Alternativa e shpresës për Shqipërinë dhe shqiptarët

Belind Këlliçi

Demonstrata e 2 Prillit 1991 përkujtohet sot në qytetin e demokracisë, në Shkodër, si demonstrata antikomuniste, ku mbetën të vrarë katër dëshmorët e demokracisë: Arben Broci, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku dhe Nazmi Kryeziu, ndërsa u plagosën qindra të tjerë. Ne jemi sot këtu nga e gjithë Shqipëria, për të nderuar veprën e tyre dhe kujtimin e tyre, por gjithashtu jemi këtu si të rinj, për të thënë që ata janë modeli jonë. Rinia demokrate ka model angazhimin, ka model ngritjen kundër padrejtësive, ka model protestën ndaj shtypjes, ka model lirinë dhe demokracinë.
Të rinjtë demokratë, treguan respektin dhe vlerësimin për votën e lirë dhe proceset zgjedhore duke e organizuar një proces të tillë në parti. Në një proces tërësisht bashkëkohor, nën shembullin amerikan të rinovimit të strukturave të FRPD, u zgjodhën kreu i forumit dhe çdo kryetar e çdo kryesie dege. Ky është modeli që flet vetë, ky është modeli që na përfaqëson, besimi tek vota, besimi tek liria.
Ne besojmë tek liria, tek liria për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, ne nuk i trembemi asnjë gare për aq kohë sa ajo është e ndershme dhe korrekte. Ne luftojmë me idetë dhe idealet tona, ne luftojmë me mish e me shpirt dhe nuk luftojmë me armë e me dhunë. Përballë, kemi shtetin që dhunën e kthen në të drejtë dhe armën në mjetin e realizimit të së drejtës, përballë, kemi shtetin që ngjan më shumë se kurrë me atë shtet që ishin përballë 4 dëshmorët e demokracisë 25 vite më parë.
Të rinjtë dhe të rejat demokrate po tregojnë çdo ditë që nuk tremben dhe nuk do të tremben kurrë, e këtë e treguan më 8 dhjetor, e treguan më 28 mars dhe do ta tregojnë çdo ditë që do të kërkohet për të mbrojtur të drejtën, ligjin dhe liritë tona.
Ata janë dhe do të jenë të parët në rrugën e ndryshimeve demokratike që ka nevojë vendi ynë, me frymëzimin që na jep vepra e Arben Brocit, Besnik Cekës, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut, Azem Hajdarit, Pjetër Arbnorit dhe çdo demokrati që qëndroi fort për liri dhe demokraci, me motivin e fortë, vendosmërinë dhe frymëzimin që na jep lideri ynë, Lulzim Basha, si alternativa e shpresës për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Artikulli paraprakZgjedhjet, dekriminalizimi e drejtësia, tre zotimet e Bashës nga Shkodra
Artikulli tjetërKuja profetike