Altin Dumani, i pathyeshmi!

Nga Reldar Dedaj – Liberale.al

Në seancën me dyer të mbyllura në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve, një deputet e pyeti kreun e SPAK se mos ndoshta institucionin e tij po e dirigjon kreu i qeverisë. Përgjigja e prokurorit Altin Dumani ishte domethënëse; “Askush nuk i bie dot telefonit tim”.

Altin Dumani, është kthyer në prokurorin “Kryefjalë” për Shqiptarët. Në 365 ditë, SPAK ka arritur të vendosë përpara drejtësisë emra si Sali Berisha, Arben Ahmetaj, Fatmir Mediu, Ilir Beqaj, Pëllumb Gjoka, Ervis Berberi e shumë të tjerë.

Dosja më e madhe që ka SPAK duket të jetë ajo e inceneratorëve, pasi kjo aferë do t’u kushtojë shqiptarëve rreth 450 milionë euro, ku një pjesë janë dhënë deri më tani, ndërkohë që pagesat për bosët e djegësave vijojnë të bëhen nga buxheti i shtetit.

SPAK ka mbyllur hetimet për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit, ku janë dënuar me burg disa ish-zyrtarë, ku më kryesorët janë ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti socialist Alqi Bllako, ndërkohë që është shpallur në kërkim ndërkombëtar ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj.

Tashmë nën sitë është vendosur inceneratori i Tiranës, ku janë vënë në pranga disa zyrtarë të Bashkisë Tiranë, ndërkohë që hetimet vijojnë.

Marrja e Sali Berishës si i pandehur dhe arresti i tij shtëpiak ishte një lajm i bujshëm për Shqipërinë, që nuk ishte mësuar të shihte zyrtarë kaq të lartë të vendoseshin përpara organeve të drejtësisë.

Arrestimi në flagrancë e Fredi Belerit vetëm 2 ditë përpara zgjedhjeve të 14 Majit, dosja “Metamorfoza” që arriti të zbulonte disa ngjarje të rënda kriminale që kishin ndodhur në vendin tonë, teksa në burg ranë edhe biznesmenë të njohur si Pëllumb Gjoka, i shpallur edhe investitor strategjik, ndërkohë që në qeli ndodhen edhe ish-drejtuesë të lartë të policisë dhe një nga personat më të kërkuar, Behar Bajri dhe në kohen kur mendohej se çështja “Gërdeci” ishte ezauruar, SPAK e hapi edhe njëherë, për shkak të provave të tjera që implikojnë ish-ministrin Fatmir Mediu. Pas hetimeve disa mujore, Prokuroria e Posaçme e dërgoi dosjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme, ku po merren në pyetje të gjithë personat e përfshirë në këtë çështje.

Dhe në fund, “sukseset në jetë” ish-ministrit Ilir Beqaj ia uroi SPAK, duke e përcjellë për në gjykatë.

Altin Dumani konsiderohet si tmerri i bandave dhe zyrtarëve të korruptuar të administratës, duke depërtuar përmes hetimeve pikërisht në veprat më korruptive dhe ngjarjet më të bujshme në vend. Altin Dumani është kthyer sot në armikun publik të politikës shqiptare, i cili po e detyron treshen Rama-Berisha dhe Meta të rrështohen kundër tij. Ndaj çdo sajesë politike, çdo pazar për vulë a logo, çdo përpjekje për t’i vjedh Berishës elektorat e për ta përdorur kundër tij, apo çdo përpjekje e kryeministrit Rama për t’ia përdredh kërthizën reformës në drejtësi, shkojnë dëm, pasi në finale, ajo që mbetet në mendjen e njerëzve është vetëm rreshtimi pro apo kundër Altin Dumanit.

Sot politika shqiptare nuk është më e djathtë apo e majtë, por pro SPAK dhe kundër SPAK. Nëse drejtësia e re nuk ka arritur ende të fus në sitë gjithë klasën politike, së paku ka arritur ta vendos në rresht. Me kaq pak viktima sa ka deri tani efekti i saj është i qartë dhe pushteti i saj mbi politikën është i plotë.

Njeriu, i cili e nisi karrierën e tij 25 vite më parë, kur Arben Rakipi, në cilësinë e Prokurorit të Përgjithshëm e emëroi si prokuror në Sarandë dhe një vit më vonë në Tropojë. Një gjeografi e tillë karriere, jep shpresë se Altin Dumani të paktën nuk duket as i frikësuar dhe as i impresionuar nga ata që po heton.

Artikulli paraprak“Të tjerët shpresojnë mbijetesën nëpërmjet pazarit, PD e vendosur për kontratë të re me njerëzit”/ Basha: Të vendosur për të trokitur në zemrat e shqiptarëve
Artikulli tjetërZbuloni erëzën kuruese, ul kolesterolin dhe peshën trupore! Ja si duhet ta konsumoni