Ambasadori sharlatan, SHBA e tërhoqi prej hundësh Eskobari

Vetëm pak ditë më parë ambasadori amerikan Lu, fajësoi policinë për mosarrestimin e baronit të drogës, Klement Balili, ndërsa dje ka ardhur përgjigjja e Ramës me një fjalor rrugësh duke sulmuar direkt Shtetet e Bashkuara dhe me nënkuptim ambasadorin Lu. Ai i konsideroi “zëra të tillë si sharlatanë”, ndërsa shtoi se “nuk lejon askënd që të sulmojë ministrin e tij të Brendshëm”.
“Patjetër që ne kemi beteja për të bërë, por unë e refuzoj ngado që të vijë, qoftë nga sharlatanët, qoftë nga dashamirësit që të goditet Policia e Shtetit dhe ministri i Brendshëm për Klement Balilin. Unë këtë e refuzoj! Unë e refuzoj ngado që të vijë, qoftë nga sharlatanët qoftë nga dashamirësit që të goditet Policia e Shtetit dhe ministri i Brendshëm për Klement Balilin. Unë këtë e refuzoj, nuk pranoj leksione nga askush dhe ata që duan të më japin leksion le të më tregojnë; a ishte përfshirë qeveria amerikane, a ishte i përfshirë sekretari i Mbrojtjes apo sekretari i Punëve të Brendshme me Eskobarin kur shteti më i fuqishëm i botës investoi burime të panumërta materiale dhe njerëzore dhe për vite të tëra u tërhoq për hunde nga Eskobari. Pse? Se ishin të përfshirë?”.

I Çmenduri

Ishte mesi i prillit të këtij viti kur Edi Rama në një dalje të stisur në “CNN” do të sulmonte me të gjitha bateritë, kandidatin për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, sot zyrtarisht president, duke e etiketuar si fatkeqësi për amerikanët. Më parë e kish quajtur dhe turp të civilizimit. Askush s’e kuptoi asokohe se përse kryeministri i një vendi të vogël, dashamirës ndaj kombit të madh kthehej në kamikaz për diçka që u përkiste zgjedhësve amerikanë. Pa u shuajtur mirë jehona e këtyre deklaratave, vetëm 3 ditë pas votimit zyrtar të Kolegjit Elektoral në SHBA, Rama do të niste një tjetër sulm ndaj SHBA, por këtë herë ndaj ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu. Në rast se në prill stisi daljen në “CNN” apo në disa media shqiptare, këtë herë ai stisi një Asamble të Partisë Socialiste ku vendimi më i rëndësishëm do të ishte ai i përjashtimit të Koço Kokëdhimës nga funksionet me motivimin për “qëndrime antiparti”, për të sulmuar këtë herë përfaqësuesin amerikan në vendin tonë. Duke e konsideruar si sharlatan.

Shpërthim i pakontrolluar

Po pse ky shpërthim i pakontrolluar i kryeministrit? Vetëm pak ditë më parë, ambasadori amerikan në Tiranë do të shtronte pyetjen se përse Balili vazhdon të bredhë ende i lirë nëpër rrugët e Tiranës, duke shtuar se qeveria amerikane do të jepte një mbështetje të kushtëzuar në rast nuk arrestohej Escobari i Ballkanit. E natyrisht, kjo mesa duket ka qenë e tepërt për gjendjen e rënduar psikologjike të kryeministrit. Dhe ja si i përgjigjet ai ambasadorit Lu, përfaqësuesit të kombit të madh, të cilin deri dje kryeministri e përdorte si staturë mbrojtëse për pehlivanllëqet e veta, kur thoshte vend e pa vend “pyesni Departamentin e Shtetit”. “Dallimi është i madh, sepse deri dje do të ishte në kërkim, do të ishte i ulur këmbëkryq, duke ngrënë mish qengji e duke drekuar bashkë me drejtorët e Policisë, e duke dalë në Facebook. Sot është i fshehur vrimave dhe herët ose vonë do të shkojë mbrapa hekurave. Shumë e lehtë, më shumë se sa e lehtë shumë e ulët të akuzosh ministrin e Brendshëm se nuk arrestohet sot një kriminel i shumëkërkuar. Mund të kërkosh llogari, mund të bësh hetim, por s’mund të dalësh në Parlament e nëpër konferenca dhe të thuash arrestoni Balilin sot”… Deklaratë e denjë për vendet ku droga dhe korrupsioni qeveritar janë shtruar këmbëkryq dhe liderët e saj janë kthyer në shqetësim për të tjerët. Në fakt, Departamenti i Shtetit foli dhe kërkoi me ngulm që Balili të arrestohet. Ai Klement Balili, që kryente qokat qeveritare. Ai, i cili kryente qokat e Ramës dhe të tijve sa herë shkonte në Sarandë. Ai, të cilit Rama i dërgoi në inaugurimin e Santa Quarantës, ministrin e tij të Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Ai, të cilin Rama, e mbante drejtor të Transporteve të Sarandës, ai të cilin Rama prej shtatë muajsh nuk e arreston dhe në sirtaret e ministrive të tij ndodhen dhjetë mijë faqe akuza. Këto janë fakte, të cilat janë bërë të ditura, por ka dhe të tjera që tregojnë lidhjet e tij me këtë eksponent të krimit të organizuar, si financimi i fushatave apo blerja e votave me paratë e Balilit. Dhe nga kjo duket se nuk shpëton dot zemërimi ndaj amerikanëve.

Sulmi ndaj ambasadorit Donald Lu

“Patjetër që ne kemi beteja për të bërë, por unë e refuzoj ngado që të vijë qoftë nga sharlatanët, qoftë nga dashamirësit që të goditet Policia e Shtetit dhe ministri i Brendshëm për Klement Balilin. Unë këtë e refuzoj!
Nuk pranoj leksione nga askush dhe ata që duan të më japin leksion le të më tregojnë; a ishte përfshirë qeveria amerikane, a ishte i përfshirë sekretari i Mbrojtjes apo sekretari i Punëve të Brendshme me Eskobarin kur shteti më i fuqishëm i botës investoi burime të panumërta materiale dhe njerëzore dhe për vite të tëra u tërhoq për hunde nga Eskobari? Pse? Se ishin të përfshirë?
Jo në asnjë mënyrë! Kjo nuk është një luftë e lehtë, nuk është një luftë që përkthehet gabim siç përkthehen opinionet e Komisionit të Venecias apo raportet e Bashkimit Evropian. As duke mbajtur fjalime balte në Parlament dhe as duke cituar librat e Saliut. Klement Balili është në kërkim siç janë në kërkim sot bosët e narkotrafikut edhe në Amerikë, edhe në Itali edhe në të gjithë botën”.

Armand MAHO

Artikulli paraprakRoma “ok”, e mbylli vitin me fitore
Artikulli tjetërKokëdhima: Rama vjedh dhe manipulon zgjedhjet