Altin Dumani i ‘’vetmuar’’

Nga Ervis Iljazaj

Kurrë më parë në 34 vite të tranzicionit, shqiptarët as nuk e kishin menduar se drejtorët e Bashkisë më të rëndësishme të vendit, Tiranës, do të ishin nën pranga. As njerëzit më idealistë nuk do të mendonin se ish ministra, ish kryeministra, ish kryebashkiakë apo njerëz të fuqishëm të politikës do të ishin nën hetim apo në qeli përapra se organi i ri i drejtësisë të fillonte të funksiononte. Sot mund të thuhet pa frikë se ‘’opozita e vërtetë’’ e pushtetit të Edi Ramës është SPAK.

Me hetimet, me arrestimet e tij, sot prodhohet politikë. Madje, SPAK është i vetmi institucion që prodhon një gjë të tillë me lajmet që vijnë çdo ditë për hetime në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sigurisht, SPAK mund ta kritikosh, mund ta gjykosh, por nuk mund të thuash që nuk e ka tronditur politikën shqiptare, dhe me të gjitha gjasat do të vashdojë ta bëjë. Nëse ka një institucion që super pushteti i Edi Ramës i trembet sot, janë pikërisht hetimet kundër korrupsionit që vijnë nga SPAK.

Nëse vërtet mund të kuptohet se çfarë marrëdhënie ekziston midis pushtetit dhe SPAK, atë e gjen te raportimi i kreut të saj përpara KLP-së. Deklarata e Altin Dumanit se nuk mund të bashkëpunojë me Policinë e Shtetit sepse ka njërëz të inkriminuar në nivele të larta drejtuese të saj, është alarmante dhe do të trondiste çdo qeveri, do të ngrinte në këmbë opozitën dhe të gjithë opinion publik. Është një deklaratë që godet mu në zemër qeverinë dhe punën e saj.

Te kjo deklaratë dhe te i gjithë raportimi që bëri përpara organit më të lartë të hetimit në Shqipëri, Altin Dumani dukej i vetmuar. I lënë vetëm nga institucionet e tjera të drejtësisë, nga organet ligjzbatuese siç është Policia e Shtetit, nga qeveria po e po. Por çfarë është më e keqja, i lënë vetëm edhe nga opozita shqiptare. Në fakt vetëm nga rithemelimi, ajo që e konsideron veten si ‘’opozita e vërtetë‘’.

Në çdo vend të botës lufta ndaj korrupsionit do të ishte në interes të opozitës. Mbështetja ndaj organit të akuzës do të ishte kali i betejës së saj kundër një qeverie që korrupsionin e ka në nivel galopant. Kurse me opozitën shqiptare ndodh komplet e kundërta. Nuk ka ditë ku SPAK të mos lancohet nga rithemelimi si i kapur nga Rama. Nuk ka ditë ku organi i ri i drejtësisë të mos quhet organizatë kriminale. Dhe kjo bëhet vetëm se lideri i saj ndodhet në arrest shtëpie. Për këtë arësye rithemelimi, një pjesë e rëndësishme e opozitës shqiptare, sot ka humbur kauzën e luftës së korrupsionit. Flet çdo ditë për korrupsion, por lancon organin e drejtësisë që po e lufton atë. Bën çdo ditë politikë me arresitmet e SPAK, por në fakt çdo ditë kërkon ta delegjitimojë vetëm se ky institucion ka në hetim liderin e tyre. Janë si të thuash, në një konflitk interesi me organin e ri të drejtësisë. Nga një anë kërkojnë hetime dhe arrestime nga SPAK, nga një anë tjetër e konsiderojnë si organizatë kriminale. Madje, ndonjëri prejt tyre deklaron se do ta shkrijë sapo të vijnë në pushtet. Një marrëzi politike, e cila vjen kur fatet personale lidhen me fatet e interesit publik.

Rithemelimi flet gjithë ditën për tendera që vidhen, por ama voton që të amnistohen ata që i kanë vjedhur. Është absurde që një forcë politike artikulon çdo ditë korrupsionin e qeverisë, por kur vjen momenti voton që të amnistohen veprat e korrupsionin aktiv apo pasiv. Një mesazh shkatërrimtar për qytetarët shqiptarë dhe mbështetësit e saj, të cilët jetojnë mbi kurriz pasojat e korrupsionit galopant të kësaj qeverie.

Prandaj, SPAK sot gjendet në një luftë të dyanshme. Nga një anë qeveria dhe pushteti që kërkojnë të limitojnë aktivitetin e tij, dhe nga ana tjetër opozita që për hir të liderit të saj që ndodhet nën hetim nga SPAK, ka harruar betejën e saj kryesore. Betejën që çdo opozItë duhet të ketë, atë të luftës ndaj korrupsionit.

Ndoshta, lufta ndaj SPAK është pika kyçe ku të dyja këto forca politike janë dakort. Prandaj edhe shenjat e para të sulmit bipartisan sapo kanë filluar dhe do të vazhdojnë gjatë. Sa herë që politika shqiptare ka bërë marrëveshje, ashtu sikurse është ajo e rithemelimit dhe PS, kanë qenë në shumicën e rasteve në dëm të demokracisë dhe drejtësisë shqiptare.

Megjithatë, SPAK edhe pse sot është i vetëm përballë qeverisë, i vetëm përballë një pjese të opozitës, i vetëm edhe përballë institucioneve të tjera të drejtësisë, ka një mbështetje të madhe. Atë të qytetarëve shqiptarë. Jo më kot në të gjitha sondazhet SPAK del organi me mbështetje dhe besueshmëri më të lartë se çdo institucion tjetër. Ka gjithashtu edhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, sidomos të ShBA-ve. Pavarësisht gjithçkaje, nëse do të vazhdojë ti ketë këto mbështetje edhe në të ardhmen, do të triumfojë në luftën kundër korrupsionit. Nëse jo, do të vazhdojë të mbetet i vetëm përballë kastës së vjetër politike që po kërkon me insistim riciklimin./ Liberale.al

Artikulli paraprakKriza e thellë e bujqësisë/ BB: Duhen më shumë subvencione për fermerët
Artikulli tjetërInfluenca ruse në Shqipëri, Ngjela: Moska ka njerëz këtu, ja cilët janë politikanët që i shërbejnë