‘De Telegraaf’
Ambasadorja e Shqipërisë në Hagë ka gjetur një mënyrë kreative për të fshehur problemet që krijohen nga krimi i organizuar nga vendi i saj në Holandë. Në një program televiziv shumë të shikuar ajo mohoi ekzistencën e një raporti tejet të fortë nga Policia dhe Prokuroria e Amsterdamit dhe Roterdamit.
Për shkak të konkluzioneve në raport, Policia dhe Prokuroria holandeze kërkuan të rivendoset regjimi i vizave për shqiptarët. Kjo do të parandalonte vendosjen e kollajshme të krimit shqiptar në Holandë.
Në një edicion informativ, ambasadorja Adia Sakiqi u shpreh: “Ky është një shkrim në një gazetë sensacionale, për të cilën gazetari ka patur një bisedë të shkurtër me një njeri që punon tek Policia”.
Por, në të vertetë, dy gazetarë të ‘Telegraaf’ komunikuan me një oficer të lartë të Policisë si dhe një prokuror. Kjo bisedë ndodhi, pasi rrodhën 40 faqe të raportit për krimin e organizuar shqiptar. Ambasadorja foli për këtë çështje dy herë gjatë ditëve të fundit me gazetarët e ‘Telegraaf’.
Sakiqi gjithashtu pretendon se ka zhvilluar një bisedë me koordinatoren për zgjerim në BE, tek Ministria e Jashtme holandeze. Sipas Sakiqit, ajo i kishte thënë që mos t’a merrte aq seriozisht lajmin për raportin. Por, Ministria e Jashtme holandeze nuk e përfshin veten në këtë pretendim. “Këto janë fjalë që nuk i kemi thënë”, reagoi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme.
Adia Sakiqi tha edhe më shumë marrëzira. Ajo deklaroi se, Policia dha thjesht një përshkrim për punën e tyre, pas arrestimit të një vrasësi shqiptar, para dy javësh. Por, raporti për shqiptarët është botuar para arrestimit.
Ambasadorja provoi në edicionin informativ që të hiqte vëmendjen nga problemi i krimit shqiptar, duke thënë që Amsterdami është një qytet ku turistët vijnë vetëm për drogën dhe për prostitutat.
Konkluzionet e forta që u morën në këtë raport të Policisë: në tregun holandez të drogës dhe të prostitucionit, kriminelët shqiptarë luajnë një rol parësor.
Shqipëria tenton të luftojë fort krimin, pasi kërkon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian; dhe tani është kandidat-anëtare. Kjo ishte arsyeja pse raporti i Policisë dhe Prokurorisë për krimin në Holandë ra si bombë nga qielli. Deri tani, qeveria shqiptare nuk kishte reaguar. Sakiqi ishte e para që reagoi në media. Ajo tentoi të siguronte shikuesit që nuk do të rikthehen vizat. “Kam një lajm të mirë: Holanda nuk mund ta bëj vetëm, këtë mund t’a bëjë vetëm Bashkimi Europian”.
Por, kjo nuk është e vërtetë. Sipas regullave të reja të Bashkimit Europian, një shtet anëtar mund të kërkojë vetë për një pezullim të lëvizjes së lirë në qoftë se personat e një nacionaliteti të caktuar kthehen në rrezik të shtuar për rendin publik, falë krimeve që kryejnë.
“Kjo është pikërisht çfarë po ndodh në Holandë”, tha deputetja Mona Keijzer. Ajo ka kërkuar bashkë me kolegët e saj një sqarim nga ministri i Jashtëm, si dhe nga ai për Siguri dhe Drejtësi. Ajo kërkoi nga qeveria që të lobojë tek Komisioni Europian, në mënyrë që Holanda të mund t’i rikthejë vizat për shqiptarët.
Holanda nuk është vetëm në këtë pikë. Edhe vende të tjera të BE-së, si Gjermania, Franca dhe Italia, kanë vënë re se kriminelët nga Shqipëria po fuqizohen në trafikimin e drogës dhe atë të qenieve njerëzore.
Gazeta kërkoi një koment nga Sakiqi, por ajo reagoi nervoze. “Në qoftë se unë nuk e marr raportin, atëherë raporti nuk ekziston për mua. Unë nuk merrem me thashethemet”.
Ambasadorja e Ramës: Holanda, vend prostitutash
Rrallë mund të ndodhë që një ambasadore të sulmojë një vend me format më të ulëta dhe banale. Kjo ka ndodhur dje me ambasadoren shqiptare në Holandë, një person e cila është katapultuar në atë post jo nga shëbrimi i karrierës diplomatike, por nga lokalet e natës të Brukselit. Për të Holanad është një vend ku turisttë shkojnë vetëm për dyqanet e prostitutave dhe të drogën.
Një ditë më parë, ambasadorja e Shqipërisë në Holandë, Aida Sakiqi, deklaroi se një vend i vetëm i BE-së, nuk mund të kthejë regjimin e vizave, deklaratë e cila është e gjitha një gënjeshtër, pasi çdo vend anëtar i BE-së ka të drejtën e vetos.
Pra si në rastin kur çdo vend anëtar i BE-së duhet të japë ‘OK’ për anëtarësimin e një shteti tjetër në BE, ashtu dhe në rastin e daljes, çdo vend anëtar ka të drejtën e vetos për rikthimin e vizave për vendet jo anëtare.
Ndërkohë që ambasadorja shqiptare, shtoi se për më tepër vizat për vendin tonë nuk mund t’i kthejë një vend që vizitohet nga 1.6 milionë turistë në vit për shkak se ka 5600 prostituta.
