Alibeaj: Aksioni antikorrupsion i PD në të njëjtën valë me vendimet antikorrupsion të SHBA

Enkelejd Alibeaj: Pas 18 Dhjetorit, më të fortë, me SHBA në krah.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj e vlerësoi aksionin antikorrupsion të PD përmes nismave të saj parlamentare në një linjë me angazhimin e SHBA në luftën kundër korruposionit.

“Korrupsioni është simptoma kryesore, e cila shkatërron shtetin ligjor, jetën politike, institucionet dhe shoqërinë. I gjithë aksioni i SHBA është një riangazhim, një ritheksim i luftës ndaj korrupsionit. Ka qenë por tashmë me të gjitha aktet normative të nxjerra nga administrata Biden dhe aktet e tjera ekzekutive, ka një rikthim të fortë të vëmendjes në të gjithë rajonin, brenda të cilit jemi edhe ne. Aksioni i PD është në të njëjtën linjë në të njëjtën gjatësi vale me këtë betejë me korrupsionin me SHBA”.

Gjatë një interviste për News 24, zoti Alibeaj theksoi se SHBA janë një partner i pazëvendësueshëm dhe se linja proamerikane e PD nuk ka asnjë cedim. “Nuk jemi vetëm, jemi me SHBA në krah. SHBA na sheh si aleat dhe kjo është dhënie e një besimi të madh për PD dhe Lulzim Bashën”- u shpreh zoti Alibeaj., i cili foli edhe për zhvillimin e Kuvendit Kombëtar të PD më 18 Dhjetor dhe situatën e brendshme në parti. “Pas 18 Dhjetorit, do të jemi më të fortë, me SHBA në krah.” –thkesoi zoti Alibeaj. Më poshtë pjesë nga intervista e nënkryetarit të PD.

Pyetje: A është rastësi vizita e Escobar 2 ditë përpara Kuvendit të Berishës?

Enkelejd Alibeaj: Jo nuk është rastësi. Ai ka pasur një tur takimesh në rajon për shumë e shumë çështje, gjeopolitike, apo tensioneve të vendeve rreth nesh. Këtu ka ardhur edhe brenda kësaj suaze. I konsideron shqiptarët dhe PD-në jo thjesht si një mik, por si një aleat. Më lejoni t’jua citoj “si një aleat”. Dhe kjo është dhënie besimi i madh që i është dhënë PD-së, Lulzim Bashës në një lloj angazhimi kaq të madh për të gjithë vendin. Dhe z. Escobar e tha në fund mezi pres që z. Basha të vijë në SHBA.

Pyetje: U fol në këtë takim edhe për sanksione që SHBA do të kenë për më shumë se 50 njerëz në Ballkan të përfshirë në akte korruptive. Keni informacion se kush do të preket në Shqipëri?

Enkelejd Alibeaj: Do të ketë për ata që kanë dy pare mend në kokë dhe merret me politikë. Nga ajo që u deklarua në Kosovë, përtej emrave shihni se çfarë u “godit”, krimi i organizuar i përfshirë në vorbulla korruptive me pushtetin. Këtë lloj fenomeni do të godasin SHBA. Pyetja është: ky lloj fenomeni a është edhe në Shqipëri. A ka lidhje të krimit me pushtetin dhe ajo që i lidh është korrupsioni? Sigurisht që po. Shqiptarët e dinë dhe kanë prova, jo vetëm gjatë zgjedhjeve, por gjatë gjithë kohës që qeveriset nga ky pushtet ilegjitim. Siç ndodhi atje, besoj do të ndodhë në të gjithë rajonin.

Pyetje: Nëse goditet ndonjë nga aleatët tuaj historikë?

Enkelejd Alibeaj: Unë mendoj se tashmë i kemi vendosur piketat morale, t’i quaj. Siç ne thamë kohë më parë për fenomene non grata, Tom Doshi, Vangjush Dako, apo të tjerë, apo edhe në rastin e z. Berisha, këtu qasja është e qartë për këdo.

Pyetje: A keni informacion se z. Berisha do të ketë të tjera goditje përveç shpalljes non grata, nëse do të ketë ndaj tij sanksione të tjera?

Enkelejd Alibeaj: Në këtë aksion pothuaj gjysëm global të SHBA-së qëndrimi ynë përsa i përket PD është i qartë, mbështetje e fortë, pavarësisht sakrificave, në të mirë të vendit, Shqipërisë, rajonit për t’i dhënë fund zvarritjes së tranzicionit 30 vjeçar.

Pyetje: A i trembeni datës 12 dhjetor? A i trembeni mundësisë së një mësymje dhe rrethimi të selisë së PD-së siç kanë deklaruar të tjerë në këtë studio?

Kurrë demokrati kudo qoftë ai, nga tropojan ë Sarandë, nga Korça në Durrës e kudo tjetër , kurrë nuk ka menduar për asnjë moment të mësyjnë selinë. Ajo seli është seli e demokratëve. Hyjnë e dalin demokratë. Është shtëpi e madhe. Demokratët kanë tullën e tyre dhe është jashtë koncepti historia e mësymjes. Është tjetër gjë nëse jemi duke folur për historitë e shkarkimit. Jam fare i qetë për këdo. Një shtëpi ka rregullat e veta procedurale. Janë përdorur gjatë gjithë kohës, është instrumenti i vetëm nga ku kalon çdo demokrat i cili shpreh qortimin, pakënaqësinë e vet. Kuvendi i datës 18 është një kuvend legjitim, statutor, ku secili ka të drejtën e vetë të shprehë ato që mendon ai. PD është një, ka institucionet e veta. Demokratët dhe shqiptarët do të besojnë tek PD, tek kjo sigël e cila 4-5 muaj më parë në një betejë të padrejtë, me të gjithë shtetin kundër, me të gjithë bandat kundër, buxhetin kundër, arriti të marrë jo pak por 622 mijë zemra shqiptarësh donin të bënin ndryshimin.

Pyetje: A mund të jetë po kaq zemra demokratësh që do të mbushin Air Albania në 11 dhjetor dhe ndoshta do të duan ndryshimin?

Një parti ka rregullat e veta si funksionon, si organizohet, si bën zgjedhje, si respekton Statutin e vetë, edhe po të dojë të fillojë procedurat për ta nxjerrë qortimin, pakënaqësinë ndaj lidershipit, ka disa rregulla. Do të vazhdojë 11, 12, 18 dhe do të vazhdojë, një gjë është e sigurt, demokratët duhet të kthehen në një betejë, që ka vetëm një emër. Kundër Edi Ramës. Këto lëvizje PD-së i kanë sjellë një lloj shfokusimi, nuk e mohoj. E vetmja gjë e mirë e 11-ës pastaj vjen 12-a dhe demokratët paksa të shfokusuar dhe të turbulluar do të kuptojnë që sfida e vërtetë për ta është lufta ndaj regjimit. Tashmë me një risi, me SHBA në krah më fortë se sa më parë.

Exit mobile version