Amnistia penale, PD prezanton amendamentin/ Alibeaj: Synojmë mbrojtjen e protestuesve

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, deputeti Enkelejd Alibeaj, prezantoi sot amendamentin e PD për amnistinë penale.

Sipas Alibeaj, në këtë amendament synohet që të mbrojme protestuesit tanë, të Astirit, Bregut të Lumit, Shkozes, Teatrit, studenteve dhe vrasjes se Klodian Rashes.

Në amandementin e PD kërkohet që përfitues në këtë amnisti të jenë protestuesit e PD dhe opozitës, por edhe atë kanë organizuar protesta spontane, apo për të drejtat e tyre, përfshirë ato për Teatrin Kombëtar.

Sipas amendamentit të PD, përfitues duhet të jenë edhe ata protestues ndaj të cilëve ende nuk është dhënë një vendim i prerë dhe janë ende në fazë hetimi e shqyrtimi.

AMENDAMENT

PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË PROJEKTLIGJIN
“PËR DHËNIE AMINISTIE”

Në mbështetje të nenit 71, pika 1, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, me propozim të deputetit Enkelejd Alibeaj, në projektligjin “Për dhënie amnistie”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në nenin 3, pika 1 shtohet shkronja ë) me përmbajtjen si vijon:

“ë) personat e dënuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 150, 151, 235, 236, 237 dhe 282 të Kodit Penal, të kryera gjatë tubimeve ose protestave politike dhe qytetare të organizuara në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020”.

Neni 2

Në nenin 4, pika 1, shkronja k) hiqet numri “237”.

Neni 3

Pas nenit 6, shtohet neni 6/1 me përmbajtjen si vijon:

“Neni 6/1
Dhënia e amnistisë nga ndjekja penale për protestuesit

Përjashtohen nga ndjekja penale si dhe pushohen të gjitha çështjet penale në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera gjatë tubimeve apo protestave politike dhe qytetare të organizuara në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020, të parashikuara nga nenet 150, 151, 235, 236, 237 dhe 282, të Kodit Penal”.

D E P U T E T I

Enkelejd Alibeaj

R E L A C I O N

PËR AMENDAMENTIN

PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË PROJEKTLIGJIN “PËR DHËNIE AMNISTIE”

Në Kuvendin e Shqipërisë ka filluar procedura legjislative për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për dhënie amnistie”, me propozim të Këshillit të Ministrave. Në mbështetje të nenit 71 pika 1 të Rregullores së Kuvendit, që njeh të drejtën e cdo deputeti për të paraqitur amendamente gjatë procesit legjislativ, ju paraqes këtë amendament.

Fillimisht theksoj se amnistia përbën një akt parlamentar mëshire për qytetarët që dyshohen ose janë dënuar për shkelje të ligjit penal, që passjell edhe përfitime për uljen e mbipopullimit në burgje, reduktimin e ngarkesës së punës në prokurori dhe gjykata. Në këtë kuadër, amendamenti i paraqitur synon të rregullojë situatën e një kategorie specifike qytetarësh, të cilët kanë hyrë në konflikt me ligjin për arsye politike. Bëhet fjalë për qytetarët të cilët kanë marrë pjesë në protestat e organizuara nga Partia Demokratike dhe aleatët politikë të saj në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020. Në të njëjtën periudhë janë organizuar edhe disa protesta qytetare, midis të cilave vlejnë të përmenden e gjithë seria e protestave të banorëve të zonës së Astirit në Tiranë, seria e protestave kundër shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë, seria e protestave të banorëve të Bregut të Lumit, seria e protestave të banorëve të zonës së Shkozës, seria e protestave të studentëve apo protestat kundër vrasjes policore të të riut Klodian Rasha.