Rama me ambasadorët dhe pushteti i delenxhinjve
Për Ramën ambasadorët që ai ka emëruar vetë në krye të diplomacisë nuk kanë më shumë vlerë se delenxhinjtë. Kjo është deklarata e tij e djeshme në takimin e përvitshëm me ambasadorët. Në të vërtetë janë të njëjët ambasadorë të cilëve Rama u thurte lavde një vit më parë. Çfarë ka ndryshuar tani? Asgjë përveç dëshirës së Ramës për të shkarkuar dështimin tek të tjerët një ves të cilin ai e kthen në refren të përditshëm. Ata ambasadorë në të vërtetë janë fytyra e Ramës dhe kur u thuhet atyre delenxhinj duhet nënkuptuar se ky është një pushtet delenxhinjsh.
Rama vendosi ta niste punën e qeverisë së re në një takim me diplomatët shqiptarë të caktuar në ambasadat shqiptare në botë.
Rama lëshoi një lumë kritikash në drejtim të punës së tyre.
Rama i quajti ‘të leshtë’, ‘të avashtë’, ‘të mbytur nga rutina’, ‘delenxhij’, ‘pa ide’ dhe përgjegjës për punën e dobët për prezantimin e Shqipërisë në sytë e vendeve të tjera.
Gjatë fushatës elektorale, Kryeministri në kërkim të timonit të famshëm, nuk arriti në emisionin “Opinion”, të përmendte asnjë investim të vetëm me rëndësi gjatë mandatit të tij të parë në vendin tonë.
Sot, këtë dështim e quajti të pranuar dhe të shkaktuar nga puna e dobët e ambasadorëve dhe diplomacisë shqiptare e drejtuar për 4 vite nga ministri Ditmir Bushati.
Rama tha se Ministria e Jashtme ka përgjegjësi direkte në ekonominë e vendit.
‘Ekonomia e vendit është një fushë që Ministria e Jashtme s’mund ta konsiderojë jashtë sferës së përgjegjesive dhe detyrimeve të saj, unë vetë s’i laj duart para jush për këtë përgjegjësi, jam unë i pari që mbaj përgjegjësi për një dobësi kaq të rëndë të paadresuar fare gjatë mandatit të parë. S’do jetë më kështu. Përgjegjësinë për këtë kthesë do e marrë edhe secili dhe secila prej jush në këtë sallë. Puna e shefit të ardhshëm do të marrë dhe do të vlerësojë në rradhë të parë me si e sa do përmirësohet roli i shërbimit të jashtëm në ekonominë e vendit tonë dhe puna juaj në bazë të kontributeve reale që do të jepni në këtë drejtim. Kam bindjen se kam mirëkuptim të plotë në këtë sallë për një qasje radikalisht të re.
Rama u tha ambasadorëve se puna e tyre në favor të ekonomisë së vendit është zero, ose e barazuar me një vrimë në ujë.
‘E kam shumë të vështirë të gjej rastin e fundit, kur kam takuar në zyrën time operatorë ekonomik të huaj që i keni sjellë ju. Si ka mundësi që kemi qenë kaq të avashtë, ose për ta thënë shqip kaq të leshtë, për të gjetur mekanizmat e duhur, për të ndërtuar platformat që realiteti ynë, ky vend që ndryshon me muaj dhe me javë të pasqyrohet me angazhimin e vazhdueshëm jashtë kufijve tanë, ku na njohin pak, s’na njohin fare, ose na njohin keq. Ne kemi bërë një vrimë në ujë’.
Rama nuk harroi t’iu kujtonte favoret që postet diplomatike posedojnë, që nga titujt deri në përdorimin e postit për ndere familjare e shoqërore.
‘Ende kemi diplomat delenxhinj, nuk po zbres deri te shoferët e ambasadave, se akoma ka nga ata që i bënë ambasadorët këmbësorë dhe i kthyen makinat në taksi familjare. Juve u thërrasin Shkëlqesi. E do profesioni dhe e imponon respekti për përfaqësuesit e një kombi. Është një nder i madh për këdo që arrin të ngjitet në lartësinë tuaj. Po ju e jetoni atë lartësi ku u ka ngritur kjo shoqëri dhe ky shtet? A jeni të vetëdijshëm sesa duhet që të gjithë shqiptarët presin që ju të shkëlqeni në atë që bëni dhe të përballoni me sukses këtë përgjegjësi kaq të madhe’.
Ai paralajmëroi për një valë spastrimi në radhët diplomatike për të hequr ata që ai i quajti ‘diplomatë gjumashë e të rraskapitur’.
‘Përgjegjësitë e sotme nuk mund të realizohen, duke kaluar ditën me një notë verbale, duke justifikuar pagën me një pasqyrë shtypi. Nuk mund të ketë vend në diplomacinë tonë për burokratë që nuk arrijnë të deportojnë në strukturat relevante në vendet ku shërbejnë, të cilëve nuk u hapen dyert. Jam i bindur, që nëse ju do lironit gjuhën nga prangat e diplomacisë, do kishit shumë për të thënë për shumë nga burokratët me të cilët punoni. Nuk na duhen diplomatë të rraskapitur kur zgjohen nga gjumi dhe të lodhur kur shkojnë për të fjetur’.
Rama la të kuptohej se me shpalljen e qeverisë së re të dielën, Ditmir Bushati nuk do jetë ministër i Jashtëm.
Enton DACI