle komplekse troshitëse, që kërkonte kurajë për të kundërshtuar traditën rrënjëdalë mesjetare duke përdorur të gjitha ato mjete dhe mënyra që ofronte ajo kohë, mesjeta, shtrëngesat ligjore, kërcënimet, ndëshkimet, sanksione penale dhe financiare që ofronte Sherihati, apo traditat ligjore kristiane dhe ato kanunore.

Ai do të mbetej një nismëtar për ndryshime dhe transformime radikale në lëmi dhe fushat e ekonomisë, financave, mbrojtjes, kulturës, religjionit, urbanistikës, etj.,

Me atë kurajë unike, ai kërcënoi dhe ndëshkoi, ndërtoi aleanca me krerë fisesh të njohur, familje fisnikësh dhe deri brigandësh të njohur. Hartoi “Marrëveshje Paqeje dhe Mirëkuptimi” me kundërshtarë tradicionalë apo familje të fuqishme dhe të njohura nëpër krahinat e Arbërisë jugore dhe ato të Greqisë kontinentale. Përdori kërcënimin dhe dhunën ndaj të pabindurve, jo rrallë edhe ryshfetin, si një mjet efikas i pranuar institucionalit në strukturat e Perandorisë Osmane.

Por, ishte ky njeri që nuk nguroi të vështrojë me uri kah portat e civilizimit europian, që dëgjonte me kureshtje britmat e revolucionit francez, që debatonte me konsuj, diplomate dhe udhëtarë të huaj që vizitonin pashallëkun, doktrinat e reja të hartuara dhe të udhëhequra nga Robespierë dhe Maratë, nga Volterë dhe Zhan Zhak Ruso, Deni Didro, Xhon Lokë, etj.

PËRBALLË SYNIMEVE DHE KËRCËNIMEVE TË FUQIVE MË TË MËDHA TË KOHËS

Bashkë me to Ali Pasha do të duhej të përballej me synimet e fuqive më të mëdha të kohës, Rusisë, Francës dhe Britanisë, nën hijen kërcënuese të Portës së Lartë, të gjente rrugëzgjidhje, mekanizma, aleatë dhe ekuilibra delikatë. Brenda tij u mbart e fshehur me kujdes një ide e frikshme, por kurajoze, potencialisht me pasoja të rrezikshme. Idetë e para të nacionalizmit dhe shkëputjes prej Perandorisë. Ndoshta ajo ide dhe kurajë rebele, do të bëhej për këtë monark, i pari ndër popujt e Ballkanit, akti final i ndëshkimit të përgjakshëm të tij

Në atë botë me dinamikë të papërsëritshme, figura e Ali Pashë Tepelenës, në profilin kompleks, shumëdimensional të saj, u shoqërua nga akte dhe bëma unike, mbushur me ngjarje të papërsëritshme, me një diplomaci mbushur me kulisa, tensione, kurthe dhe pabesi të frikshme, me një politikë mbresëlënëse përballë autoritetit apo kërcënimeve të rrezikshme të fuqive me të mëdha të kohës, me operacione ushtarake të përgjakshme brenda apo në toka të largëta tej pashallëkut, me intriga dhe kërcënime perandorake osmane për të nënshtruar shpirtin rebel dhe separatist të Pashait tepelenas, me ngjarje të çuditshme humane dhe familjare që troshitën shpirtin njerëzor të atyre kohëve.

Pikërisht kjo figurë, Aliu tepelenas, shqiptarët e tij dhe murrlani mbresëlënës i shumë ngjarjeve që shoqëroi bëmat dhe dimensionet gjeografike të pashallëkut ku ai sundoi, befasoi dhe tërhoqi vëmendjen jo vetëm të politikanëve dhe ushtarakëve europianë, por edhe të krijuesve të shquar të letrave, penelit, partiturës dhe kulturës europiane në tërësi.

