Analiza e BIRN-nit: Seanca maratonë ndaj Berishës mbyllet me lënien në fuqi të masës së sigurisë

Pas tre ditësh shtyrje, seanca maratonë për verifikimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha u përmbyll mbrëmjen e së enjtes në Gjykatën e Posaçme, në mungesë të Berishës dhe në prani të një avokateje të caktuar kryesisht.

Gjyqtarja Irena Gjoka, pasi shqyrtoi kërkimet e prokurorëve Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai si dhe parashtrimet e avokates Valentina Todoresku, vendosi të lërë në fuqi masën e detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore. Gjykata e urdhëron Berishën që të paraqitet dy herë në muaj para oficeres së policisë gjyqësore, Adelajda Metaj, pranë SPAK. Po ashtu, Berisha urdhërohet që të mos largohet nga Shqipëria pa autorizimin e gjykatës, si dhe i ndalohet përdorimi i pasaportës dhe i dokumenteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit.

Ndërsa për të akuzuarit si bashkëpunëtorë të ish-kryeministrit në aferën korruptive të privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, bashkëshortin e vajzës së tij, Jarmarbër Malltezi i arrestuar dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi që po hetohet në gjendje të lirë, u realizuan të hënën seancat e verifikimit të masave të sigurisë që u lanë në fuqi, për Berishën kjo u bë e pamundur prej të martës.

Masat e sigurisë për Jamarbër Malltezin dhe Fatmir Bektashin, që akuzon respektivisht për korrupsion pasiv dhe korrupsion aktiv si dhe pastrim të produkteve të veprës penale u ekzekutuan që të hënën. Ndërsa seanca e 24 tetorit e caktuar për Berishën dështoi, pasi ai nuk u paraqit për t’u pyetur në cilësinë e personit nën hetim.

Avokatët e tij, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi kërkuan më shumë kohë për t’u njohur me aktet. Edhe seanca e të mërkurës u shty pas largimit të avokatëve të zgjedhur nga Berisha dhe caktimit të një mbrojtësi kryesisht.

Avokatët e Berishës, Gjokutaj dhe Mëngjesi kërkuan përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka dhe deklaruan për gazetarët se ishin larguar pasi ‘nuk mund të realizonin një mbrojtje efektive”.

Gjykata vendosi të caktojë kryesisht avokatin Artan Simoni dhe seanca u shty për të enjten për t’i dhënë atij kohë për t’u njohur me aktet. Por me kërkesë të prokurorisë, gjykata zëvendësoi mbrëmjen e së mëkurës Simonin me avokatet Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia.

Këto avokate nuk morën përsipër mbrojtjen, pasi u njohën me vendimin e rrëzimit të kërkesës së Berishës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, si të pabazuar në prova dhe në ligj.

Në vijim, referuar listës së avokatëve kryesisht, është caktuar të mbrojë interesat e Berishës avokatja Valentina Todoresku. Gjykata bëri me dije se kësaj avokateje i ishte lënë koha e nevojshme për t’u njohur me aktet e dosjes.

Në vijim, u komunikua përmbledhje e dispozitivit të vendimit të gjykatës për vijimin e masës së sigurisë të caktuar ndajh Berishës, “detyrim për t’u paraqitur…”, si dhe urdhërimet e ndalimet e tjera.

Prokuroria e Posaçme e akuzon Berishën se ndërmori ndryshime ligjore dhe vendime të Këshillit të Ministrave për të favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi në marrjen e pronës që i hapi rrugën ndërtimit të një kompleksi prej 17 pallatesh në zonën ku më parë ndodhej klubi sportive “Partizani”.

Berisha i ka mohuar akuzat dhe e ka cilësuar hetimin kundër tij si të orkestruar politikisht nga kryeministri Edi Rama.

Exit mobile version