E gjithë qeverisja e Edi Ramës tashmë është një aktivitet i përditshëm dhe i vazhdueshëm kriminal.
Çdo akt, çdo veprim, çdo firmë e Edi Ramës dhe ministrave bëhet vetëm për të vjedhur, vetëm për të grabitur, vetëm për të përfituar padrejtësisht.
Ky aktivitet kriminal qeveritar ka sjellë dhe po sjell pasoja shkatërruese për vendin. Do të ketë pasoja shkatërruese ekonomike, shoqërore dhe politike.
Së pari, politikat kriminale të koncesioneve po sjellin dëme kolosale mbi pronën publike dhe paratë publike.
Bëhet fjalë për qindra milionë, me gjasa miliarda euro publike të grabitura dhe shpërdoruara. Bëhet fjalë për kapjen e ekonomisë përmes kalimit të pasurive publike financiare dhe në natyrë tek privatët për dhjetra vjet.
Së dyti, ato do të sjellin bllokimin e politikave ekonomike të qeverisë.
Koncesionet do të paralizojnë gjithë financat publike dhe do të bëjnë të pamundur çdo politikë publike. Të gjitha paratë e buxhetit për dekadat e ardhshme po kontraktohen që tani. Këto kontrata dhe borxhi marramendës që vazhdon të marrë Edi Rama, do ta shndërrojnë çdo qeveri në një zyrë pagesash, pa patur mundësi të bëjë asgjë tjetër vetëm që të paguajë këstet e kontratave afatgjata, që Edi Rama ka firmosur në çdo fushë dhe për çdo gjë për dhejtra vjet. Taksapaguesit dhe buxheti tyre do të jenë thjesht kuleta për të paguar për dhjetra vitet e ardhshme klientët e EdI Ramës.
Së treti, veprimet kriminale ekonomike të Edi Ramës po sjellin shkatërrimin e konkruencës në treg dhe të ekonomisë së lire.
Të githa koncesionet janë monopole afatgjata, që vrasin konkurëncën në fushat ku janë dhënë. Në transport, në shëndetësi, në menaxhimin e mbetjeve, në arsim, në energji dhe kudo nuk do të ketë më vend për sipërmarrje,. nuk do të ketë më vend për biznesin e vogël dhe për asgjë tjetër.
Së katërti, politikat kriminale ekonomike të Edi Ramës do të sjellin shkatërrimin e proceseve politike përmes kapjes së politikës nga këto interesat private.
Sot, e gjithë kupola e Partisë Socialiste është e kapur nga krimi dhe interesat private. Të gjitha politikat e saj janë kriminale dhe shkatërruese për proceset politike në vend, nga vjedhja e zgjedhjeve tek çdo veprimtari tjetër politike.
Por koncesionet kriminale dhe pastrimi masiv i parave në ekonomi përmes ndërtimeve, kapjes së sektorit bankar dhe kontratave publike janë, gjithashtu, rrezik për sigurinë kombëtare dhe rrezik për destabilizmin politik të vendit.