Ambasadori amerikan në Bosnje: Çdo vend duhet të shqetësohet për ndërhyrjet ruse në zgjedhje

Ambasadori amerikan në Bosnje e Hercegovinë, Michael Murphy, në një intervistë dhënë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë foli për kërcënimet që Rusia paraqet për çdo shtet.

Murphy komentoi informacionet e fundit se Rusia ka formuar organizata paramilitare në entitetin serb në Bosnje, Republika Sërpska, me qëllim që të ndërhyjë në zgjedhjet në Moldavi.

“Ata kishin një kamp trajnimi për individët që do të ndikonin në zgjedhjet demokratike nga një shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sikurse është Bosnje e Hercegovina. Kjo është serioze. Kjo tregon se sa të përgatitur dhe të rrezikshëm janë ata për ta bërë një gjë të tillë dhe se si individët mundësojnë kryerjen e veprimeve të tilla”, tha Murphy.

Ai theksoi se kjo gjë duhet t’i shqetësojë të gjithë qytetarët e Bosnje e Hercegovinës, e jo vetëm udhëheqësit politikë, por edhe shtetet e tjera sikurse SHBA-ja dhe shtetet e tjera të komunitetit transatlantik.

Ambasadori amerikan në Sarajevë tha se Rusia qartazi dhe vazhdimisht ka shfaqur ndikimin e saj dashakeq në nivel global, në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.

“Kjo është e vërtetë këtu në Bosnje e Hercegovinë dhe në mbarë Ballkanin Perëndimor. Është e qartë se një gjë që Rusia nuk do është një Bosnje e Hercegovinë të pavarur, me prosperitet ekonomik, në BE dhe në komunitetin euroatlantik”, tha ai.

Informacionet për kampet ruse ku qytetarët e Moldavisë trajnoheshin për të krijuar trazira u publikuan nga autoritetet moldaviane dhe më pas u konfirmuan nga strukturat e inteligjencës në Bosnje. Një person, i lidhur me këto aktivitete, u arrestua në Bosnje, dhe ndaj tij ka nisur procesi i ekstradimit, pasi i njëjti kërkohet edhe nga Polonia për përgatitje të akteve sabotuese në Poloni.

Po ashtu, SHBA-ja ka bërë thirrje për hetimin e aktiviteteve të Moskës për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Rumani, pasi autoritetet publikuan dokumente të klasifikuara që thoshin se shteti ishte cak i një “veprimi agresiv hibrid rus” që çoi në fitoren e befasishme në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura muajin e kaluar të një kandidati prorus të ekstremit të djathtë./REL

Exit mobile version