Ambasadori gjerman: Kushtet e Bundestagut janë të rëndësishme për hartimin e reformës zgjedhore

Ambasadori gjerman Peter Zingraf i ka drejtuar një apel klasës politike shqiptare që të nisë përmbushjen e pikave që përfshihen në rezolutën e Bundestagut.

Një nga pikat që Bundestagu kërkon është edhe hetimi, gjykimi dhe dënimi i personmave të përfshirë në krime zgjedhore.

“Kushtet e Bundestagut gjerman janë të rëndësishme për hartimin e reformës zgjedhore në Shqipëri”, tha Zingraf, duke shtuar se klasa politike duhet të gjejë konsensus.

“Sigurisht që besimi i zgjedhësve në një proces zgjedhor të ndershëm është mjaft i rëndësishëm, ndaj edhe reforma zgjedhore dhe konsensusi që duhet arritur në vend për këtë reformë është po kaq të rëndësishme.

Si do të bëhet kjo, mbetet ta vendosin institucionet shqiptare. Ka disa elementë që janë të rëndësishëm për ne, janë kushtet e Bundestagut gjerman që ju përmendët por që nuk janë ende kushte të Bashkimit Evropian, sepse lidhur me to në fund të fundit do të vendosë Brukseli. Faktori kohë është gjithashtu mjaft i rëndësishëm. Nëse duam të zhvillojmë një proces zgjedhor të arsyeshëm, atëherë duhet të kemi një bazë ligjore të përshtatshme.

Unë mendoj se kjo është një detyrë e institucioneve shqiptare dhe e partive politike shqiptare sepse në pikëpamjen time ne nuk mund të mbikëqyrim këtë proces. Sigurisht, ne mund të bëjmë thirrje në mënyrë të vazhdueshme sikurse mund të japim mbështetjen tonë teknike për formësimin e reformës zgjedhore. Madje, kemi paraqitur propozimet tona nga ekspertët gjermanë në formën e projektligjeve përkatëse. Pra, sikurse e thashë mbështetje dhe asistencë teknike me shumë kënaqësi, por sa i përket mbikëqyrjes dhe monitorimit ndërkombëtar nuk është detyra jonë”, theksoi ai.

Lidhur me hapjen e negociatave, Zingraf theksoi se Qeveria federale dhe Bundestagu i kanë thënë “Po” nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe sigurisht ne kemi patur bisedime në mënyrë të vazhdueshme lidhur me faktorët brenda Unionit që të mbërrihet në një vendim të tillë edhe me ato vende skeptike.

“Jo të gjithë vendet janë për “Po”. Edhe brenda Bundestagut gjerman ka pasur grupime të vogla që kanë qenë kundër hapjes së negociatave, por në fund patëm një shumicë, e cila e tha “Po”-në e saj.

Në këtë mënyrë, shpresojmë të arrihet tek një “Po” edhe nga vendet e tjera”, theksoi ai.

Exit mobile version