Roma aprovoi procedurat dhe ra dakord mbi huanë 600 milionë euro për ta mbajtur operatorin në fluturim. Alitalia hyri në procedurat e likuidimit të martën, duke shënuar falimentimin e operatorit italian të fluturimit dhe një goditje serioze për Etihad-in, kompaninë ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, që shpëtoi Alitalia-n nga falimentimi tri vite më parë. Procesi, që u aprovua nga qeveria italiane në një takim të kabinetit, pritet që të çojë në shitjen ose likuidimin përfundimtar të Alitalia-s. Qeveria italiane e qendrës së majtë, e udhëhequr nga kryeministri Paolo Gentiloni, tha se do t’i siguronin operatorit një hua prej 600 milionë eurosh që do të mundësojë operimin edhe për gjashtë muaj të tjerë ose më shumë. Carlo Calenda, ministri i Zhvillimit Ekonomik, tha se 600 mln euro ishte shuma maksimale që qeveria mund të përballonte. Ai tha se administratorët do të jenë të ngarkuar me marrjen e ofertave të mundshme për blerje dhe do të garantojnë shërbimet, fluturimet dhe personelin, ndërkohë që sigurojnë përdorimin minimal të fondeve shtetërore. Por, likuidimi do të vazhdojë të mbetet një mundësi pasi huaja të mbarojë, thonë analistët. Alitalia adoptoi një plan agresiv ristrukturimi në mars, të negociuar me bashkimet tregtare, por u refuzua nga pothuajse 12 mijë punonjës të linjës së fluturimit. Kjo solli që investitorët kryesorë të Alitalia-s, përfshirë dhe bankat italiane, Unicredit dhe Intesa Sanpaolo, nuk mund të angazhoheshin më në paketën financuese prej 2 miliardë eurosh. Qeveria e Gentiloni-t deri më tani e ka përjashtuar shtetëzimin e kompanisë ajrore dhe kthimin nën kontrollin e shtetit, ndërkohë që edhe sondazhet tregojnë se italianët do të preferonin që kompania të falimentonte. Megjithatë, pavarësisht rezultateve të sondazhit, se italianët janë në favor të falimentimit se sa të ndonjë programi të ri shpëtimi, qëndrimi i mijëra punëtorëve në qendra si Roma apo Milano, mund të jetë problematik për qeverinë e Gentiloni-t. Çështja ka kaluar me shpejtësi në krye të axhendës politike të Matteo Renzi-t. Ish-kryeministri, i cili u rizgjodh të dielën për të drejtuar Partinë Demokratike, është zotuar se do të dalë me një plan për ta mbajtur Alitalia-n në pistën e fluturimit.