Për herë të parë në zgjedhjet parlamentare voton diaspora. Në këtë kuadër veçanërisht dy kampet politike e kanë përqëndruar vëmendjen te takimet jashtë Shqipërisë, duke i bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë jashtë t’i besojnë platformës së tyre.
Shumë besojnë se vota e diasporës do të jetë ndikuese. Me vëmendje zhvillimet e diasporës po ndiqen edhe nga të akredituarit në Tiranë. Ambasadori spanjoll Alvaro Renedo Zalba nga Elbasani pohoi se e sheh me rëndësi votën e diasporës pasi është e drejtë e çdo shtetasi shqiptarë të votojë, pavarësisht se ku ndodhet ai.
“Unë e shoh shumë të rëndësishme votën e diasporës në zgjedhjet parlamentare. Qytetarët që jetojnë jashtë vendit, jashtë Shqipërisë duhet t’u jepet mundësia të votojnë siç janë edhe shqiptarët që janë në Spanjë apo në vendet e tjera”.
Komentin për votën e diasporës ambasadori spanjoll e bëri gjatë një takimi në Universitetin e Elbasanit ku u diskutua për programin e Erasmus +.