Analisti amerikan: Kosova i hoqi mandatin Thaçit për të diskutuar me Vuçiç ndarjen e Kosovës

Analisti amerikan, Edward Joseph, thotë se me emërimin e Richard Grenellit të dërguar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Shtëpia e Bardhë beson se mund ta bindë Gjermaninë që të mbështesë idenë e përfolur më herët për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë. Grenell, së bashku me të dërguarin tjetër amerikan për Ballkanin, Mattheë Palmer, qëndrojnë të mërkurën në Kosovë.

Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, Joseph flet edhe për rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit, të cilin e cilëson si goditje ndaj presidentit Hashim Thaçi, për sfidat e menjëhershme të qeverisë së re e të tjera.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Joseph, si e shihni përfshirjen gjithnjë e më të intensifikuar të Shteteve të Bashkuara në dialogun Kosovë-Serbi?

Edward Joseph: Është edhe pozitive, edhe shqetësuese. Pozitive, sepse secila administratë amerikane që tregon interesim intensiv në Ballkan, është një gjë e mirë. Janë bërë disa vite që SHBA-ja e ka distancuar veten nga Ballkani dhe e ka zbritur (atë rajon) nga prioritetet e saj. Por, kjo çështje (dialogu) qartazi kërkon angazhim të nivelit të lartë, në mënyrë që edhe Kosova, edhe Serbia të bëjnë përparim.

Në të njëjtën kohë është e çuditshme dhe shqetësuese. Përse ambasadori (Richard) Grenell është emëruar (në pozitën e të dërguarit për dialogun Kosovë-Serbi) kur Mattheë Palmer është zgjedhur së voni në pozitën e të dërguarit të posaçëm (për Ballkanin)?

Palmer natyrisht ka përvojë të gjatë në rajon, ndërsa ambasadori Grenell ka punuar në Kombet e Bashkuara, ka njohuri për rajonin, por jo në të njëjtin nivel.

Është një gjë e mirë që Shtëpia e Bardhë, në kohën e shumë krizave të tjera, është e interesuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje, por, në anën tjetër, është e çuditshme dhe mbetet të shihet se çfarë do të thotë për politikën amerikane në rajon.

Radio Evropa e Lirë: Pra, nuk është një gjë e zakonshme që të ketë dy të dërguar?

Edward Joseph: Është e pazakonshme, sidomos kur keni një emisar të sapoemëruar dhe pastaj emëroni edhe një tjetër. Krijon vërtet konfuzion. Por, në anën tjetër, nuk është krejt keq.

Grenell është ambasador në Gjermani dhe, megjithëse ka pasur mosmarrëveshje atje, ai është i vetëdijshëm për shqetësimin e Gjermanisë në lidhje me politikën që ka ngritur ish-këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, John Bolton, e cila duket se është në favor të shkëmbimit të territoreve (midis Kosovës dhe Serbisë).

Është e mundshme që Shtëpia e Bardhë vazhdon të jetë e angazhuar në Ballkan dhe beson se Grenell është personi që mund ta bindë Gjermaninë. Por, në pikëpamjet e udhëheqësve të rëndësishëm në rajon, shkëmbimi i territoreve do të ishte i rrezikshëm dhe destabilizues.

Radio Evropa e Lirë: Cili është disponimi në SHBA?

Edward Joseph: Disponimi në SHBA nuk është i lidhur me çështjet në Ballkan. Nëse shikojmë në aspektin ndërkombëtar, SHBA-ja është e përqendruar tash për tash në tërheqjen e trupave nga Siria, në mosmarrëveshjet e vazhdueshme me Iranin dhe, mes tjerash, në konfliktin tregtar me Kinën.

Nuk ka disponim në SHBA për Ballkanin. Ata që e ndjekin këtë çështje janë të shqetësuar dhe në konfuzion me emërimin e ambasadorit Grenell.

Ata që mendojnë se emërimi i tij mund të reflektojë qasjen e Boltonit drejt ndarjes së Kosovës – që natyrisht se do të krijonte shumë probleme serioze në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Bosnje dhe brenda vetë Kosovës… për ne që mendojmë kështu, (emërimi i tij) nuk na jep shumë siguri.

