Ambiciet energjetike të Turqisë

Dimitar Bechev
Viti 2017 vendosi një rekord në Turqi, të cilin vetëm pak njerëz e vërejtën: një pikë historike në sasitë e gazit rus. Shitjet e Gazpromit për blerësit turq u rrit me 17.3% dhe arriti në 29 miliardë metra kub. Kjo pjesërisht për shkak të një dimri jashtëzakonisht të egër. Më 7 janar, vala e të ftohtit e ardhur nga Europa Lindore e mbylli Ngushticën e Bosforit për transportin e anijeve. Dëbora e madhe mbylli Aeroportin Ataturk të Stambollit, duke anuluar më shumë se 650 fluturime. Jo vetëm që ngrica rriti vertikalisht faturat e ngrohjes së banesave, por rriti gjithashtu me ¼ vëllimin e gazit të djegur nëpër termocentrale. Kështu që ja ku ishte Turqia, që po përballej me pasojat, dhe Rusia, e cila po pomponte gaz për të mbajtur ngrohtë shtëpitë e njerëzve dhe siguruar pa ndërprerje rrymën elektrike.
Niveli rekord i përdorimit të bën të kuptosh faktin, se Turqia është aktualisht konsumatori i dytë më i madh i Gazpromit, pas Gjermanisë. Ndërvarësia i vendos marrëdhëniet bilaterale në një soliditet akoma më të qëndrueshëm sesa të gjitha samitet Putin–Erdogan. Rritja ekonomike në Turqi ka rezultuar në një rritje vertikale të konsumit të gazit, nga 25 miliardë metra kubët e 2005 në një 55.2 miliardë metra kub marramendëse në 2017. Rusia siguron më shumë se gjysmën e këtij vëllimi. Moska dhe Ankaraja po punojnë krah për krah edhe në projekte strategjike infrastrukturore. Më 29 prill, agjencia shtetërore “Anadolu Agency” raporti se, gazsjellësi TurkStream, që përshkon Detin e Zi, ka arritur Kiyikoy në bregun turk, në veri të Stambollit. Deri në fund të 2019, Turqia përgatitet që ta marrë direkt nga Rusia gazin që udhëton nëpër Ukrainë, Rumani e Bullgari në të ashtuquajturin Transbalkan Pipeline.

TurkStream i shtohet një partneriteti që ka ardhur duke u rritur qysh nga fundi i viteve ’90. Në dhjetorin e 1997, kryeministrat Viktor Chernomyrdin dhe Mesut Yilmaz mbyllën marrëveshjen e parë për të ndërtuar një gazsjellës nënujor që lidhte Rusinë me Anadollin Qendror, përfshi kryeqytetin turk Ankara. Blue Stream u bë realitet 8 vite më pas, me Putinin dhe Erdoganin në krye. Në nëntorin e 2005, dyshja e fuqishme inauguroi projektin në qytetin port turk në Detin e Zi të Samsunit, bashkë me Silvio Berlusconi, në atë kohë Kryeministër i Italisë. ENI, kompania kryesore energjetike e Italisë, përbënte një pjesë të konsorciumit të Blue Stream. Ishte një projekt lapidar. Blue Stream siguroi skicën për ndërmarrje akoma edhe më ambicioze të kryera nga Gazpromi me kompani të mëdha energjetike europiane, të tilla si tejet kontradiktori Nord Stream që kalonte nëpër Detin Balltik dhe më tej nëpër Gjermani. Me Nord Stream 2 tani në ndërtim dhe Turk Stream afër kompletimit, Rusia po i afrohet më shumë plotësimit të objektivit të saj të vjetër për anashkalimin e Ukrainës si vend tranzit. Erdogani, që gjithashtu ka një marrëdhënie goxha pozitive me Kievin, patjetër që po i përgjigjet lojës. Veçse nuk është edhe aq e lehtë.
Së pari, ajo çka është kompletuar është vetëm nga dy linjat paralele të TurkStream. Line 2, e destinuar për tregun e Bashkimit Europian, është ende në pikëpyetje. Grindja midis Komisionit Europian dhe Gazpromit rreth aplikimit të rregullave të Bashkimit Europian është ende e pazgjidhur. Brukseli kërkon që konkurrentët e Rusisë duhet të kenë akses në infrastrukturën e sapondërtuar brenda Bashkimit Europian. Mosmarrëveshja rreth së ashtuqjaturës “Paketë e Tretë Energjetike” praktikisht i dha fund South Stream, paraardhësit të TurkStream, që supozohej të kalonte nëpërmjet Bullgarisë dhe ish-Jugosllavisë drejt Europës Qendrore dhe Italisë (edhe ENI ishte gjithashtu i përfshirë në këtë projekt). Aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë në pranverën e 2014 e shkatërroi të gjithë vullnetin e mirë në Bruksel për arritjen e një kompromisi. Tani Gazpromi po zotohet që linja e dytë e TurkStream do të shtrohet në 3-mujorin e fundit të 2018. Por afati mund të rezultojë i paarritshëm pa një marrëveshje me Bashkimin Europian. Ja vlen të nënvizohet se, Turqia nuk ka dhënë ende lejet për seksionet onshore e linjës së dytë.

