Amnistia e dytë Rama-Berisha: Si po gatuhet nxjerrja e të burgosurve nga SPAK

“Ditën ministra dhe natën të burgosur”, shkruante dikush me ironi në rrjetet sociale pas lajmit mbi një nismë të re legjislative. Nismë që ka si thelb të saj riciklimin e të famshmes “shkollë të natës” në kohën e Enverit në “burg të natës” në kohën e Bablokut.

Nasip Naço, në një intervistë për ‘Top Channel’ bëri publike nismën legjislative që sipas tij synon të lehtësojë mbi popullimin në institucionet e vuajtjes së dënimit. Sipas asaj që u tha, në vija të përgjithshme, synohet që kjo lirshmëri të bëhet për ata të burgosur, të cilët kanë më pak se dy vite dënim, apo janë dënuar me një masë homologe.

Në parim nuk duket keq, pasi ka shumë politika penale të tilla në botë që bëhen për ata të burgosur të dënuar për krime të vogla, apo për ata që kanë kryer shumicën e dënimit, sidomos kur kanë sjellje të mirë. Asgjë të re në këtë aspekt, e nuk do të përbënte fare lajm, pasi këto masa janë zbatuar edhe nga Ahmet Zogu, por edhe nga Enver Hoxha.

Por kleçka apo djalli fshihet diku tjetër. Që ngjan mot a mot me amnistinë numër 1, pra përfshin një sërë zyrtarësh të dënuar nga GJKKO-ja për abuzim me detyrën apo vepra të ngjashme me korrupsionin. Ku në formën e prerë, pra në Apel janë dënuar me më pak se 2 vite burg. E këta përbëjnë shumicën e të dënuarve.

Në politikën penale, edhe nëse merret ndonjë masë e lehtësuar për të dënuarit nga GJKKO e të akuzuar nga SPAK, sidomos pasi kanë kaluar një kohë në paraburgim, nuk përbën ndonjë tabu.

Kjo, ngaqë vendimi apo masa është dhënë nga institucioni i drejtësisë për një abuzim me detyrën shtetërore. Ka ndodhur edhe në vende të tjera në të shkuarën edhe sot. Por ngutja për ta miratuar këtë amnisti të re para zgjedhjeve të 11 majit, ka një interes të të dyja palëve, siç e tregoi edhe amnistia numër një e miratuar së bashku me votat e mazhorancës dhe deputetëve të Sali Berishës.

Nëse shihet me kujdes rekordi apo statistika e të dënuarve nga GJKKO-ja e zyrtarëve, kryesisht për akuza të abuzimit me detyrën apo korrupsion, vendimet përfundimtare janë në pragun e 2 viteve. Që nga ish-ministra, ish-kryebashkiakë apo edhe zyrtarë të tjerë. E me miratimin e këtij ligji, ata ditën janë jashtë e natën Brenda (edhe kjo e diskutueshme). Por që të miratohet ky ligj duhen 84 vota. Deri tani edhe pse është herët, Berisha nuk e ka kontestuar. Por në realitet Edi Rama e ka provokuar fort, duke i kërkuar që të japë qëndrimin e tij publik ose të heshtë. Një ‘deal’ që mund të konsiderohet  edhe si paradhënie e refuzimit të propozimit amerikan për zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK./Pamfleti

Exit mobile version