Ambasada e SHBA ndryshon qendrim në lidhje me protestën e së hënës së shkuar, duke dënuar edhe dhunën e ushtruar ndaj protestuesve, përfshirë këtu edhe deputetët e opozitës. Në qendrimin e parë të saj, ambasada nuk deklaroi se dënonte dhunën e ushtruar ndaj protestuesve, por citonte vetëm dënimin e protestës së dhunshme dhe hedhjen e tymuesve në sallën Kuvendit. Por pas një letre që deputetja Kejdi Mehmetaj, e dhunuar nga deputeti socialist, Bujar Çela i dërgoi ambasadorit Lu ku shprehte rezervat e qendrimit të Ambasadës në lidhje me qendrimin e saj ndaj protestës dhe dhunës ndaj protestuesve, Ambasada ka ndryshuar qendrim. Dje, Ambasada amerikane në Tiranë, përmes Zëdhënësit Ryan Roberts, thotë se dënon dhunën, pavarësisht nga vjen ajo. Ky reagim vjen pas letrës që deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, i ka drejtuar ambasadorit Donald Lu, një ditë më parë. Zëdhënësi i kësaj ambasade rikonfirmoi se Ambasadori Lu e ka marrë letrën e saj dhe ka biseduar me deputeten, duke rishprehur edhe një herë qëndrimin se Ambasada dënon dhunën pavarësisht nga vjen. “Ambasadori Lu e mori dhe e lexoi letrën e Znj. Mehmetaj. Po ashtu, pati mundësinë të bisedonte me Znj. Mehmetaj dhe të shihte pamjet, të cilave ajo i referohet në letrën e saj. Ritheksojmë se Ambasada e SHBA dënon me forcë dhunën që ndodhi gjatë protestave. Theksojmë se dhuna, pavarësisht nga vjen, nuk ka vend në demokraci”, thuhet në reagim, raporton Ora News. Një ditë më parë deputetja e LSI i ka drejtuar një letër Ambasadorëve Lu dhe Vlahutin, përkatësisht diplomatë të SHBA dhe BE-së, në lidhje me reagimet e tyre pas protestës së opozitës para Kuvendit të Shqipërisë, ditën e zgjedhjes së Kryeprokurorit të përkohshëm. “Unë jam Kejdi Mehmetaj, deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në mandatin tim të dytë. I lexova me shumë vëmendje deklaratat tuaja dhe po ashtu si Ju edhe unë e dënoj maksimalisht dhunën që u ushtrua ditën e djeshme në Parlament dhe në rrugë. Fatkeqësisht unë nuk e gjeta veten në deklaratat tuaja, përkundrazi u ndjeva e dhunuar edhe nga ju. Në të drejtën time, si deputete që me bindje kam votuar për ndryshimet kushtetuese të mesnatës së 21 korrikut në vitin 2016, ndjeva përgjegjësinë të protestoj dhe kundërshtoj që, Kushtetuta e vendit tim të cënohet nga një Kryeministër, i cili mendon se është i gjithëpushtetshëm dhe se ligjet e këtij vendi mund t’i shkelë me këmbë. Unë jam bërë deputete kur isha vetëm 20 vjeç dhe kauza ime ishte dhe është të luftoj për ëndrrat e bashkëmoshatarëve të mi, të cilët çdo ditë e më shumë po marrin rrugët e emigrimit. Ata po largohen nga Shqipëria, sepse shkollat i ka marrë peng qeveria, sepse vendi po varfërohet dhe punë për ta nuk ka, sepse detyrohen të kthehen në punonjës të plantacioneve të hashashit dhe si pagë të marrin kokainë, sepse policia nuk mbron qytetarët, por kriminelët, sepse urgjencat e spitaleve prishen rrugës si pasojë e konçesioneve korruptive në shëndetësi, sepse taksat tona Kryeministri i përdor për të pasuruar veten nëpërmjet tenderave dhe PPP-ve dhe sepse ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri edhe pse bashkëpunëtor i Habilajve është sot i lirë”, thuhet ndër të tjera në letrën që Mehmetaj i drejton dy ambasadorëve.
Kejdi Mehmetaj u procedua penalisht bashkë me 9 deputetë të tjerë të opozitës
Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, e cila së bashku me 9 deputetë të tjerë të opozitës u procedua penalisht pas tensioneve dje në Kuvend, u ka dërguar letër Ambasadorit amerikan Donald Lu, por edhe ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin. Mehmetaj thotë se, nuk e ka gjetur veten në deklaratat e tyre dhe se është ndjerë e dhunuar edhe nga ata. Kejdi Mehmetaj u bën me dije dy ambasadorëve se ajo është dhunuar fizikisht dhe verbalisht nga deputeti Bujar Çela. Ajo shkruan se pas dhunës që është ushtruar ditën e djeshme në Parlament dhe jashtë tij, ndihet e dhunuar dyfish edhe nga deklaratat e tyre, pasi në asnjë moment nuk është përmendur ajo se çfarë ndodhi në të vërtetë. Mehmetaj i fton ambasadorët që në protestën e radhës të bëhen pjesë e saj nëse vërtet e duan Shqipërinë demokratike. “I lexova me shumë vëmendje deklaratat tuaja dhe po ashtu si Ju edhe unë e dënoj maksimalisht dhunën që u ushtrua ditën e djeshme në Parlament dhe në rrugë. Fatkeqësisht, unë nuk e gjeta veten në deklaratat tuaja, përkundrazi u ndjeva e dhunuar edhe nga ju. Në të drejtën time, si deputete që me bindje kam votuar për ndryshimet kushtetuese të mesnatës së 21 korrikut në vitin 2016, ndjeva përgjegjësinë të protestoj dhe kundërshtoj që Kushtetuta e vendit tim të cënohet nga një Kryeministër, i cili mendon se është i gjithëpushtetshëm dhe se ligjet e këtij vendi mund t’i shkelë me këmbë. Unë jam bërë deputete kur isha vetëm 20 vjeç dhe kauza ime ishte dhe është të luftoj për ëndrrat e bashkëmoshatarëve të mi, të cilët çdo ditë e më shumë po marrin rrugët e emigrimit”, shkruan Mehmetaj.