Shkrimtarë, gazetarë, publicistë, dramaturgë, më të njohurit e kohës, sikundër britaniku Lord Gordon Bajron, francezët Viktor Hygo, Aleksandër Dyma, Ibrahim Manzour Efendi (Samson Cerfbeer de Medelsheim), Jacob Salomon Bartholdy, etj.; Diplomatë dhe ushtarakë të njohur që shërbyen me misione të ndryshme në pashallëk sikundër, koloneli dhe konsulli britanik, William Martin Leak; Thomas Smart Hughes, David Richard Morier, francezi Hughes (Hugo) Pouqueville; konsulli dhe historiani francez, Francois Charls Hugues Laurent Pouqueville; Sir Thomas Gordon; Komisari Perandorak francez, Julien Bessieres; diplomati William Richard Hamilton, historiani Theodore Lyman; gazetari amerikan Edward Everet; ushtaraku britanik Richard Davenport; studiuesi dhe historiani John Cam Hobhouse; mjeku dhe historiani Sir Henry Holland, gazetari i njohur danez, Peter Oluf Brondsted, etj., janë vetëm një pjesë fare e vogël e numrit të madh të atyre që lanë vepra dhe krijime letrare, romane, novela, poema, artikuj gazetareskë, hartuan një dokumentacion arkivor të pafund, informacione, relacione, studime, raporte sekrete, për Ali Pashën dhe shqiptarët në tërësi.

Krahas tyre, Ali Pasha, oborri i tij, shqiptarët, peisazhet mahnitëse të vendeve ku jetonte ky popull, zakonet, veshja, vallet, këngët, luftimet dhe qëndresa e tyre, etj. u bënë objekt frymëzimi për shumë krijime në gjininë e pikturës. Kompozime në vaj, portrete, peisazhe, skena lufte dhe dashurie të botës shqiptare, i dhuruan botës europiane imazhe nga ky thesar i pafund për këtë popull dhe Arbërinë.

Piktori i njohur francez, Eugene Delacroix; piktori dhe shkrimtari Luis Dupre;  piktori Leon Zherom; arkitekti, arkeologu, shkrimtari dhe piktori i njohur britanik Charles Robert Cockerell; piktori britanik Joseph Cartwright; piktorët William Purser, Theodore Lyman, Davide Richard Norier, Luigi Ciampolini, Alphonse de Beuchamp, Ëilliam Eton, Charles Luis Muller, Paul Emil Jacobs, Camille Corrot, Beresford, G. de la Poer, etj., sollën një inventar të pafund veprash të botës shqiptare që edhe sot mbeten me vlera të papërsëritshme për artet figurative në tërësi dhe historinë e popullit tonë në veçanti.

ALI PASHA NË SKENAT E TEATRIT DHE OPERËS EUROPIANE

Por, jo vetëm në këta lëmij!

Ali Pasha mbetet, hë për hë, shqiptari për të cilin janë dedikuar më shumë krijime muzikore në raport me gjithë pararendësit, bashkëkohësit apo personalitetet e njohura shqiptare të kohëve moderne.

Ai u shfaqet përmes këtyre krijimeve, me profilin e tij kompleks mjaft atraktiv, befasues dhe pse jo miklues, për kompozitorët dhe gjer për krijuesit anonimë të këngëve popullore.

Kompozitorë, këngëtarë të njohur të muzikës operistike, skenaristë dhe regjizorë, të skenave me të dëgjuara europiane, krijuan dhe interpretuan vepra në zhanre të ndryshme të muzikës për tepelenasin befasues. Opera, melodrama, kantata, elegji dhe këngë të shumta pasuruan gjatë shekullit të XIX repertorin e krijimtarisë së shumë krijuesve të njohur duke pasur në qendër të veprave të tyre heroin e Janinës, Ali Pashë Tepelenën. Këto krijime nuk u prezantuan në teatro apo paradhoma provinciale, të panjohura, por në skenat më të mëdha dhe elitare të teatrit europian dhe atij botëror. Vetëm opera kushtuar këtij hegjemoni janë plot katërmbëdhjetë! Ato u interpretuan në:

“La Scala” e Milanos

“Royal Theatre”– Convent Garden i Londrës

“La Fenice” e Venecias

“Panorama Dramatique” e Parisit

“Theatre Comique” e Bostonit SHBA

“Park Theatre” e Nju Jorkut

“Theatre Lafayete” i Nju Jorkut

“De Rochefort” në Francë

“Teatro Vittorio Emanuele” i Torinos

“Teatro Regio” i Torinos

“Teatro Nuovo” i Padovës

“Royal Theatre” i Stokholmit

“Deutsches Theater” i Berlinit, etj.

Ndër veprat operistike më të njohura, që u mirëpritën me mjaft kureshtje dhe vëmendje nga publiku europian mund të renditen:

Opera lirike në tre akte “Ali Pacha, ou Jerome L’Enfle”, me libret të Francois Fougeray, e cila u vu në skenën e “Theatro Panorama” të Parisit, në Mars të vitit 1822, pak ditë mbas vrasjes së Ali Pashës. Autori ia dedikonte operën qëndresës heroike në çastet e fundit të rebelimit antiosman dhe vrasjes së Ali Pashës.

Në muajin Korrik të vitit 1822, pesë muaj pas vrasjes së Ali Pashës, u prezantua në sallën e njohur të teatrit historik të Parisit “Panorama – Dramatique”, melodrama në tre akte me titull “Ali Pasha”. Libreti u shkrua nga dy prej shkrimtarëve francezë më në zë të kohës, François Isaak Hyacinthe de Comberousse dhe Jean Michel Pichat. Pas suksesit në Paris, melodrama u prezantua më datë 2. 12. 1822 edhe në skenën e Roterdamit nën interpretues hollandezë.

Më 12 Tetor 1822, gati tetë muaj pas vrasjes së Ali Pashës, u prezantua në skenën e njohur historike të ”Royal Theatre – of Convent Garden” të Londrës,  opera “Ali Pasha or the Signet Ring” (“Ali Pasha apo unaza – vulë”). Libreti i operës ishte shkruar nga shkrimtari, dramaturgu, skenaristi dhe poeti i njohur amerikan John Hoard Payne.

Rolet kryesore u interpretuan nga artistët më të njohur të kohës, sikundër William Farren (Ali Pasha) – i vlerësuar si krenaria e tetarit të Londrës, Ema Sarah Love (që nënkuptonte Vasiliqinë), por që në skenë mbante emrin Helena, etj.

E njëjta opera “Ali Pasha or the Signet Ring” (“Ali Pasha apo unaza – vulë”), në vitin 1823 u luajt në skenën historike të “Park Theatre” të New Yorkut, nën drejtimin e dramaturgut të famshëm britanik James Robinson Planche.

Në vitin 1825 poeti dhe dramaturgu i njohur, ndoshta ndër më të mëdhenjtë e kohës së tij, francezi Jean Luis Nepomucene Lemersier shkroi në Paris, tragjedinë në gjashtë akte të titulluar “Les Martyres de Suliet et L’Epire Moderne”. Vepra e dramaturgut francez mbështetej kryesisht në botimet e Konsullit francez pranë Ali Pashës, Fransua Puqueville. Të gjithë personazhet e kësaj opere janë figura reale, pjesëmarrës në ngjarjet historike pashallëkut të Janinës dhe të rezistencës suljote.

Në vitin 1825 shkrimtari dhe skenaristi gjerman Theodor von Haupt prezantoi në teatrin e operas të Laipsigut melodramën me titull “Ali Pascha”.

Më 2 Janar të vitit 1827 u shfaq në Munster të Vestfalisë – Gjermani, opera romantike me një akt e titulluar “Ali Pascha von Janina” e kompozitorit të njohur gjerman, Gustav Albert Lortzing.