Radio Evropa e Lirë: Po si e sheh zgjidhjen SHBA-ja për mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi?

Edward Joseph: Kjo është një pyetje politike, së cilës nuk ia dimë përgjigjen, por duhet t’i lexojmë sinjalet. Kur John Bolton ka qenë këshilltar për siguri kombëtare, unë mendoj se ka pasur mbështetje për idenë – të favorizuar edhe nga (shefja e politikës së jashtme të BE-së) Federica Mogherini – për shkëmbim territoresh, për një lloj ndarjeje të Kosovës, me sa duket në veri, në lumin Ibër, ku katër komunat veriore do t’i kalonin Serbisë dhe një pjesë e padefinuar e jugut të Serbisë, që është Lugina e Preshevës, do t’i kalonte Kosovës.
Duket se këtë e kanë diskutuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për disa muaj. Mogherini e ka mbështetur këtë, por të gjithë e dimë se (kancelarja gjermane) Angela Merkel e ka kundërshtuar fuqishëm, ashtu si edhe udhëheqës të tjerë të rajonit që do të ndikoheshin drejtpërdrejt.

Për shembull, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka përsëritur vazhdimisht kundërshtimet ndaj kësaj ideje. Në një rast, ai e ka cilësuar atë si idenë më të pamend që ka dëgjuar. Mali i Zi është shprehur i shqetësuar për këtë ide, Bosnja po ashtu, e mos të flas për shumë paqartësitë rreth mënyrës se si do të zbatohej ajo në Kosovë.

Me gjasë do të kishte lëvizje masive të popullsisë serbe që jeton në jug të Ibrit. Ajo vë në pyetje edhe lokacionet fetare serbe në Deçan, Graçanicë… Të gjitha këto kanë mbetur pa përgjigjet e atyre si Mogherini dhe zyrtarët amerikanë të kohës së Boltonit. Ata nuk e kanë shpjeguar se si do të adresohej kjo çështje.

Radio Evropa e Lirë: Të dërguarin e tij për dialogun Kosovë-Serbi pritet ta emërojë edhe Bashkimi Evropian. A nuk do të bëhet, ta quaj, pak tollovi?

Edward Joseph: Ata do të duhet të bashkëpunojnë. Nuk ka dyshim për këtë, sepse SHBA-ja vetëm nuk mund t’i drejtojë palët drejt një marrëveshjeje. E përsëris, kjo mund të jetë një arsye për emërimin e ambasadorit Grenell, sepse kundërshtimet e Merkelit kanë qenë të dëmshme për qasjen e Mogherinit dhe të Boltonit dhe të Thaçit dhe Vuçiqit për ndarjen e Kosovës.
“Zgjedhjet e dobësuan pozicionin e Thaçit në bisedime”

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të thotë rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë për dialogun me Serbinë?
Edward Joseph: Në njërën anë është goditje e qartë ndaj presidentit (të Kosovës, Hashim) Thaçi. Nuk ka dyshim për këtë. Ideja se ai mund të ketë mandat nga votuesit e Kosovës për të ndjekur rrugën e tij – së bashku me presidentin e Serbisë (Aleksandar) Vuçiq – për ndarjen e Kosovës, qartazi nuk ekziston.

Në anën tjetër, mund të ndodhë që Albin Kurti i Vetëvendosjes bëhet kryeministër. Edhe qasja e tij është e përzier, sepse ai, me vite, ka këmbëngulur në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Ai nuk do që Kosova të jetë një shtet i pavarur, por të bashkohet me Shqipërinë. Kjo do të bëhej e mundur me shkëmbim territoresh. Kurti po ashtu ka thënë se është kundër dorëzimit të ndonjë territori te serbët. E ka thënë këtë disa herë, por duhet të shohim.

Radio Evropa e Lirë: Ku do të çonte një gjë e tillë?

Edward Joseph: Nuk ka shumë rëndësi se çfarë mendoj unë, apo të tjerët që kanë punuar me vite në Ballkan. Me rëndësi është ajo që e mendojnë ata që do të prekeshin nga këto vendime (të mundshme për shkëmbim territoresh).

Për shembull, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, vazhdimisht ka paralajmëruar për pasojat e vendimeve të tilla. Ato do të vinin në pyetje edhe vetë kufijtë e Maqedonisë së Veriut.

