Ambasadori i OSBE: 2 miliardë euro nga droga për të blerë votat

Ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt deklaroi mbrëmë se, në Shqipëri qarkullojnë 2 miliardë euro nga droga dhe këto para mund të përdoren për të blerë zgjedhjet. Në intervistën e parë televizive që prej marrjes së detyrës, Ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt, u shpreh në “Tonight Ilva Tare” se, “qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para të pista. Pra, ekziston risku se këto para mund të përdoren për të blerë deputetë”.
Më tej, Ambasadori Borchardt foli edhe për problemet e tjera të mëdha që shfaqen nga prodhimi i paligjshëm i kanabisit në përmasa fenomenale. “Me prodhimin e paligjshëm të kanabisit me përmasa fenomenale, shoqëria përballet me probleme të ndryshme. Një fermer, që prodhon kanabis, nga sigurohet që fëmijët e tij nuk e pijnë?! Çfarë ndodh nëse fermerin e kapin dhe shkon në burg?! Është një spirale që ka përfunduar keq. I takon njerëzve të vendosin, nëse për më shumë apo më pak para të japë tokën për kanabisin, por ka një rrezik të madh ama. Një tjetër aspekt është fluksi i parave të pista në zgjedhje. Edhe ky është një risk i madh. Kanabisi prodhohet në Shqipëri që në fillim të viteve në 1990. Në 2013, Guardia di Financa përllogariti që prodhimi ishte 1 mijë ton, vlera bruto e të cilëve shkonte më shumë se 2 miliardë euro”, u shpreh Bochardt.
Ambasadori i OSBE në Tiranë tha më tej se, çdo javë dëgjohet se janë kapur ngarkesa droge, por jo gjithçka është kapur. “Po të marrim shifrat e publikuara nga Ministria e Brendshme për plantacionet e shkatërruara, duket që mbjelljet kanë qenë më të mëdha se në 2013. Jo gjithçka është kapur, sepse çdo javë dëgjohet se janë kapur ngarkesa. Kjo do të thotë se qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para të pista. Pra, ekziston rrisku se këto para mund të përdoren për të blerë deputetë. Të gjitha këto janë rreziqe të mëdha. Prandaj ne jemi pro ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, për të shmangur apo më saktë për të limituar sa më shumë blerjen e votave. Plani pozitiv është se pavarësisht për një kohë të gjatë prodhimi i kanabisit nuk ka qenë një shqetësim i madh për qeverinë e opozitën, tani është bërë shqetësim për të dyja palët. Kjo është pozitive. Dhe shoqëria po ndërgjegjësohet për këtë risk të madh që i kanoset Shqipërisë. Besoj se kjo tregon mënyrën si mund të ecet përpara. Ne po mbështesim qeverinë në hartimin e një strategjie kombëtare kundër kanabisit. Ka elementë shumë pozitivë që i kam parë. Nuk është publikuar ende dhe nuk mund të gjykoj për gjithë përmbajtjen”, tha Bochardt.
Kjo është arsyeja, thotë Bernd Borchardt, pse OSBE është pro ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, për të shmangur apo më saktë për të limituar sa më shumë blerjen e votave. Pozitive sipas tij është fakti se, “pavarësisht për një kohë të gjatë prodhimi i kanabisit nuk ka qenë një shqetësim i madh për qeverinë e opozitën, tani është bërë shqetësim për të dyja palët”. Protestën e opozitës e sheh legjitime, por me shqetësim sheh bojkotin e Kuvendit, çka sipas tij do të ngadalësojë ecurinë e reformave, kryesisht atë në drejtësi. Ambasadori i OSBE sqaron se OSBE nuk është kundër votimit dhe numërimit elektronik, por se ka paralajmëruar mungesën e një kohe të mjaftueshme për ta futur në legjislacion. Të pamundur për t’u realizuar e sheh edhe votimin e emigrantëve për zgjedhjet e 18 qershorit, pasi nuk ka një regjistër të shqiptarëve që jetojnë jashtë.
Tashmë investimi i parave të kanabisit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare është një fakt real për 18 qershorin. Opozita e ka ngritur prej kohësh këtë shqetësim real, por dje ka reaguar edhe Ambasadori i OSBE në Tiranë. Pasi lejoi mbjelljen e të gjithë vendit me kanabis, qeveria ka marrë masa edhe për trafikun e drogës në Itali e Greqi. Për të trafikuar lehtësisht drogën drejt Italisë, u emërua në krye të pikës kufitare në Vlorë, Besmir Qibini, një nga njerëzit më të afërt të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Trafiku i drogës drejt Italisë dhe Greqisë vijon pa ndërprerje, vetëm në Ankona të Italisë brenda një jave u sekuestruan plot 18 tonë drogë. Por mjaft ngarkesa nuk janë arritur të zbulohen nga autoritetet italiane.

Artikulli paraprakNëse Rama nuk ikën, qytetarët duhet ta heqin
Artikulli tjetërNuk ka pazare, Lëvizja që ka nisur nuk ndalet