Më 3 Korrik të vitit 1827, në teatrin francez “De Rochefort” u luajt premiera e melodramës “La Mort d’Ali Tebelen, Pacha de Janina”. Autor i libretit ishte poeti dhe skenaristi i njohur i teatrit Eugen de Pradel. Opera ishte një tragjedi në tre akte, e cila njohu një sukses dhe u rivu në skenë për shumë kohë.

Më 11 Maj të vitit 1827, në “Teatrin Mbretëror” të Stokholmit – Suedi, u prezantua premiera e operës “Die Sulioten oder die Ubergabe von Suli…” (“Suliotët dhe rënia e Sulit – Një ngjarje nga luftimet për lirinë e Greqisë”)Libreti i operës ishte shkruar nga shkrimtari dhe kompozitori i njohur romantik suedez, Franz Adolf Bervald. Opera i dedikohej princeshës Josephina Maximiliana Evgenia, trashëgimtare e fronit mbretëror të Suedisë dhe Norvegjisë. Figura qendrore e operës ishte Ali Pasha dhe përballë tij Lambro Xhavella, babai i luftëtarit të njohur suliot Foto Xhavella.

Po këtë vit, 1827, në një nga skenat më të mëdha të teatrit të Nju Jorkut, “Lafayette Theatre” u shfaq premiera e melodramës së  titulluar “Ali Pacha or the greek struggle for liberty” e dramaturgut të njohur anglez Robinson Planche.

Në ditët e karnavaleve, në vitin 1838 u vu në skenën më të madhe të muzikës botërore, “La Scala” të Milanos, opera “Ali Pascia di Giannina”. Krijuesi i saj, ishte një prej figurave më të njohura të botës muzikore në Europë, Giovanni Galzerani, i njohur edhe si kompozitor, libretist, koreograf dhe interpretues. Dirigjent i orkestrës së madhe ishte Giuseppe Carlucci. Rolin e Ali Pashës e interpretonte Effisio Catte. Prima balerina në interpretimin e operës ishte balerina më e njohur e kohës në skenat e Europës, austriakja Fanny Essler, e cila kishte ardhur nga skena e Operas së Vjenës. Shfaqja pati një sukses të jashtëzakonshëm dhe qëndroi në skenën e “La Scala” për shumë kohë.

Në Prill të vitit 1843 u shfaq në skenën e njohur të teatrit “La Fenice” të Venecias, opera me titull “Ultimi Giorni di Suli” (“Ditët e fundit të qëndresës së Sulit”). Libreti i operës ishte shkruar nga Giovanni Peruzzini, ndërsa kompozitori i melodramës ishte kompozitori i njohur Giovanni Battista Ferrari. Ngjarja e operës zhvillohet në malet e Sulit në vitin 1803. Në skenë interpretuan disa nga këngëtarët operistikë më të njohur lirikë të kohës sikundër Fortunato Borioni, Almerinda Granchi, këngëtarja personale e mbretit të Prusisë dhe interpretuesja e parë e veprave të Donizzeti-t.

E njëjta vepër, u interpretua më 1857 në skenën e teatrit të Milanos, në Rijeka të Kroacisë, në Ferrara, në Piza, në “Teatro Vittorio Emanuele” të Torinos dhe disa vite më vonë edhe në “Tetro Nuovo” të Padovës.

Me muzikë të kompozitorit H. Sergent, me libret të shkrimtarëve të njohur Henri Fraconi dhe Henri Vilmot, me koreografi të baletmaestrit Bertoto, u shfaq në “Theatre du Cirque Olimpique” të Parisit, opera me titull “Suli ou les Suliotes”. Vepra i kushtohet rrethimit të Sulit nga repartet e Ali Pashës, në vitin 1792. Figurat kryesore të veprës janë Myftar Pasha, Llambro Xhavella, Foto Xhavella, Gjergj Boçari, Isuf Arapi, etj., të gjithë këta personazhe historikë pjesëmarrës aktivë në skenat e zhvillimeve politike në pashallëkun e Janinës.

