Politika gjermane reagoi e tronditur pas skandalit në Shtëpinë e Bardhë e dështimit të bisedimeve mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Zhvillimet aktuale transatlantike pikërisht në periudhën e tranzicionit të qeverisë pas zgjedhjeve federale e vendosin politikën gjermane nën presion të shtuar. Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock (Të Gjelbrit) bëri thirrje për veprim të shpejtë evropian dhe kombëtar në Berlin. “Ne nuk mund të presim derisa të formohet një qeveri e re federale, sepse situata është serioze.”
Unioni CDU/CSU dhe SPD po shqyrtojnë hapat për të formuar një koalicion qeveritar të ardhshëm dhe për të mobilizuar miliarda të tjera për mbrojtjen. Baerbock paralajmëroi: “Gjermania duhet të marrë drejtimin në këtë moment historik.” Annalena Baerbock foli edhe për një “kohë të re të pafytyrësisë” dhe bëri thirrje për aleanca të forta evropiane.
Unioni CDU/CSU e vlerësoi sjelljen e Uashingtonit si një “gabim strategjik”, kurse SPD si një “lojë cinike”. Në të njëjtën kohë, partitë gjermane u zotuan të vazhdojnë solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për Ukrainën e sulmuar.
Gjermania të krijojë shpejt qeverinë e re
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier u shpreh në mënyrë të pazakontë kritik ndaj presidentit amerikan, Donald Trump pas skandalit gjatë vizitës së kreut të shtetit ukrainas Volodymyr Zelensky. në Uashington. “Diplomacia dështon kur partnerët negociues poshtërohen para syve të botës,” tha Steinmeier gjatë një fluturimi për në Uruguai për agjencinë gjermane të lajmeve, dpa. Ai bëri thirrje që Gjermania të formojë shpejt një qeveri të re. “Ajo skenë dje në Shtëpinë e Bardhë më la pa fjalë. Kurrë nuk do të kisha besuar se një herë do ta mbronim Ukrainën nga SHBA”, tha Steinmeier.
Thirrje brutale zgjimi për Evropën nga Zyra Ovale
Kurse kreu i partisë E Majta, Jan van Aken, kërkon mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit. “Tani kemi vërtet një situatë të re botërore. (Presidenti i SHBA) Donald Trump ka bërë të qartë, se e drejta ndërkombëtare nuk zbatohet, vetëm ligji i më të fortit. Dhe kjo është arsyeja pse unë mendoj se bota ka nevojë për një përgjigje të përbashkët” tha van Aken për ARD.
Edhe ish-kryetari i Konferencës së Sigurisë të Mynihut, Christoph Heusgen foli për një fuqizim të shpejtë të Evropës. “Nëse thirrja brutale e zgjimit nga Zyra Ovale mbrëmjen e së premtes nuk është e mjaftueshme që ne më në fund të investojmë masivisht në forcimin e mbrojtjes evropiane, ekonomisë evropiane dhe modelit të sukesshëm liberal evropian, demokratik dhe ligjor atëherë nuk e di se çfarë do të duhet të ndodhë më shumë”, tha Heusgen për “Rheinische Post”./DW