Amerikanët dhe britanikët i kanë “larë” duart me Berishën, deklaratat e tyre janë për ndjekësit e tij

I ngarkuari me punë i Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, David Wisner, ka dhënë një intervistë për gazetën “Panorama” në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, që është botuar një ditë më pas, pikërisht në 33-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, ku ka refuzuar t’i përgjigjet akuzave të Sali Berishës ndaj sistemit të drejtësisë si “kamxhik i Ramës” dhe ndaj Prokurorisë së Posaçme në veçanti, duke theksuar se SHBA-të nuk i përgjigjen të sanksionuarve “non grata” nga ana e saj.

Diplomati Wisner ka shprehur mbështetjen e pakushtëzuar ndaj SPAK-ut dhe ka theksuar se Prokuroria e Posaçme janë në lartësinë e detyrës, duke iu përgjigjur në një farë mënyrë Edi Ramës dhe duke thënë se SPAK është investim amerikan dhe jo qeveritar.

Në të njëjtën ditë, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King-Smith, ka sqaruar edhe një herë arsyet se përse Mbretëria e Bashkuar vendosi të shpallë “non grata” Sali Berishën, ndërsa paralajmëroi se do të ketë masa të ngjashme edhe në të ardhmen.

Nuk është hera e parë që ka një koordinim përsa i përket rastit të Berishës ndërmjet ambasadës së SHBA-ve dhe asaj të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë.

Në dallim nga herët e tjera, këto deklarata janë bërë publike pikërisht në ditën e 33-vjetorit të themelimit të PD-së.

Duket që dy diplomatët perëndimorë kanë dashur t’i japin një mesazh të qartë mbështetësve të Berishës dhe atyre pak demokratëve që vijojnë ta ndjekin nga pas, duke u thënë edhe një herë se me këtë njëri nuk keni kurrfarë të ardhmeje në politikë.

Ndërkohë që Berisha vijon me një lumë akuzash, sharjes dhe shpifjesh ndaj SPAK-ut, Gjykatës së Posaçme, por edhe ndaj diplomatëve të huaj, – kujtojmë këtu akuzat e tij dhe paralajmërimin se do t’i bënte publike “faktet” ndaj ambasadorit King-Smith, fakte të cilat nuk erdhëm dhe nuk u bënë publike asnjëherë, sepse thjesht Berisha shpif, – ajo që shihet qartë është se Berisha nuk ekziston fare në optikën e tyre.

Pra, siç shihet, amerikanët dhe britanikët i kanë “larë” duart me Sali Berishën.

Pavarësisht përpjekjeve, ai është një subjekt i hetimeve të Prokurorisë së Posaçme dhe i Gjykatës.

Ajo që amerikanët dhe britanikët kanë theksuar mëse një herë, gjë që shihet edhe në daklaratat e tyre të herëpashershme, është tërheqja e vëmendjes ndaj atyre që e ndjekin Berishën në marrëzinë e tij dhe ndaj demokratëve.

Kujtojmë këtu deklaratën e ish-ambasadores amerikane në Tirana, e cila u shpreh besimplotë kohë më parë në shkallët e selisë së PD-së, teksa tha që “ne mezi presim ta shohim PD-në në pushtet” për të marrë përgjegjësi qeverisëse dhe për të qenë një alternativë e besueshme për Shqipërinë dhe shqiptarët.

640 0 dumani 1702284536

Artikulli paraprakKaosi i Rithemelimit në Kuvend/ Deri në 60 ditë përjashtim, Këshilli i Mandateve miraton ndryshimet për rregulloren e Kuvendit
Artikulli tjetërSPAK kërkoi masë arresti për Berishën, Kulluri: Lëvizje që pritej që në nisje