Aliji pranë kthimit në Zvicër

Naser Aliji është pranë rikthimit në Superligën e Zvicrës, nga ku u largua drejt Kaiserslauternit verën e kaluar. Sipas “Blick”, interes për ish-mbrojtësin e Bazelit ka shfaqur Zyrihu, i sapongjitur në elitën e futbollit zviceran. Aliji gjatë këtij sezoni është aktivizuar në 20 ndeshje në Bundesligën e dytë gjermane, duke dhënë ndihmesën e tij në mbijetesën e Kaizerslauternit, që ishte i rrezikuar deri në javën e fundit.
23-vjeçari i kombëtares shqiptare, i cili shpresonte që me Kaizerslauternin të luante në Bundesligë, mund të joshet nga oferta e Zyrihut, që do t’i garantonte një vend të padiskutueshëm titullari, çka do ta ndihmonte për të përforcuar pozitat e tij edhe te kuqezinjtë, ku gjithmonë është konsideruar zgjedhje e dytë në krahun e majtë pas Ansi Agollit. Alijit nuk do t’i duhej kohë për t’u përshtatur në Zvicër, pasi në kampionatin helvet ka luajtur që nga viti 2013, kur ishte vetëm 19 vjeç.
Futbollisti i lindur në Kumanovë është pjesë e kombëtares kuqezi që nga viti 2015, por është aktivizuar në vetëm 8 takime nga De Biazi, më e rëndësishmja sfida me Armeninë në transfertë që i dha kualifikimin Shqipërisë në Euro 2016.

Exit mobile version