Ambasadore Poete

Nga Edison Ypi

Zonja Ambasadore, Nancy Van Horn,
E kam të qartë që ende nuk je Ambasadore. Por të lutem më lejo të drejtohem kështu. Për një arsye të thjeshtë. Dhe, pse jo, të pranueshme: Sepse dua me gjithë shpirt të jesh Ambasadore e Amerikës në Shqipëri. Si mundet me qenë një Ambasadore më e mirë se Nancy Van Horn që flet Shqip dhe përshëndet me aq njerzillëk, unë këtë nuk e di, nuk e gjej dot, nuk mundem as ta fantazoj.

Prezantimi Juaj Shqip, Zonja Ambasadore, ishte një ngrohtësi, një mrekulli, një frymëndalje, një Nder, një favor, që s’na ishte bërë kurrë më parë. Të falenderoj nga zemra për atë prezantim madhështor, të ndjerë, qytetar, njerëzor.
Tre pyetjet Tuaja, kanë të bëjnë me Vend, Kulinari, Kulturë. Shto të folurën Shqip, pamja ndryshon rrënjësisht. Jemi ngjitur tepër lart. Në një tjetër sferë. Në një tjetër qiell. Kemi të bëjmë me Poezi. Ju, Zonja Ambasadore, pra, para se të jeni diplomate, qytetare, intelektuale, udhëtare, dashamirëse e vendit tim, pas një prezantimi të tillë kaq befasues, kaq të bukur, kaq mbresëlënës, para së gjithash jeni Poete.

Sa i përket vendit që duhet ta vizitoni të parin, kam këtë sugjerim: Jo tamam vend. Pse jo, udhëtim. Paksa i gjatë. Nja 10 orë brenda një dite. Por marramendjet që do shohësh do e lodhin lodhjen. Pasi në mbarim të këtij udhëtimi të kesh parë më tepër se gjysmën e Shqipërisë, do ndjesh një çlodhje aq të thellë sa nuk e ke provuar kurrë më parë.

Tiranë, Durrës, Lushnje, Fier, Tepelenë, Këlcyrë, Përmet, Leskovik, Ersekë, Korçë, Pogradec, Elbasan, Tiranë – kalo nëpër këto vende brenda 1 dite Zonja Ambasadore. Pastaj bëj si di vet, ndiq instinktin tënd, zgjidh njërin që të la mbresat më të thella. Nga ky gjerdan perlash, Lugina e Vjosës, i fundit lumë i egër në Europë, do jetë Qershia mbi Tortë. Nëse, me gjasa, do jetë Pogradeci vendi i parë që do vizitosh, bëj kujdes.

Ke të bësh me vende aq magjike, aq turbulluese, me rrezatim aq të fuqishëm, sa s’është çudi, ndonjëri nga margaritarët e këtij gjerdani, Tepelena, Këlcyra, Përmeti, Korça, Pogradeci, Mokra, do të marrosi fare. Do biesh në dashuri. Nga erdhe, nuk do kthehesh kurrë më. Do mbetesh përgjithmonë aty.

Ushqimi që duhet ta provosh urgjent quhet “Tavë Dheje”. E bëjnë kudo dhe në gjithfarë mënyrash. Më mirë në Shqipërinë e Mesme. Mos e lër pa provuar. Zgjidh një mbrëmje të freskët. Shko tek cilindo restorant andej nga Krraba ose Rruga e Ndroqit. Diellin mesdhetar, temperamentin e sertë, shijen e pangatërrueshme, aromën dehëse të tokës shqiptare, aromat tronditëse, erëzat e forta, këto dhe të tjera do i gjesh të gjitha brenda asaj tave balte Shqipërie që e mban ushqimin më të shijshëm dhe më të freskët se çdo pjatë e praruar qeramike, apo tas i shtrenjtë porcelani.

Librin që më së shumti e dëshmon shpirtin e vendit tim, Zonja Ambasadore, e ka shkruar gjeniu i Letërsisë planetare, Përbindëshi i Shenjtë Ismail Kadare. Quhet “Breznitë e Hanknatëve”. Libër më të bukur nuk ke lexuar. Jo sepse s’ke dashur. Por sepse s’ekziston. Është libri më i vërtetë, më sugjestiv, më njohës se çdo libër i shkruar për Shqipërinë dhe shqiptarët, sa dhe për mbarë njerëzit, e mbarë botës. Merre lexoje atë kryevepër. Do të pëlqejë pafundësisht. Jo me ngut. As me përtesë. Me kujdes, me delikatesë. Përpije atë libër pakashumë si kullufite Tavën. Fillimisht duke e kqyrur pa e prekur për t’i admiruar pamjen, rrezatimin, magjinë. Pastaj prite në copa me thikat e mendjes. Nëse preferon, copat mund t’i lëpish. Nguli pirunat, lugët, dhe të tjerat instrumenta nga laboratori, apo kantieri yt i leximit. Të lutem bëj si të thashë. Derisa më së fundi atij margaritari t’ja kesh grisur lëkurën, shqyer indin, ndjerë qelizën, prekur kockën, thithur palcën, zbuluar magjepsjen, dhe sa të jesh gjallë të mos e harrosh më kurrë.

Exit mobile version