Analiza e Bajernit

Një trajner futbolli është gjithnjë nën vëzhgim në punën e tij. Ndodh që edhe kur fiton kampionatin dhe Superkupën, sërish vlerësimi mund të mos jetë pozitiv. I tillë është rasti i trajnerit të Bayer Munich, Carlo Ançeloti, që pavarësisht suksesit në Bundesligë dhe Superkupën e Gjermanisë, nuk i ka përmbushur pritshmëritë. Si për lojën, që konsiderohet shumë e ngadaltë dhe aspak spektakolare, edhe për faktin se futbollistët kanë bërë hapa shumë të vegjël përpara. Kjo është analiza e gazetës “Die Welt, e cila nuk kursehet aspak ndaj Ançelotit.
Pritej që me italianin në stol, kampionët e Bundesligës pas tre eliminimeve radhazi në gjysmëfinale, të fitonin Championsin. Në fakt u eliminuan në çerekfinale. Ndërsa eliminimi nga Dortmundi në Kupën e Gjermanisë ende nuk është kapërdirë nga tifozët. Në këtë analizë nuk kontestohen vetëm rezultatet. Me Guardiolën shpërthyen disa futbollistë. Nga Kimich, që arriti të siguronte një vend në Kombëtare, deri te Boateng, që përmirësoi statusin e tij. Për të mos folur më pas për Thomas Mullerin, që nën urdhrat e spanjollit arriti kulmin e karrierës së tij. I vetmi që ka thënë shenja përmirësimi me Ançelottin është Thiago Alcantara.
Edhe David Alaba është shfaqur konfuz në fazën mbrojtëse sezonin e fundit. Disa futbollistë, ndër të cilët spikat Lewandowski, e kanë pranuar hapur se janë të pakënaqur. Kimich ka reaguar për hapësirat e pakta që ka patur përgjatë sezonit, Boateng nuk e pranoi stolin ndaj Dortmundit në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë, ndërsa Lewa u shpreh hapur se nuk ka ndier mbështetjen e skuadrës për të t’u shpallur golashënuesi më i mirë i Bundesligës. Të gjitha këto probleme Ançeloti duhet t’i zgjidhë, për të evituar largimin kokulur nga Bavaria. Te Bayerni është e rëndësishme të fitosh, por po kaq e rëndësishme është ta ndihmosh skuadrën në procesin e rritjes.
Bajerni i Mynihut u kundërpërgjigjet mediave që flasin për një largim të mundshëm të Robert Lewandowskit, për shkak të pakënaqësive të tij kundrejt skuadrës e trajnerit Ançeloti. Klubi bavarez ka mohuar në mënyrë kategorike bisedimet me klube të tjera për transferimin e futbollitstit.
“Lewandowski ka me ne një kontratë që skadon në vitin 2021. Klubet e tjera që nisin bisedimet me futbollistë që kanë një kontratë afatgjatë me klubin ku aktivizohen rrezikojnë ndëshkimin nga FIFA. Ne nuk jemi në bisedime me askënd dhe as nuk do të ndërmarrim këtë hap. Nuk kemi ndërmend të shesim futbollistin”, kanë deklaruar drejtuesit e kampionëve të Gjermanisë. Një deklaratë kjo që nuk lë vend për asnjë lloj interpretimi dhe që e mbyll përfundimisht këtë çështje përpara se ajo të merrte përmasa të mëdha.

Artikulli paraprakJa arbitrat për skuadrat shqiptare
Artikulli tjetërUltimatum 10 ditë për Bellerin