Rama e ka shkrirë Gjykatën Kushtetuese dhe deri dje askush nga ndërkombëtarët nuk kishte reaguar publikisht. U desh konflikti i fundit Meta-Rama për ministrin e Brendshëm që edhe ndërkombëtarët të kuptojnë dëmin që i është bërë vendit.
Christine Vasak, ambasadorja e Francës në vendin tonë, ka folur nga Korça për ngërçin mes Ramës dhe Metës për dekretimin e ministrit të Brendshëm, u shpreh se Kushtetuta shqiptare është e qartë dhe kryeministri e presidenti janë persona me eksperiencë në politikë.
“Unë mund të reagoj si juriste, por nuk më takon mua dhe kolegëve të mi të reagojmë për këtë situatë. Mendoj që si kryeministri ashtu edhe presidenti janë persona me eksperiencë në politikë që kanë shkëmbime permanente mes tyre dhe që e dinë shumë mirë se çfarë duhet të ndodhë”, është shprehur Vasak.
E pyetur nëse mungesa e Gjykatë Kushtetuese krijon vakum që ata të luajnë “shah” mes tyre ajo tha: “Ju e drejtoni gishtin në një problematik të vërtetë, por do duhet që si çdo vend tjetër edhe Shqipëria të ketë Gjykatën Kushtetuese. Është e nevojshme si në këndvështrimin e politikës së brendshme ashtu edhe për politikën e jashtme. Edhe këtu duhet të kemi besim tek autoritetet kompetente që të gjejnë një zgjidhje sepse vërtet është urgjente”.