Sigurisht, kjo figurë kaq komplekse, që tërhoqi vëmendjen e rretheve politike, diplomatike, ushtarake por edhe ato intelektuale të kohës, në Europë e më gjerë, me kurajën e tij për tu ngritur kundër një perandorie shumëshekullore të kohës, sikundër qe Perandoria Osmane, ngjalli interes të veçantë edhe tek popujt fqinjë ballkanikë. Kompozitorë, libretistë dhe këngëtarë të shumtë grekë krijuan dhe interpretuan vepra të shumta dedikuar këtij monarku që ngjalli shpresat e lirisë së popujve të robëruar me rebelimin e tij.  Krijimet e tyre u interpretuan pothuaj në të gjitha skenat e muzikës, dramës dhe teatrit grek në Athinë, Selanik, Janinë, Korfuz, Patra, e gjetkë.

Me siguri në fondet e panumërta të arkivave europiane duhet të ruhen edhe krijime të tjera për këtë hegjemon, ashtu sikundër jemi të bindur se vlera të tjera do të dalin në dritë për të dhe shqiptarët e asaj kohe.

Fotot në vijim janë vetëm disa nga afishet (postera) që ngjitesh në muret e qyteteve të Europës, në Paris, Londër, Berlin, Milano, Venecia, Stokholm dhe njoftonin shfaqet e operave për këtë shqiptar zulmëmadh. Me dhjetëra dhe qindra të tjerë ruhen në fondet e arkivave për t’i treguar qytetarit modern dimensionet befasuese dhe mahnitëse të këtij shqiptari mbresëlënës në histori.

ali2
“POT-PURRI”, ME TITULLIN “ALI PASHA…” SHFAQUR NE PANORAMA DRAMATIQUE NË PARIS, MË 1822
MELODRAME NE TRE AKTE  KUSHTUAR “ALI PASHES”
SHFAQUR NE PANORAMA DRAMATIQUE, NE PARIS
NE VITIN 1822, KOMPOZITOR CICERI, THIERRE-LUC-CHARLES
OPERA NE TRE AKTE “ALI PASHA” SHFAQUR NE TEATRIN E PARISIT
OPERA NE TRE AKTE “ALI PASHA” SHFAQUR NE TEATRIN E PARISIT
“VDEKJA E ALI-TEPELENES, PASHAIT TE JANINES”,
TRAGJEDI NE VARGJE, NE TRE AKTE,
SHFAQUR NE PARIS, ME 31 KORRIK 1827.
MELODRAME NE TRE AKTE,
SHOQERUAR ME BALET, TITULLUAR “ALI PASHA”
SHFAQUR NE PARIS, ME 9 KORRIK 1822.
OPERA KOMIKE ME NJE AKT “ARIU DHE PASHAI”,
SHFAQUR NE PARIS, ME 1820
 
TEATER KUSHTUAR ALI PASHES,
MBESHTETUR NE BOTIMIN E ALEKSANDER DYMASE,
SHFAQUR NE PARIS ME 1896
OPERA “ALI PASHA I JANINES”,
ME AUTOR GIOVANNI GALZERINI, SHFAQUR NE
VITI 1838, NE “LA SCALA” TE MILANOS
OPERA “MARTIRET E SULIT – EPIRI MODERN”
SHFAQUR NE PARIS, ME 1825
OPERA “SULIOTËT DHE RENIA E SULIT”,
SHFAQUR NË TEATRIN MBRETEROR TE STOKHOLMIT ,
ME 11 MAJ TË VITIT 1827.
MELODRAMA “ALI PASHA, UNAZA VULE”
SHFAQUR NË TEATRIN MBRETWROR,
NË LONDËR, MË 1828.
“ALI PASHA I JANINES”, PJESE NE GJASHTE AKTE,
INTERPRETUAR NE “TEATRO ALLA SCALA” TE MILANOS.
ARTIKULL PER ALI PASHEN SHKRUAR
NE GAZETEN PARISJENE “JOURNAL DES DEBATS”
ME 25 SHKURT 1822 
Exit mobile version