Agjencitë imobiliare në një deklaratë të përbashkët i drejtohen një zëri Parlamentit që të avancojë në lidhje me miratimin e taksës së rivlerësimit 3%. Kjo vonesë po sjell si pasojë shitjen e më pak pronave.
Sipas Shoqatës Kombëtare të Ndërmjetësve të Pasurisë së Paluajtshme të Shqipërise, vonesa në trajtimin parlamentar të këtij propozimi, mungesa e konkretizimit të tij dhe paqartësia për të ardhmen ka sjell efekte tepër negative në bllokimin momental të tregut.
Drafti për rivlerësimin e pronave me taksën e zbutur 3 për qind u propozua nga deputetja socialiste Blerina Gjylameti dy muaj më parë. Që atëherë projektligji nuk është shqyrtuar, por ka mbetur në sirtarët e Kuvendit, ndërkohë që maxhoranca socialiste nuk ka mbajtur një qëndrim të qartë nëse do e mbështesë apo jo këtë draft.
Me zvarritjen e trajtimit të këtij propozimi, thellohet hendeku i pronave në shitje duke u tërhequr nga tregu deri në sqarimin përfundimtar të tij.
Më tej shoqata thekson se mbështetur në të dhënat kombëtare të këtij sektori, vëmë re se në krahasim me vitet kur ky tatim mbahet në nivelin 15%, gjatë periudhave të lehtësirave fiskale ku norma e tatimit aplikohet jo më shumë se 3%, sektori jo vetëm që njeh rritje dhe zgjerim, shqiptarët jo vetëm që fitojnë më tepër, por edhe buxheti arkëton të ardhura më tepër, në nivelet 35-40 milionë euro.
Por cila është barra fiskale e rivlerësimit në 15%?
Shoqata e ndërmjetësve të pasurisë së paluajshtme ndan qëndrimin se pasojë është ngadalësimi i transaksioneve, duke ngurtësuar investimet, konsumimin e stokut dhe sjellë tkurrjen në këtë sektor, duke çuar në rënie të tij me 250-300 milionë euro.
Gjithashtu sipas llogaritjeve, ndikon negativisht në të ardhurat buxhetore të realizuara, me të paktën 35-40 milionë euro, nxit informalitetin, duke prodhuar mënyra më të sofistikuara për të shmangur barrën.