Luçiano Boçi
Sa herë i është dashur Ramës të dalë nga situatat e vështira në parlament gjatë replikave, në mungesë të argumentave, si armë të fundit, në formë batute bajate të rradhës, i ka përmendur kundërshtarit “gotën e rakisë”. Jo në pak raste.
E gjitha kjo me qëllim shmangien e problemit të vërtetë të debatit.
Ndërsa “vizat” e veta për të cilat është akuzuar publikisht, është munduar gjithmonë t’i paraqesë si normalitet.
Kështu ngjan pak a shumë dhe nisma kundër përdorimit të alkoolit në shkolla.
Thjeshtë Një batutë të cilën po e paraqet si nismë.
Kërkon të bëjë zhurmë e të marrë pozën e edukatorit, për të shmangur realitetin dramatik të drogës mes të rinjve te këtij vendi.
Akooli duhet ndaluar, por ky nuk është problemi kryesor i nxënësve deri në 18 vjeç në shkollat tona.
Shqetësimi themelor i mësuesve e i prindërve nuk është tekja e fërrnetit, apo jagerit, por është cigarja e hashashit, doza e kokainës dhe luga e heroinës.
Droga ka pushtuar shkollat tona të mesme dhe tashmë po përhapet me shpejtësi marramendëse në 9 vjeçare.
Ajo po vret e shkatërron çdo ditë të rinjtë e familjet e tyre.
Ministria e arsimit rri e vështron dhe ndonjëherë dërgon ndonjë polic.
E gjen jo vetëm tek bari, por dhe tek pallati, tek lagja, pse jo tek dyqani i elektronikës, i mishit, i zarzavateve e kudo.
Ka të bardhë, të kuqe, jeshile po dhe të zezë e ngjyra-ngjyra. E do pluhur, tabletë, kristal, me zhavor apo të pastër, vetëm hap gojën dhe e ke gati.
Mund ta marrësh në rrugë, në autobuz, në kinema, madje dhe pa dalë fare nga shkolla, pa kamarier e pa bufetier.
E gjen në qytet, në fshat po se po, në qendër e në periferi.
Qarkullon kaq shumë hashash sa një cigare prej tij kushton vetëm sa një teke uiski.
Pastaj Rama e di mirë dhe e ka provuar që moda e qerasjes ka ndryshuar.
“Respekti” nuk është më me pije, se ndryshe je jashtë mode.
“Respekti” sot shprehet me “mall”.
Shih rrushi kryerrushin e piqu i thonë kësaj pune!
Ky pra është problemi sot që Rama nuk e sheh dhe nuk kërkon ta zgjidhë, sepse është vetë problemi.
Rama e ka të pamundur të luftojë drogën për mijëra arsye.
Mbi të gjitha, jo se i ka ngel sahati tek alkooli, por sepse e ka të pamundur të kapërcejë thelbin e narko-qeverisjes së vet, fjalët çelës të së cilës janë krim, drogë e tallava.