Alibeaj: Sa kohë ka një PD “pro” dhe një “kundër” SPAK-ut, bashkim nuk ka!

Shanset që grupimi në PD që njihet si “Rithemelimi” dhe ata që bëjnë pjesë në Partinë Demokratike zyrtare të bashkohen, duket se janë të pakëta. Kjo u la të kuptohet sot nga deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Enkelejd Alibeaj.

I ftuar në “Ditari i Fundjavës” me Erion Dushin, Alibeaj e bëri të qartë që për sa kohë deputetët që mbështesin Sali Berishën kanë dalë hapur kundër punës që po bën SPAK, bashkim nuk mund të ketë.

Kur u pyet nëse Partia Demokratike mund t’i fitojë zgjedhjet përballë mazhorancës kështu siç është sot, Alibeaj solli në vëmendje se në 2021, vetëm 48% e shqiptarëve e votuan shumicën socialiste.

“Në, 2021, masa e shqiptarëve që nuk e duan këtë mazhorancë ishte më e madhe sesa ata që e votojnë. Pra, premisa bazë, për ta mundur të gjithë së bashku këtë qeveri është,” u shpreh ai.

Por, PD doli e humbur në zgjedhjet e prillit të 2021, edhe pse ishte e bashkuar dhe shkak për këtë sipas Alibeajt ishte fakti se oferta e të djathtëve nuk ishte bindëse për qytetarët.

“Në PD ka pasur modele të vjetra të qeverisjes,” shtoi ai.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së thotë se grupimit të tij i duhen më shumë aleatë për të mposhtur mazhorancës, dhe me aleatë ai nënkupton qytetarët.

Ndërsa, duke u ndalur te “lufta” që po bëhet për karrigen e bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës zgjedhore, Alibeaj i hodhi poshtë akuzat se mund të jetë duke i shërbyer mazhorancës.

Deputeti demokrat theksoi se veton që ka në dorë do ta përdorë vetëm për të “ndalur trillet e mazhorancës.”

Dhe, mesa duket Enkelejd Alibeaj nuk do të heqë dorë nga karrigia e bashkëkryetarit qoftë edhe për hir të bashkimit, pasi siç u shpreh ai, për sa kohë ka një opozitë “pro”, dhe një kundër SPAK-ut, aty nuk mund të ketë vend për gjetjen e një konsensusi.

Exit mobile version