Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha se aksionet e Koresë Veriore tregojnë se lideri i saj, Kim Jong Un, po “kërkon luftë” dhe se është koha që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të miratojë masa më të fuqishme të mundshme.
“Mjaft është mjaft. Lufta kurrë nuk është diçka që Shtetet e Bashkuara e dëshirojnë. Ne nuk na duhet ajo tash. Por, durimi i vendit tonë nuk është i pakufizuar”, tha Nikki Haley dje në seancën urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, një ditë pasi Koreja Veriore e ka lançuar atë që tha se ishte bombë hidrogjenike.
Kjo seancë urgjente është kërkuar nga Shtetet e Bashkuara, Japonia, Franca, Britania dhe Koreja Jugore.
I dërguari i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, tha në këtë mbledhje se testet e Koresë Veriore tregojnë se, “paqja në rajon është në shkatërrim serioz”.
Por, ai theksoi se zgjidhjet ushtarake nuk mund ta zgjidhin krizën dhe shtoi se ekziston “nevojë urgjente për mbajtjen e kokës së ftohtë dhe përmbajtje nga aksionet që mund t’i përshkallëzojnë tensionet”.
Ambasadori i Kinës, Liu Jievi, përsëri ka kërkuar bisedime diplomatike për këtë krizë dhe i tha Këshillit të Sigurimit se Pekini nuk do të lejojë kaos dhe luftë në Gadishullin Korean.
Anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit, përfshirë Japoninë dhe Francën, kanë kërkuar sanksione të reja kundër Koresë Veriore.
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij në Seul ranë dakord të hënën të heqin kufizimet ndaj Koresë së Jugut për kapacitetin e raketave dhe të angazhohen për sanksione edhe më të forta në Kombet e Bashkuara kundër Koresë së Veriut.
Dy udhëheqësit zhvilluan një bisedë 40 minutëshe, një ditë pasi Koreja e Veriut zhvilloi atë që thuhet se ishte provë e armës së saj të re termo-bërthamore.
Sipas një njoftimi për shtyp të zëdhënësit presidencial të Koresë së Jugut, dy udhëheqësit diskutuan në thellësi mbi masat kundër provës të gjashtë bërthamore të Koresë së Veriut.
Zyrtarët e qeverisë në Seul u thanë gazetarëve se Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in bëri gjithashtu thirrje që Kombet e Bashkuara të marrin në konsideratë mundësinë e bllokimit të dërgesave me naftë në Veri.