Aliji: Shqipëria, zgjedhje zemre

I ftuar nga rrjeti mediatik SwR në emisionin “FlutLicht”, mbrojtësi i kombëtares Naser Aliji foli për zgjedhjen e Shqipërisë në vend të Zvicrës, krenarinë që provoi në Europian, por dhe dashurinë e tij për futbollin. 24-vjeçari, që aktualisht luan në Bundesligën 2 me Kaiserslautern e cilësoi Shqipërinë, si një zgjedhje zemre me bindjen se mund të arrinte diçka të rëndësishme me kuqezinjtë.
“Kam luajtur për ekipet përfaqësuese të moshave në Zvicër, përpara se të zgjidhja kombëtaren shqiptare. Ishte një dëshirë e imja për të qenë pjesë e kuqezinjve, duke patur parasysh se ai ishte atdheu i prindërve të mi dhe gjithashtu dhe trajneri arriti të më bindë dhe të më japë sigurinë se me Shqipërinë do të arrinim diçka të madhe. Kualifikimi në Europian ishte një krenari e madhe për të gjithë ne, na bëri të ndihemi krenarë, teksa shikonim lumturi në sytë e njerëzve tanë. Janë disa gjëra që nuk harrohen kurrë dhe Europiani ishte një prej tyre”, u shpreh Aliji.
Aliji gjithashtu bëri të ditur se futbolli për të është një dashuri, ndërsa cilësoi dhe anët e tij më të mira të fituara nga jetesa në Zvicër, por dhe karakterin e tij shqiptar. “Nëse do të ishte për mua do të luaja 24 orë futboll në ditë, vetëm se nuk e di a do të më mbanin më këmbët. Në stërvitje impenjohem shumë dhe besoj se korrektësia është një tipar zviceran i imi, ndërsa pasioni me të cilin luaj dhe karakteri që unë kam është ana ime shqiptare”, tha Naser Aliji.

Exit mobile version