Poshtë fshatit Xibër-Hane (bashkia Klos), në kanionet e Gjabzës, dalluam disa fosile interesante, të ruajtura me kujdes miliona vjeçarë në disa gurë, buzë lumit.
Këto janë Ammonitet, krijesa që kanë jetuar në një periudhë 419 – 66 milion vite më parë. Ishin gjallesa detare në formë disku e që kanë jetuar në detet e asaj periudhe.
Ammonitet janë cefalopodë të zhdukur me guacka spirale. Ato janë kushurinjtë më të hershëm të koleoideve të gjalla që ne njohim sot (oktapodët, kallamarët dhe sepjet).
Ammonitet më të hershme u shfaqën gjatë periudhës së Devonianit (rreth 419 milion vite më parë), me speciet e fundit që u zhdukën gjatë ose menjëherë pas ngjarjes së zhdukjes Kretako-Paleogjene (rreth 66 milion vite më parë).
Duke filluar nga mesi i Devonianit, Ammonitet ishin jashtëzakonisht të bollshme, veçanërisht gjatë epokës mezozoike (rreth 160 milon vite më parë). Shumë specie evoluan dhe u zhvilluan shpejt, duke u zhdukur në disa miliona vjet.
‘Ammonitet – gjurmë nga e kaluara e largët në Klos’
Për shkak të evolucionit të tyre të shpejtë dhe shpërndarjes së gjerë, Ammonitet përdoren nga gjeologët dhe paleontologët për biostratigrafinë e shkëmbinjve. Ato janë fosile indeksuese të shkëlqyera dhe shpesh është e mundur të lidhet shtresa shkëmbore në të cilën gjenden me periudha kohore specifike gjeologjike.
Si u zhdukën Ammonitet?!
Në fund të periudhës së Kretakut (155-66 milion vite më parë), pra 66 milion vite më parë, një asteroid që përplaset me Tokën (në bregdetin Meksikan) ka sjellë zhdukje masive të specieve në gjithë planetin. Për shkak të pluhurit të hedhur në atmosgerë nga goditja si dhe zjarret masive prej impaktit, bëri që të kishte një dimër të gjatë, i cili ndaloi fotosintezën në tokë dhe në oqeane, gjë që pati një ndikim të madh në disponueshmërinë e ushqimit dhe që ishte shkatërruese për amonitet tona.
Format e tyre janë të ruajtura mjaft mirë në shkembinj gëlqerorë (sedimentarë) dhe argjilo-ranorë.
Gjithsesi, duhet falenderuar guri ku format e tyre janë “stampuar” dhe i ka ruajtur me përkushtim maksimal deri ditët e sotme, për ti parë dhe ne, njerëzit, qeniet më të evoluara e më të reja njëkohësisht të planetit Tokë.