Një ditë pasi Zyra e OSBE/ODIHR-it bëri thirrje gjithë partive politike që të angazhohen për konsultime të hapura dhe gjithëpërfshirëse në përmirësimin e procesit zgjedhor, gjendja e Kuvendit sot ishte përsëri e njëjta: shumica socialiste miraton me shpejtësi brenda pak minuta ligjet e reja të programuara, nën protestën me zhurmues të një grupi deputetësh opozitarë, ndjekës të ish kryeministrit Sali Berisha dhe të drejtuesit të grupit parlamentar Gazment Bardhi.
Ata i kanë kërkuar Kuvendit që të ndryshojë përbërjen e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore për t’u përfaqësuar opozita më mirë në të, një përpjekje kjo për të larguar bashkëkryetarin nga Partia Demokratike, Enkelejd Alibeaj, për sa kohë që për më shumë 20 muaj ky komision nuk ka sjellë produkte dhe rezultate.
Ashtu siç bënë një javë më parë, adhe nesër ata kanë njoftuar se do të përpiqen të pengojnë nga fillimi mbledhjen e komisionit të reformës, të cilën e quajtën një farsë të njëanshme, që nuk përfill opozitën.
Bashkëkryetari nga Partia Demokratike i komisionit të reformës zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, hodhi poshtë si të pavërtetë komentet e zotit Gjiknuri se opozita po pengon reformën. Në një bisedë për Zërin e Amerikës, zoti Alibeaj theksoi se PD ka dorëzuar propozimet e saj për lista të hapura, Shqipëria një zonë zgjedhore, për votën e diasporës si dhe votim e numërim elektronik.
Ai shtoi se në komision çdo parti dhe fluks opozitar është i mirëpërfaqësuar, por mbetet angazhimi i përbashkët i opozitarëve për rezultate sa më të mira me reformën.
“Nuk po e pengon opozita reformën zgjedhore, por shumica refuzoi me mospërfillje gjithë propozimet e draftuara dhe të depozituara nga Partia Demokratike. Zoti Gjiknuri deklaroi hapur se “nuk pranojmë asnjë propozim nga Partia Demokratike. Komisioni i reformës si asnjëherë më parë ka një detyrim të madh, sepse këtë radhë nuk është vetëm detyrim politik, por janë detyrime që rrjedhin së pari nga rekomandimet e përsëritura të OSBE/ODIHR-it, së dyti vijnë edhe prej disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët e bëjnë të detyrueshme ndërhyrjen në Kodin Zgjedhor, përndryshe nuk ka, ose zgjedhjet do të jenë të pavlefshme”, thotë zoti Alibeaj.
Grupet e deputetëve që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e grupit Gazment Bardhi, që po përpiqen të largojnë zotin Alibeaj nga bashkëryesimi i komisionit të reformës zgjedhore, theksojnë se reforma zgjedhore është bllokuar qëllimisht prej 22 muajsh, ndërsa tani komisioni po mblidhet vetëm për fasadë.
“Ka një lojë të përbashkët të maxhorancës me një pjesë të deputetëve, që vunë në diskutim përbërjen dhe legjitimitetin e komisionit. Përfaqësoj Partinë Demokratike në bashkëkryesimin e këtij komisioni dhe aty PD me propozimet e saj mbron interesat e shqiptarëve për barazinë e votës, për votimin e diasporës, për listat e hapura. Për ne nuk është çështja nëse personalisht do të jemi më apo jo në sallën e Kuvendit. Deri tani nuk kam parë asnjë deputet të maxhorancës apo nga kjo pjesë e deputetëve opozitarë, që dashur padashur po pengojnë reformën zgjedhore, që të shprehen për çështjet që ka propozuar Partia Demokratike”, tha zoti Alibeaj.
Zoti Alibeaj kujton se Partia Demokratike ka sjellë propozime konkrete, pas një pune voluminoze, ndërsa një pjesë e opozitarëve ende nuk janë shprehur për to.
“Është i vetmi komision ku opozita dhe maxhoranca janë në kushte të barabarta. Duket hapur se maxhoranca nuk dëshiron ta bëjë reformën. Nevojën dhe vullnetin për të kryer reformën e kemi ne. Kemi edhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët po kërkojnë që të shtyhet përpara puna në komisionin e reformës. Ky është një rast që nuk duhet ta shpërdorojmë, sepse ashtu shpërdorojmë besimin e shqiptarëve”, tha zoti Alibeaj.
OSBE/ ODIHR bëri të ditur se ka marrë një ftesë nga parlamenti dhe ka ofruar mbështetje dhe ekspertizë teknike për të çuar përpara procesin e reformës. Në deklaratë cilësohen si përparësi kryesore të reformës: parandalimi i keqpërdorimit të burimeve publike dhe blerja e votave, sigurimi i fshehtësisë së votës, mbrojtja e lirisë së medias dhe rritja e efektivitetit të administratës zgjedhore./Marrë me shkurtime nga VOA