Pastaj, çfarë në lidhje me Malin e Zi, me pakicën e tij shqiptare? Nëse komuniteti ndërkombëtar do ta pranonte precedentin e ndarjes etnike territoriale, atëherë përse Millorad Dodik nuk do të vazhdonte me fushatën – ndoshta edhe në mënyrë më të rrezikshme – për ndarjen e Republika Sërpskës?

Radio Evropa e Lirë: Pra, si e shihni ju rrjedhën e mëtejshme të dialogut me Serbinë? Deri më tash kjo ka qenë një çështje më tepër midis dy presidentëve…

Edward Joseph: Pozicioni i Thaçit është dobësuar tani. Ai nuk mund t’i udhëheqë më negociatat, në mënyrë të besueshme, si individ, pa konsultime me kryeministrin. Nëse përpiqet ta bëjë këtë, nuk do të ketë kredibilitet në Kosovë.

Çdo marrëveshje që mund ta arrijë, do të jetë përçarëse dhe do të jetë pyetje serioze nëse kosovarët do ta pranojnë. Nëse Albin Kurti është kryeministër, nuk kam dyshim se ai do të jetë tërësisht i përfshirë në këto bisedime, së bashku me presidentin Thaçi, i cili, e përsëris, është dobësuar nga zgjedhjet, sepse partia e tij ka kaluar shumë dobët.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Jospeh, a prisni që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të bëjnë koalicion për bashkëqeverisje?

Edward Joseph: Ato janë shumë të ndryshme. Por, një gjë të tillë e kemi parë në shumë vende me demokraci parlamentare, edhe pse këtu në Shtetet e Bashkuara nuk kemi. Në shumë vende të tjera, në politikë bëhen partnerë të çuditshëm. Andaj, gjithçka është e mundur.

Aritmetika ekziston. Çështja kryesore natyrisht është se kush do të jetë kryeministër. Por, nëse pajtohen për koalicion, do të thotë se e kuptojnë mirë rëndësinë e kësaj çështjeje, ashtu si edhe të trajtimit të korrupsionit dhe të çështjeve ekonomike.

Radio Evropa e Lirë: Sapo përmendet çështjen e korrupsionit, të ekonomisë…Janë bërë shumë premtime për luftimin e korrupsionit e të papunësisë. A mund t’i realizojnë ato partitë fituese?

Edward Joseph: Albin Kurti duhet t’i realizojë, sepse, nëse nuk i realizon, ai nuk ka besueshmëri. Këto janë çështje mbi të cilat e ka ndërtuar emrin e Vetëvendosjes.

Kjo nuk është thjesht një parti tjetër e Kosovës, është një parti që e ka bërë luftën kundër korrupsionit çështje thelbësore. Jo LDK-ja, por Vetëvendosja, nën udhëheqjen e Albin Kurtit. Andaj, Vetëvendosja duhet ta realizojë këtë (zotim), në të kundërtën do të përballet me pasoja serioze në zgjedhjet e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë sfidat e menjëhershme të partive fituese?

Edward Joseph: Sfidë e menjëhershme është formimi i qeverisë natyrisht dhe veprimi i shpejtë për të fituar besimin e popullsisë.

Qeveria (e re) në Kosovë duhet të dëshmojë shpejt se është vërtet e ndryshme nga paraardhëset e saj dhe se është vërtet e angazhuar për çrrënjosjen e korrupsionit dhe të politikës së shfrytëzimit të pushtetit qeveritar për të emëruar miq dhe të afërm në pozita të larta.

Duhet të veprojë shpejt dhe t’iu dëshmojë votuesve se kjo është një qeveri ndryshe, që e dëgjon popullin dhe u përgjigjet shqetësimeve të tij për korrupsionin. Në të njëjtën kohë, ajo duhet të punojë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, së bashku me presidentin Thaçi, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për kundërshtimin që i bën Beogradi pavarësisë së Kosovës.

Artikulli paraprakRekordmeni Joao Felix, më i zëvendësuari në La Liga
Artikulli tjetërBafason Messi: Doja largimin nga Barça në 2017, por s’kishte ofertë