Analiza e 20 ekonomive më të fuqishme në botë (1960-2100), SHBA shumë shpejt do t’ia lërë ‘mbretërimin’ Kinës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina, Japonia, Gjermania dhe India janë ekonomitë më të mëdha në botë për vitin 2023, sipas të dhënave zyrtare të PBB-së së tyre. Por sipas analizës së “Imperialstatistics” pjesë e “Imperial College London” shumë shpejt Kina do të jetë ekonomia më e madhe e botës, ndërsa në vitin 2100 do të jenë vendet aziatike me popullsinë më të madhe sot, që do të dominojnë ekonominë botërore, duke spostuar vendet e mëdha europiane. SHBA është projektuar të zbresë në vendin e tretë.

Prodhimi i Brendshëm Bruto (shkurt: PBB ose – Gross domestic product, GDP) është një tregues ekonomik që paraqet vlerën me çmimet e tregut të të gjitha të mirave materiale dhe shërbimeve të prodhuara brenda një shteti në një periudhë të caktuar (zakonisht një vit).

PBB-ja shërben si një matës bazë për vlerësimin e madhësisë së ekonomisë së një vendi. Qasja konvencionale për matjen e PBB-së së një vendi përfshin metodën e shpenzimeve, ku totali rrjedh nga agregimi i shpenzimeve për mallrat e freskëta të konsumit, investimet e reja, shpenzimet qeveritare dhe vlerën neto të eksporteve.

Në vitin 1960, mes 20 ekonomive më të fuqishme sipas analizës së të dhënave dhe analizës së “Imperialstatistics, (siç tregohet në tabelë), kishte një diferencë të thellë nga ana e SHBA-së sa i përket GDP-së karshi vendeve të tjera të botës. Britania e Madhe mbante vendin e dytë 6 dekada më parë dhe në vend të tretë renditej Franca. Më pas vinin vende si Kina, Japonia, Italia, India dhe Kanadaja.

Aktualisht është ngushtuar ndjeshëm hendeku i ShBA-së karshi Kinës, përsa i përket madhësisë dhe rritjes së ekonomisë. SHBA vazhdon të udhëheqë listën e vendeve si ekonomia më e fuqishme në botë, mbi të dhënat e fundit të GDP-së dhe pas saj vjen Kina. Në vendin e tretë renditet Japonia, e më tej vijnë; Gjermania, India, Mbretëria e Bashkuar etj. Në vitin 2023, ekonomia e Shteteve të Bashkuara mbetet më e madhja në botë, e matur me PBB-në nominale, ndjekur nga Kina, si ekonomia e dytë më e madhe në botë por me një rritje vjetore që vazhdimisht tejkalon Shtetet e Bashkuara, ndaj edhe vendit aziatik mund t’i duhen shumë pak vite për të zënë pozitën e parë në botë. PBB-ja botërore në vitin 2023 është aktualisht në rënie për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, Izrael-Palestinë dhe epideminë pas koronës, deri në tetor 2023 vlerësohet të jetë 106.37 trilionë kundrejt 103.86 trilionë që ishte në 2022.

Në vitin 2050 sipas projeksionit do të jetë Kina ekonomia më e fuqishme në botë sa i përket analizës së GDP-së dhe pas saj do të vijë SHBA. Në vend të tretë do të jetë India, e me radhë lista vijon; Japonia, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Indonezia etj.

Surpriza do të thellohet në vitin 2100. Duket se e ardhmja e ekonomisë botërore do të jetë Azia.

Siç tregon edhe analiza dhe tabela e “Imperialstatistics”, Kina dhe India do të rivalizojnë me njëra-tjetrën me një diferencë karshi SHBA-së që do të pozicionohet e treta. Nuk do të ketë më vend “nderi” për ekonomitë e shteteve më të fuqishme momentalisht në Europë, sepse pas SHBA-ve ekonomitë më të fuqishme të botës do të jenë Indonezia, Filipinet dhe Vietnami. Surpriza vazhdon me 10 të parat ku do të ngjiten vende si Nigeria dhe Brazili. Të gjitha vendet që do të dominojnë ekonominë botërore në dekadat që do të vijnë kanë aktualisht mbi 100 milionë banorë, çka do të thotë se në të ardhmen popullsia e një vendi do të jetë përcaktuese dhe vendimtare në prodhim.

/A.Muraçi/ Liberale.al

Exit mobile version