Ambasada e SHBA në Tiranë ka vlerësuar përpjekjet e mëdha të kreut të opozitës në Shqipëri, Lulzim Basha për forcimin e institucioneve në Shqipëri.
“Përpjekjet e tij demonstrojnë udhëheqësi të vërtetë mbi një çështje thelbësore për forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike të Shqipërisë”, shkruhet në deklaraten publike të Ambasadës së SHBA në Tiranë.
Deklarata e plotë e Ambasadës së SHBA në Tiranë
Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e partive opozitare për të dërguar përfaqësues në konferencën për reformën zgjedhore bashkërenduar nga parlamenti dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.
Ne përshëndesim Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha që thirri një takim të opozitës dje. Përpjekjet e tij demonstrojnë udhëheqësi të vërtetë mbi një çështje thelbësore për forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike të Shqipërisë.
Shtetet e Bashkuara mbështesin miratimin e reformave të nxitura nga ekspertët zgjedhorë të OSBE/ODIHR në mënyrë që Shqipëria të mund të zhvillojë zgjedhje që janë të lira nga shtrëngimi, trysnia politike, dhe blerja e votës. Populli shqiptar nuk meriton asgjë më pak se sa kjo.