Veç kësaj, nuk ka aspak qartësi se ku do të drejtohet gazi rus, nëqoftëse dhe kur kalon kufijtë e Turqisë me Bashkimin Europian. Kryeministri bullgar Boyko Borisov është entuziast që ta sjellë atë në Nyjen Ballkanike të Gazit, një projekt që po e përkrah përpara Jean-Claude Juncker dhe Komisionit Europian. Një alternativë më realiste do të ishte Transadriatic Pipeline (TAP) që lidh Greqinë Veriore me Italinë. Ky tubacion, që po ndërtohet tani nga një grup kompanishë ku bëjnë pjesë BP dhe SOCAR e Azerbajxhanit, do të sjellë gazin kaspikas në Europë dhe do ta bëjë realitet të shumëdiskutuarin Korridor Jugor të Gazit. Me fjalë të tjera, për të plotësuar kushtet e Europës, Rusisë do t’i duhet që të marrë mbi vete lojtarë që po luftojnë të heqin një përqindje nga pjesët e tyre.
Këtu është që Turqia shfaqet sërish në lojë. Ajo është një lojtar qendror në Southern Gas Corridor. Në një tjetër prej lajmeve të fundit, Ankaraja njoftoi se, Transanatolian Pipeline (TANAP) do të vihet në funksionim më 30 qershor. Ky është një eveniment që ka implikacione edhe për Bashkimin Europian, përderisa TAP-i është një shtojcë e TANAP-it. Me pak fjalë, gazi kaspikas më së fundi po fillon t’í vijë Turqisë dhe Europës. Megjithëse vëllimet fillestare janë të vogla (10 miliardë metra kub), kemi një rrugë të re eksporti, e cila me kalimin e kohës mund të sjellë më shumë gaz nga Azia Qendrore dhe Lindja e Mesme, të përmirësojë konkurrencën në Bashkimin Europian dhe t’u japë rusëve një sfidë të vështirë.
Turqia nuk e ka braktisur objektivin e saj për diversifikimin e importeve energjetike nga gazi rus. Edhe pse vendosi një rekord në terma absolute, pjesa relative e Rusisë në tregun rus ra në vitin 2017 me 1.1%. Turqia po investon në Gazin Natyror të Lëngët (LNG). Ajo porositi dy Floating Storage and Regasification Units (FSRU) gjatë viteve të fundit: një afër qytetit të Izmirit në dhjetorin e 2016 dhe një tjetër në afërsitë e bregut të provincës juglindore të Hatay në shkurtin e 2018. Gjithashtu, Turqia ka një impiant magazinimi bregdetar në bregun e Detit të Marmarasë. Do të ketë më shumë impiante të tilla në të ardhmen. Rritja e LNG-së (aktualisht rreth 12% e gazit të importuar, me Algjerinë dhe Nigerinë si burimet kryesore) e pajis Turqinë me një jorgan në dimra të ftohtë si ai i 2016–2017. Më e rëndësishme, rrit aftësinë manovruese të Ankarasë në negociatat e ardhshme me Rusinë, kur të mbarojnë kontratat aktuale afatgjata midis viteve 2021 dhe 2025, ashtu si edhe me Iranin, furnizuesin e dytë më të rëndësishëm. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, LNG-ja do ta konsolidojë më tej aleancën e Turqisë me Katarin, një eksportues i madh gazi natyror. Dhe ku i dihet, Ankaraja mund të nisë të blejë gaz amerikan, duke ringritur lidhje që kohët e fundit kanë arritur pikën më të ulët të tyre.
Ironikisht, Rusia mund të përfundojë duke reduktuar Gazpromin. Kur reaktori bërthamor Akkuyu i ndërtuar nga Rosatomi të fillojë të punojë – data e parashikuar është 2023, 100-vjetori i Republikës Turke – ai mund të zëvendësojë gazin e përdorur në prodhimin e elektricitetit.

Politikëbërësit turq, përfshi dhëndrrin dhe trashëgimtarin e padiskutueshëm Berat Albayrak, që shërben si ministër i Energjisë, pëlqejnë që ta tregojnë vendin e tyre si një fuqi në ngritje në gjeopolitikat energjetike. Një pjesë e këtij rrëfimi është e bazuar: Tubacionet e reja që përshkojnë Turqinë do t’i shtohen influencës së saj dhe do të gjenerojnë të ardhura nga tarifat e tranzitit. Por ka gjithashtu edhe një sasi të madhe spektakolariteti. Për shembull, aspirata për të ngritur një nyje tregtare dhe për ta bërë Turqinë që të blejë gaz nga vendet prodhuese dhe t’ua rishesë atë konsumatorëve në Europë ka qenë gjithmonë fantazi.
Thembra e Akilit e Ankarasë mbetet ekonomia. Me inflacionin që po del jashtë kontrollit, importet energjetike po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta. Kompani private, të rënduara nga borxhet në dollarë dhe euro, kanë nevojë që t’u shesin me çmime të rregulluara konsumatorëve të brendshëm. Kjo krijon paqartësi në treg dhe ushtron presion ndaj qeverisë që të ndërhyjë si garantuese e investimeve nga sektori i biznesit, pavarësisht rritjes së fortë ekonomike. Por nëqoftëse Turqia i nënshtrohet një krize si ajo e vitit 2001 që e solli Erdoganin në pushtet, atëhere planet e saj të mëdha energjetike mund të dështojnë. Atëhere varësia ndaj Rusisë do të ishte më i vogli i problemeve të saj.
Autori është hulumtues në Center for Slavic, Eurasian, and East European Studies në University of North Carolina at Chapel Hill dhe nonresident senior fellow në Atlantic Council. Libri i tij i ri, Rival Power: Russia in Southeast Europe, është botuar nga Yale University Press. Këtë artikull e ka shkruar për American Interest)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakZidane flet për finalen e Champions: Ja çfarë më shqetëson nga Liverpool
Artikulli tjetërJa si Calciopoli i dha fund Kohës së Artë të Serie A