Në një reagim në profilin e saj në rrjetin social facebook, kryetarja e degës së PD Lezhë, Alfrida Marku, analizon buxhetin e kësaj bashkie për vitin 2024.
“Për shkak të abuzimeve, institucioni i Bashkisë Lezhë ka rënë në kurthin e propagandës mjerane, duke sjellë mungesën e shërbimeve për qytetarët, taksapaguesit.” – shkruan Marku në reagimin e saj.
Ajo thotë se “po mbyllet muaji i dytë i vitit dhe për shumën 5.3 miliard lekë të parashikuar në Buxhetin e 2024 për rehabilitimin e rrugëve, Bashkia Lezhë s’ka projekte, preventiva, ka vetëm përpjekje të qartë për abuzime”.
Më poshtë reagimi i plotë i Markut:
Po mbyllet muaji i dytë i vitit dhe për shumën 5.3 miliard lekë të parashikuar në Buxhetin e 2024 për rehabilitimin e rrugëve, Bashkia Lezhë s’ka projekte, preventiva, ka vetëm përpjekje të qartë për abuzime.
Për shkak të abuzimeve, institucioni i Bashkisë Lezhë ka rënë në kurthin e propagandës mjerane, duke sjellë mungesën e shërbimeve për qytetarët, taksapaguesit.
Një shembull konkret është kjo shkresë e Bashkisë Lezhë, në përgjigje të kërkesës për transparencë se cilat janë rrugët që Bashkia ka parashikuar të rehabilitojë gjatë 2024 me fondin prej 5.3 miliard lekë nga taksat tona, projektet dhe preventivat përkatëse.
Theksoj, me taksat tona!
Dy janë faktet që Kryetari i Bashkisë Lezhë pranon në këtë rast, ndonëse delegon nënshkrimin e shkresës:
Së pari, 5.3 miliard nga taksat tona vlejnë asgjë për Bashkinë Lezhë dhe rehabilitimi i rrugëve artikulohet vetëm në deklarata në media, pasi ende sot nuk ka vendimmarrje dhe transparencë se në cilat rrugë do të ndërhyhet konkretisht. Po mbyllet muaji shkurt, dhe për shumën 5.3 miliard lekë të parashikuar në Buxhetin e 2024, Bashkia Lezhë s’ka projekte, preventiva, ka vetëm përpjekje të qartë për abuzime.
Së dyti, nuk janë 5.3 miliard lekë të parashikuara për investime të reja, sikurse shitet në lajme të porositura në media partiake prej muajsh. Janë vetëm 2.1miliard lekë, më pak se gjysma e asaj që propagandohet. Janë vetëm 310 milion lekë për rrugët urbane, ndërkohë që gjendja e rrugëve në qytetin e Lezhës e në Shëngjin është e degraduar.
Në vijim, kam 4 pyetje për drejtuesit e Bashkisë Lezhë :
1- Cilat janë rrugët në të cilat Bashkia Lezhë ka “planifikuar” të ndërhyjë për ti rehabilituar në vitin 2024?
2- Si është e mundur që keni planifikuar 5.3 miliard lekë në Buxhetin e vitit 2024 pa patur paraprakisht projektet e preventivat përkatëse ?! Si është përllogaritur shuma 5.3 miliard lekë?!
3- Cilat janë rrugët rehabilitimi i të cilave ka përfunduar gjatë vitit 2023 ?!
4- Cilat janë rrugët rurale apo urbane në proces rehabilitimi nga viti i kaluar?!