Gazetari Mentor Kikia në ‘MCN Live’ ka komentuar ligjon për amnistinë penale për të cilin u shpreh se është ligj shumë i rëndësishëm human që favorizon persona jo me rrezikshmëri.
Ai tha se futja në amnisti edhe e subjekteve të GJKKO hedh poshtë punën e bërë nga këto struktura dhe sipas tij kjo humbet besimin e krijuar për SPAK.
“Sa i takon amnistisë besoj se është ligj i rëndësishëm se bëhet fjalë për një ligj që e zhbën në njëfarë mënyre punën e drejtësisë. Përgjithësisht janë ligje humane që ndërmerren për të favorizuar shtesa të caktuara dhe amnistohen vepra penale që përgjithësisht nuk përbëjnë rrezikshmëri të madhe dhe këto bëjnë shpesh njëlloj qarkullimi edhe të zbrazjes së burgjeve dhe kthimin e tyre në familje.
Ngërçi që u krijua ishte prodhimi i nja dy amendamenteve që fusnin duart dhe në grupet e subjekteve që kanë qenë në fokusi i SPAK, korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës. Futja në amnisti edhe të subjekteve të SPAK mund të jetë e rrezikshme jo se do lirojë 1 apo dy njerëz por demotivon punën e kësaj strukture pikërisht në kohën kur ne po e ngremë në piedestale, kur SPAK është institucioni më i besueshëm në vend pikërisht për shkak të luftës ndaj korrupsionit dhe ne fillojmë ti heqim tullat nga poshtë. Nëse do ketë ndonjë diskutim midis këtyre aktorëve dhe faktorëve mendoj se do shkohet në votim dhe do bëhet ajo që bëhet sa herë pazari duke blerë ndonjë dhe shpëton ai nga litari.”
Sa i takon ligjit për zonat e mbrojtura, Kikia tha se është e dëmshme sepse u bë një luftë e madhe për të shpallur Vjosën park kombëtar dhe tani del një ligj për të lejuar këto ndërtime në këto parqe.
“Zona shpallet e mbrojtur pikërisht për ta mbrojtur nga ndërtimet. Mendoj që janë thjeshtë çështje interesash të ngushta, dikush apo disa ai kanë vënë sytë ndonjë zone të mbrojtur. Nuk është se janë mbrojtur këto zona, por problema është se nga ndërtimi i paligjshëm tani bëhet një ligj dhe ai që investon do e bëjë me ligj tani.
Aty po bëhen vila që do shkojnë ti blejnë të pasurit. Pse një zonë në bregdet e rëndësishme nga ana turistike ti jepet një zotërie për të ndërtuar vila dhe ti shesë dhe ai të pasurohet. Nëse e vë në shërbim të turizmit atëherë të paktën gjysma e të keqes.”