Ambasadorët: Reforma t’i japë fund shitblerjes së votës dhe lidhjeve të krimit me politikën

Shitblerja e votës dominoi diskutimet në tryezën e organizuar nga KQZ për adresimin e pritshëm të problemeve që u konstatuan më 25 qershor. Ambasadori i OSBE dhe kreu i KQZ thanë se duhet vullnet dhe reformë e plotë zgjedhore, ndërsa për demokratët, ndëshkimi i këtij krimi zgjedhor kërkon më shumë se kaq.
Reforma Zgjedhore ende nuk ka nisur, e ndërkohë nga gjithë diskutimet paraprake pikëpyetja kryesore që zë vend është se cili do të jetë kodi që do t’i mbyllë derën shitblerjes së votës. Ky është edhe rekomandimi kryesor ndër disa që OSBE-ODIHR ka dhënë për Shqipërinë pas 25 qershorit. “Në Reformën Zgjedhore duhet gjithëpërfshirje dhe transparencë, duhen shqyrtuar faktet se përse mbërritëm në këtë pikë. Është në detyrën e politikës shqiptare të marrë përsipër të shqyrtojë rekomandimet e ofruara. Në këtë proces duhet të jeni realist”, tha Peter Tejler, shef i Misionit të Vëzhguesve të ODIHR.
“Komisioni duhet të trajtojë me përparësi problematikën e kahershme të shitblerjes së votës. Aludimet e përhapura për shitblerje votash kanë dëmtuar besimin e publikut dhe partitë politike duhet të bëjnë përpjekje serioze për ta trajtuar këtë çështje. Njëri nga rekomandimet ka të bëjë me nevojën për të hetuar krimet zgjedhore. Jemi duke i kushtuar vëmendje të veçantë rasteve të shkeljeve zgjedhore të denoncuara në Prokurori dhe presim me padurim për rezultate konkrete”, tha Bernd Borchardt, shef i prezencës së OSBE-së. 20 vjet në KQZ, Klement Zguri, sot kryetar i tij, ka parë shumë nga proceset zgjedhore. Si organizator i kësaj tryeze, bëri thirrje për atë që e cilësoi si “nëna” e reformave. Bled Çuçi, bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore shënoi një mungesë me arsye në tryezë, ndërsa homologu i tij demokrat, Oerd Bylykbashi theksoi se për t’i dhënë zgjidhje shitblerjes së votës duhet një veprim më i gjerë se Reforma Zgjedhore.
Para ambasadoërve opozita tha se e ka si prioritet tjetër përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje. Ambasadori i OSBE-së paralajamëroi se në dhjetor do të ketë një tryezë pune pikërisht për këtë çështje. E ndërkohë, siç theksohet dhe nga përfaqësues të Komisionit të Venecias, të gatshëm për të ndihmuar me praktikën e tyre të mirë, ligji është dytësor në këtë përpjekje, pasi së pari u takon palëve që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe t’u japin fund praktikave të paligjshme. Venecia është për stabilitet të Kodit Zgjedhor dhe të sistemit po ashtu.
Në raportin final për zgjedhjet e 25 qershorit 2017, Misioni i Vëzhguesve OSBE/ODIHR thekson më shumë se sa vitet e shkuara problemet me sekretin e votës, presionin e partive politike dhe aftësinë e militantëve për të lidhur votën e hedhur me votuesin.
Mungesa e sekretit të votës së hedhur si pasojë e aftësisë së makinerive politike për të identifikuar votuesit dhe votat pothuajse një për një, qe një nga shqetësimet kryesore të shprehura në raportin final të zgjedhjeve të 25 qershorit të grupit të vëzhguesve ndërkombëtare të misionit të OSBE/ODIHR. Raporti 37 faqësh u publikua më 28 shtator në faqen zyrtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE dhe është produkt i Misionit të Vëzhguesve të Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut.
“Njerëz të paautorizuar qenë të pranishëm në 10 për qind të qendrave të votimit të vrojtuar dhe vëzhguesit vërejtën ndërhyrje në proces nga vëzhguesit partiakë në 8 për qind të vrojtimeve”, thuhet në raport. Vëzhguesit e vlerësuan procesin e votimit negativisht në 7 për qind të qendrave të votimit të vrojtuara. Zgjedhjet e 25 qershorit u zhvilluan pas një krize politike disa mujore të shkaktuar nga bojkoti i shpallur dhe protesta e vazhdueshme e opozitës në shesh, bojkot që u mbyll me një marrëveshje politike mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës më 18 maj.

Artikulli paraprakPNUD: Me taksën e sheshtë shqiptarët do jetonin më mirë
Artikulli tjetërI përzgjedhuri i Trump për Bankën Qendrore amerikane