Amnistia penale/ “Skandal kombëtar”, Basha: Qeveria e Ramës propozoi lirimin e zyrtarëve të dënuar apo nën hetim

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një konferencë për mediat tha se amnistia penale është një skandal kombëtar. Ai tha se qeveria e Edi Ramës propozoi lirimin e zyrtarëve të dënuar apo nën hetim.

“Amnistia Penale bëhet për të amnistuar zyrtarët e tij të korruptuar. Ata që i dënon gjykata, i liron qeveria me votat në parlament. Nuk është hera e parë që Rama ndërhyn tek drejtësia. Është ankuar se BKH po ndërhyn tek zyrtarët e tij. Edi Rama është bërë pishman për reformën në drejtësi. Tani që SPAK po vepron, ai po bën gjithçka për të mbrojtur zyrtarët e lartë qeveritarë të korruptuar.

Po përdor amnistinë, që të amnistojë njerëzit e tij të korruptuar, ndërsa refuzon që të amnistojë njerëzit që protestojnë ose që mbrojnë pronat e tyre. Rama dhe qeveria e tij e korruptuar kanë frikë nga drejtësia. PD inkurajon SPAK, BKH, që të vazhdojë punën, të hetojë dhe të çojë para ligjit, të gjithë zyrtarët e korruptuar”, tha Basha.

Ligji për amnistinë penale pritet që të votohet gjatë ditës së nesërme. Për miratimin e këtij ligji duhen së paku 84 vota.

Exit mobile version