Sipas të dhënave të mbledhura nga strukturat e Partisë Demokratike, që shpesh kanë ofruar edhe mbrojtje juridike falas, rezulton se gjatë protestave të kësaj periudhe dhe për shkak të revoltimit për të drejtat politike, ekonomike dhe sociale, disa prej protestuesve kanë hyrë në konflikt me ligjin. Edhe pse ka pasur një debat të nxehtë politik mbi politizimin dhe padrejtësinë e veprimeve të organeve ligjzbatuese të ngarkuara për ndjekjen penale, mbetet fakt se një numër i lartë qytetarësh janë proceduar penalisht për veprat penale të shkatërrimit të pronës, shkatërrimit të pronës me zjarr, kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik, të kundërshtimit të punonjësit të policisë, të goditjes për shkak të detyrës dhe të shkeljes së rregullave për lëndët plasëse dhe djegëse, të parashikuara respektivisht nga nenet 150, 151, 235 236, 237 dhe 282 i Kodit Penal. Disa prej këtyre procedimeve penale janë përfunduar me dënimin e protestuesve, ndërsa një pjesë tjetër janë në shqyrtim e sipër nga prokuroria dhe gjykata.

Duke mbajtur në konsideratë këtë situatë, amendamenti është formuluar me tre nene. Neni 1 i referohet protestuesve që tashmë kanë marrë cilësinë e të dënuarit. Neni 2 ka saktësuar formulimin ekzistues të projektligjit që flet për kriteret ndaluese të amnistisë dhe për ta përputhur me qëllimin e amendamentit. Ndërsa neni 3 rregullon amnistinë e protestuesve, për të cilët ndjekja penale është në proces e sipër në prokurori dhe gjykatë. Duhet vënë re se për këtë kategori të fundit propozohet një nen më vete, pra pa u përfshirë në rregullimet e nenit 6, me qëllim që kushtet ndaluese të këtij të fundit (personat që i janë shmangur ndjekjes penale dhe subjektet e cilësuara) të mos gjejnë zbatim gjatë amnistisë së ndjekjes penale të protestuesve.

Vlerësoj shumë të rëndësishme, që ky relacion, i këtij amendamenti, të bëhet pjesë e plotë e relacionit të projektligjit. Në këtë mënyrë, ky dokument parlamentar zyrtar, t’iu shërbejë gjykatave dhe prokurorive përkatëse, përgjatë zbatimit rast për rast të, si dokument për interpretimin autentik të dispozitave penale bazuar në cmuarjen e rrethanave faktike, mbi të cilat janë ngritur akuzat përkatëse. Dimensioni kohor (periudha 01.10.2018 – 31.12.2020) është njëri nga elementet, veprimtaria përgjatë angazhimit në tubime dhe ngjarjet në lidhje logjike e kronologjike me to (shumica e të cilëve janë zhvilluar edhe në episode të përditëshme) është elementi i dytë, së treti tubimet të konsiderohen si ato që ka organizuar Partia Demokratike ashtu edhe tubimet që janë organizuar spontanisht nga publiku apo nga shoqëria civile për ngjarjet me impakt publik, si ato të listuara më lart në këtë relacion.

Sa më lart, vlerësoj se lehtësimi i pozitës së këtyre protestuesve me anë të amnistisë ka një impakt pozitiv në disa drejtime. Amnistia do të shërbejë për rehabilitimin e secilit prej tyre, përfshi rrethin e tyre familjar dhe shoqëror, por edhe si një tregues i rëndësishëm se Kuvendi i ka kushtuar rëndësi kësaj kategorie qytetarësh, të cilët janë proceduar penalisht për shkak të pjesëmarrjes në protesta për garantimin e të drejtave të tyre politike, ekonomike dhe të pronësisë, të drejta themelore të sanksionuara në Kushtetutë.

D E P U T E T I

Enkelejd Alibeaj

Artikulli paraprakLili Cingu fluturoi drejt përjetësisë! Rrugëtimi 60-vjeçar në skenë, momenti që e evidentoi si yllin femëror të së ardhmes së vallëzimit
Artikulli tjetërPas një ndërhyrjeje kirurgjikale u diagnostikua me kancer, DW: Sa i sëmurë është Charles dhe ç’mund të ndodhë tek Royals?